Bushati: Talentet, por edhe fitore
Shqipëria Under-21 ka përfunduar përgatitjet për sfidën e sotme kundër Austrisë. Në orën 14:00 në stadiumin "Qemal Stafa", skuadra e drejtuar nga Artan Bushati do të kërkojë përmirësimin e pozitave në Grupin 10 eliminator, ku renditet e katërta (mes pesë skuadrave), vetëm me 3 pikë të grumbulluara në pesë ndeshje. Edhe pse përballë kuqezinjve të vegjël do të jenë kryesuesit, trajneri thekson se të tijtë do të hyjnë në fushë për të fituar, ndërsa në dyshim është aktivizimi i sulmuesit Ahmed Januzi, i sëmurë prej tri ditësh. Bushati premton se i njëjti mentalitet do të jetë edhe për takimin e së martës (datë 17 nëntor) kundër Bjellorusisë së vendit të dytë. "Austria dhe Bjellorusia janë dy skuadra shumë të forta, për këtë duhet të jemi realistë. Ato kryesojnë grupin tonë, janë në vazot e para në aktivitetet për U-21 dhe kanë marrë pjesë në finalet e Europianit të kësaj moshe. Edhe pse luajmë në shtëpi, jemi të vetëdijshëm që na presin dy sfida të vështira", deklaroi ai. "Përballë cilës prej tyre mund të marrim më shumë pikë? Këtë nuk mund ta them, pasi si Austrinë ashtu edhe Bjellorusinë i shoh si ekipe të barabarta. Ne kemi objektivin tonë dhe ai është që të arrijmë fitore. Tashmë presim verdiktin e fushës". Rezultatet pozitive janë të nevojshme, mbi të gjitha duke parë pozitat e skuadrës në grup, por tekniku shkodran nuk harron të theksojë edhe synimin kryesor të Shpresave: evidentimin e elementëve të rinj, Deri më tani në këto vite 8 lojtarë të U-21 janë grumbulluar në përfaqësuesen e parë. Mendoj se edhe në skuadrën aktuale ka elementë, që në të ardhmen mund të jenë në Kombëtare. Ky është misioni ynë: Shpresat janë një vitrinë për të rinjtë e talentuar, por nuk përfundon me kaq. Në të ardhmen e tyre ndikon edhe puna që bëhet nëpër skuadrat ku futbollistët luajnë", theksoi Bushati. Me 21-vjeçarët është regjistruar edhe një rast i rrallë për futbollin shqiptar: grumbullimi i 17-vjeçarit të Olimpiakosit, Vasil Shkurtaj. Sulmuesi, i vlerësuar edhe nga trajneri brazilian, Ziko, për talentin e tij, ka zgjedhur Shqipërinë përpara Greqisë dhe për këtë arsye FSHF ka vendosur ta lejojë që ai të kapërcejë Kombëtaret U-17 dhe U-19. Por, Bushati kërkon edhe më shumë: "Vazhdojmë të interesohemi për talentet që luajnë jashtë vendit, madje në Shqipëri janë zhvilluar edhe shumë grumbullime stërvitore për të përzgjedhur ata që vërtet vlejnë. Për fat të keq, disa prej tyre e kanë pasur të pamundur të paraqiten. Kjo është arsyeja përse mendoj se ka ardhur koha të ndryshojmë strategji: grumbullimet duhet të organizohen në shtetet ku lojtarët shqiptarë janë të përqendruar në numër të madh, si Itali, Gjermani, Zvicër e Greqi. Nuk duhet të demoralizohemi prej refuzimeve, si në rastin e Sotir Ninit, pasi ka shumë futbollistë të tjerë që mund të kontribuojnë për Kombëtaren".
e. kodheli
e. kodheli