E Diel, 1 Nëntor 2026

"Jazz painting", Ilir Zefi në Itali

"Jazz painting", kështu është titulluar ekspozita personale e piktorit shqiptar, Ilir Zefi, e cila është çelur në qendrën e re të galerisë "Russo" në Romë. I ftuar pikërisht për të inauguruar këtë galeri të re, artisti shqiptar është paraqitur para publikut me rreth 30 vepra të dimensioneve të ndryshme, të cilat u përkasin viteve të fundit. Ekspozita "Jazz painting", e cila do të qëndrojë e hapur deri më 10 dhjetor ka për kurator italianin Marco Di Capua. Titulli, vjen si një e dhënë në mënyrë që dashamirësit të kuptojnë prej nga vjen frymëzimi i artistit shqiptar. Në vitin 1992, kur largohet nga Shqipëria drejt brigjeve të Italisë, Zefi nuk ishte një i dëshpëruar në arratisje, e as një i persekutuar politik, por një piktor i lodhur prej kufijve të vendosur në ambientin ku ai jetonte dhe ku u formua. Ai studioi në Akademinë e Arteve të Bukura të Tiranës në kohën kur direktivat estetike impononin një portretizim të tipit socialist. E megjithatë, me ndryshimet që po ndiheshin prej shteteve të bllokut sovjetik, si dhe me rënien e Murit të Berlinit ai vendosi se duhej të largohej nga klima kulturore e cila e kishte bërë të vuante. Me të mbërritur në Itali, piktorit të ri i jepet mundësia të njihet me krijimtarinë e artistëve të ndryshëm të ‘900-ës. Megjithatë, deri në një periudhë, pikturon subjekte që i përkasin formimit të tij të deriatëhershëm, natyra të vdekura apo peizazhe, të cilat megjithatë nisën të vinin në një frymë më të lirë deri në kalimin në veprat abstraksioniste. Nis në këtë mënyrë një fazë e re në krijimtarinë e Ilir Zefit, ajo që zgjoi edhe interesin e koleksionistëve italianë apo të kuratorëve të edicionit XVI të Quadriennale-s (aktivitet i arteve pamore që zhvillohet çdo katër vjet) së Romës në vitin 2005, së bashku me sinjalet e para të njohjes edhe në merkaton amerikane. Në vitin 2008, Zefi zgjedh të jetojë në Nju Jork, ku edhe ka lindur kjo mënyrë të pikturuari dhe duke qenë se ai është si një "kafshëz" e ndjeshme ndaj ndryshimeve të ambientit me të cilin edhe hyn në kontakt, edhe në veprat e tij do të ndihet menjëherë ndryshimi duke rinovuar ngjyrat dhe duke u falur atyre më shumë shkëlqim akoma. Në Nju Jork, falë përballjes me artistët prej të cilëve frymëzohet piktura e Zefit është zhvilluar më tej duke çliruar anën instiktive dhe sekrete të të jetuarit pa paragjykime, për t‘u dhënë dashamirësve të tij një pikturë të qartë dhe të largët prej disa nga format e akullta të artit bashkëkohor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›