E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bushati: Reformimi i sistemit të drejtësisë, kërkesë kryesore e BE-së

Zv.ministri i Integrimit, Zef Bushati, e sheh reformimin e sistemit të drejtësisë si të lidhur drejtpërdrejt me detyrat që vendi ynë duhet të kryejë për t’iu afruar standardeve të Bashkimit Evropian. Ai shprehet se “reformimi i organeve të drejtësisë dhe e sistemit të drejtësisë në përgjithësi është një ndër kërkesat kryesore dhe të vazhdueshme të BE-së, në kuadër të procesit të integrimit. Në mënyrë që të arrihen standardet e kërkuara në këtë fushë të rëndësishme, ky angazhim përfshihet në atë që quhet përmbushja e “kriterit politik”. Pasi sqaron nenet përkatëse të MSA-së ku sanksionohet kjo reformë, ai sqaron se reformimi i organit të prokurorisë, në veçanti, nuk preket në mënyrë të drejtpërdrejtë, por në kuadrin e përgjithshëm të reformimit të sistemit të drejtësisë, ku sipas tij, prokuroria është një hallkë e rëndësishme. “Prokuroria, si pjesë e këtij sistemi, është e lidhur me reformën në përgjithësi në drejtësi. Një hap i rëndësishëm është rishikimi i ligjit për organizimin e funksionimin e prokurorisë në Republikën e Shqipërisë dhe miratimi i tij me një konsensus të gjerë politik”, - shprehet Bushati. Ai mendon se “sistemi i drejtësisë është në proces rinovimi dhe kjo sigurisht në zbatim të orientimeve dhe detyrimeve që rrjedhin nga MSA-ja. Ky proces nuk është i lehtë se përballet me faktorë me rëndësi politike si dhe me interesa të grupeve të biznesit. Mendoj se përveç maxhorancës qeverisëse ky reformim është një detyrim edhe për opozitën, segmente të së cilës shpeshherë bëhen pengesë për realizimin në kohë të kësaj reforme”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›