E Diel, 1 Nëntor 2026

Statutet e Katedrales së Drishtit zbulohen në Bibliotekën Mbretërore Daneze

Për shekuj me radhë, shkruar në latinisht, dorëshkrimi i statuteve të Katedrales së Drishtit ka "rrugëtuar" arkivave. I shkruar nga kanoniku dhe noteri i Tivarit, Simon Dromasus, më 12 janar 1468, së fundmi është gjetur në arkivat e Kopenhagës, në Bibliotekën Mbretërore Daneze. Studiuesit Musa Ahmeti dhe Etleva Lala prej kohësh kërkonin gjurmët e këtij dorëshkrimi të Mesjetës shqiptare. Pas një pune të gjatë kërkimore, statutet vijnë shqip, nën një botim luksoz të "Ombra GVG". Si burime të rëndësishme historike, këto statute që në realitetin e sotëm mund të përktheheshin si rregulla të drejtësisë, kontrollonin apo rregullonin deri edhe në detajet më të imta të jetës në komuna-qytete. "Përpara se t‘i gjenim këto statute, dispononim vetëm të dhëna fragmentare për vendndodhjen e sotme të tyre, të dhëna këto të marra nga shënimet e albanologut kroat, Milan Shuflaj. Sipas tij, dorëshkrimi i Statutit të Katedrales së Drishtit për herë të parë përmendet në katalogun 438 të antikuarit gjerman, Karl Wilhelm Hiersemann nga Lajpcigu, në qershorin e vitit 1915, fasc. 43, nën numrin 250, i përshkruar në mënyrë shumë sipërfaqësore, por me titull të plotë: "Statuta et ordinationes capituli eçlesiae Cathedralis Drivastensis". Milan Shuflaj jo vetëm që ka qenë i pari që tërhoqi vëmendjen e botës shkencore për ekzistencën, vlerën dhe rëndësinë e këtij dorëshkrimi, por edhe i pari që tregoi për përmbajtjen dhe vendndodhjen e tij deri në vitin 1920", shprehen Ahmeti dhe Lala. Historiku i mbërritjes së dorëshkrimit në Bibliotekën Mbretërore daneze përfshin disa emra albanologësh, koleksionistësh të njohur të kohës, shënime arkivore apo katalogë shitjesh. Sipas studiuesve, dorëshkrimi origjinal ruhet në Bibliotekën Mbretërore Daneze, në sektorin e dorëshkrimeve në një kuti kartoni ngjyrë jeshile dhe është i lidhur me kopertina kartoni të forta, ngjyrë kafe të errët, ndërsa kurrizi është prej pergameni të bardhë.

Gjashtë faqet e para dhe të fundit janë boshe, përkatësisht janë faqe që u takojnë kopertinave kur është bërë lidhja e re në fund të shek XIX. Dorëshkrimi është në pergamen të butë, fin dhe i tëri në gjuhën latine dhe i shkruar nga një dorë e vetme me tri ngjyra. Teksti i statutit është me ngjyrë kafe, ndërsa kapitujt me ngjyrë të kuqe, kurse nënndarjet dhe disa nga inicialet me ngjyrë blu. Dorëshkrimi origjinal në pergamen ka dy lloj faqosjesh. Njërin lart në të djathtë, që fillon nga nr. 1 dhe vazhdon deri në nr. 18 dhe faqosjen e dytë, poshtë në djathtë, që fillon nga nr.9 dhe përfundon në nr.26. Të dyja faqosjet janë të kohës së dorëshkrimit. Në f. 1 (faqosja e vjetër 9) brenda nistores "P" të praruar në flori, me dekorime shumë të bukura përreth, është një portet i kryeipeshkvit Pal Engjëlli me shkopin baritor në dorë, me mitër në kokë i veshur me rrobat e kryeipeshkvit. Kryeipeshkvi Pal Engjëlli, së bashku me kryediakonin e Shkodrës, emri i të cilit nuk bëhet i njohur në statute, por që sipas Hierarchia Catholica të Eubelit (vëll. II, f. 256) ai duhet të jetë domenikani Manuel (1451-1465), u përzgjodhën nga Papa Piu II për të verifikuar nëse statuti ekzistues i Katedrales së Drishtit( "edituar" në vitin 1456) kishin nevojë për plotësime. Sipas Ahmetit, në këtë statut, ashtu si në të gjitha statutet e njohura deri më sot, vërehet roli dhe ndikimi i madh i kishës gjatë Mesjetës, sepse pa përjashtim, normat e para të statuteve fillojnë me rregullat e kishës, obligimet, rolin dhe vendin që ka kisha në shoqërinë komunë-qytet. "Kushtetuta që zyrtarizoi katedralja e Drishtit, më 12 janar të vitit 1468, nuk ishte tjetër veçse përmbledhja e rregullave që ishin në fuqi prej një kohe të gjatë. Duke qenë se këto statute bazohen në një shkallë të lartë te zakonet e vjetra ekzistuese duke i hedhur në letër ato që tashmë ishin praktikë e përditshme në shoqërinë shqiptare, statutet fillojnë me një normë zakonore që duhet të ketë qenë shumë e përhapur në traditën e lashtë shqiptare siç është ajo e respektit të ndërsjellë të brezave", theksojnë dy studiuesit, ata që kanë gjetur dhe sjellë në shqip këtë statut. Në këto rregulla mesjetare përcaktohen në detaje edhe sjellje që sot ngjajnë të pakuptimta. Si duhet të silleshin të rinjtë me pleqtë, ruajtja dhe përdorimi i vulës, gjobat për vjedhje dhe mashtrim, dënimet për rrahje, frika e Zotit në rastet kur mungon norma statutore etj. Ky botim i dorëshkrimit origjinal do të prezantohet në stendën e shtëpisë botuese gjatë Panairit të Librit.

ol.li

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›