Cana, ndihmë për 500 familje të varfra kosovare për Bajram
Suksesi në futbollin europian nuk ia ka ndryshuar aspak personalitetin. Me gjithë aventurën e shkëlqyer tek Olimpik Marseja dhe përshtypjet e mira që ka krijuar te Sandërlendi në Premierligën angleze, Lorik Cana vazhdon të mbetet një njeri i thjeshtë. Por, më kryesorja është se 26-vjeçari nuk harron të përkujdeset për bashkëkombësit më të pafat. Imazhi i krijuar në fushat e blerta e ka ndihmuar të bëhet ambasador i UNICEF-it, përkrah emrave të mëdhenj si Zidan, Kaka, Ronaldinjo, Maldini e shumë të tjerë, ndërsa objektivi kryesor i Canës mbetet ndihma për Kosovën. Në prag të gestës së Bajramit, mesfushori kuqezi do t‘i dorëzojë Kryqit të Kuq të Gjakovës miell dhe nga një pako ushqimore për 500 familje të varfra. "Edhe në këtë rast, u konfirmua humaniteti i madh i Lorikut për familjet e varfra. Në emër të këtyre familjeve nevojtare, ne i jemi mirënjohës", deklaroi Dushe Basha-Lama, koordinatore e Kryqit të Kuq të Gjakovës. Ajo ka bërë të ditur se sipas procedurave në listën për ndihmë janë përfshirë ata që kanë më shumë nevojë, ndërkohë që numri i familjeve, të cilat i janë drejtuar KK të Gjakovës për ndihmë ushqimore, veshmbathje dhe lëndë djegëse kap shifrën 580. Kjo nuk është hera e parë që Cana ka treguar solidaritet me problemet sociale të shtetit më të ri në kontinent. Në të kaluarën, kapiteni i Sandërlendit nuk ka ngurruar të ndihmojë fëmijët jetimë në Kosovë dhe Shqipëri, të varfrit, por edhe sportistët kosovarë. Një rast për t‘u veçuar është ai i prillit 2008, ku pas një akordi me drejtuesit e Olimpik Marsejës, Cana ka kaluar një euro për çdo biletë të shitur për ndeshjen me Lionin, në favor të fondacionit të fëmijëve shqiptarë, "Domenik Skalione".
e. k.
e. k.