E Diel, 1 Nëntor 2026

Protesta e opozitës, Ndoka e Ngjela drejt pjesëmarrjes

Partitë e djathta duket se do t‘i bashkohen protestës së Partisë Socialiste ditën e shtunë më 10 tetor. Hapjen e kutive e kanë kërkuar edhe parti të spektrit të djathtë, të cilët nuk kanë asnjë deputet me të cilin të përfaqësohen në Kuvend. Partia Socialiste do të ketë mbështetjen morale më 10 tetor të disa ish-bashkëpunëtorëve të ngushtë të selisë blu. Mësohet se kreu i PS-së do të zhvillojë gjatë kësaj jave një takim me Spartak Ngjelën, Nard Ndokën dhe Dashamir Shehin. Protesta kundër procesit zgjedhor të 28 qershorit organizuar nga kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, duket se do të gjejë edhe mbështetjen përtej së majtës. I kontaktuar për këtë çështje, kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar e ka marrë vendimin përfundimtar për të mos iu bashkuar aksionit opozitar në protestën e ditës së shtunë më 10 tetor. Por ndryshe duket se do të bëjnë Spartak Ngjela dhe Nard Ndoka, të cilët do të bashkohen në këtë aksion. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar në ditët e mëparshme takime me eksponentë të spektrit të djathtë politik si Spartak Ngjela dhe Nard Ndoka në lidhje me qëndrimin e tij për hapjen e kutive të votimit. Kryetari i Partisë Socialiste e ka lançuar datën 10 tetor si ditën e parë të protestave të popullit opozitar për të kërkuar hapjen e kutive të votimit dhe transparencën e plotë të zgjedhjeve të qershorit. Sipas Ramës, Berisha do të ketë përballë popullin opozitar të shumicës, më të vendosur se kurrë për t‘i dhënë fund pushtetit, nëse ky nuk i hap rrugë transparencës së zgjedhjeve të kaluara dhe sigurimin e heqjes së manipulimeve në zgjedhjet e ardhshme. Kushtet e PS-së për t‘u rikthyer në Kuvend janë hapja e kutive të votimit në disa qarqe. Po ashtu, socialistët kërkojnë llogari për lirimin e të burgosurve gjatë kohës së fushatës elektorale nga 29 maji deri më 28 qershor. PS synon gjithashtu evidentimin dhe rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore ose në çdo ent publik, të pushuar nga puna apo transferuar gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kanë marrë pjesë si përfaqësues të opozitës në komisione zgjedhore, apo nuk u janë bindur urdhrave për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj.

E.Ajazi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›