Bushi: “Goli i 15-të kundër Holandës”

Alban Bushi golin e fundit të tij, atë të 14-tin e ka shënuar në miqesoren kundër Azerbajxhanit (2-1) kur kombëtaren e drejtonte gjermani Hans Peter Brigel. Rekordmeni absolut i Kombëtares përsa u përket golave (14 gola në 65 ndeshje) ka realizuar dyfishin e ndjekësit të tij më të afërt, Erion Bogdani, i cili ka shënuar 7 gola në 39 ndeshje. Sulmuesi 33-vjecar i Apollon Kallamarjasë ka qenë i pafat nën urdhërat e Oto Baricit, por tani është i bindur se për të ka ardhur momenti për të shënuar golin e 15-të do të shënojë golin e kundër Holandës.
Si gjykon veterani Bushi takimin me Holandën?
Ndeshja është e vështirë. Ne duhet të japim maksimumin. Ekipi duhet të japë jo 100 për qind, por 200 për qind në fushën e lojës. Nuk na intereson shumë rezultati. Mua personalisht, por dhe trajnerit dhe lojtarëve të tjerë, pasi kemi folur me të gjithë, na intereson që tifozeria jonë, në stadium dhe jashtë tij, të kënaqen dhe të ndihen krenarë. Rezultati është i fundit në këtë ndeshje. Objektivi ynë nuk është të marrim tri pikëshin, por të rritemi në lojë.
Do ta shënoni golin e 15-të kundër "tulipanëve"?
Nuk diskutohet që të shënosh gol kundër Holandës është një gjë e madhe. Duket se golat i kam lënë pas dore. Edhe kur më pyetën se a do të shënoja kundër Maltës, thashë jo. Duke thënë vazhdimisht nuk do të shënoj, s'po realizoj. Duhet thënë që do të shënoj që të vijë dhe goli.
Alban, a besoni se tashmë në sulm, sidomos në ndeshje të rëndësishme ka nevojë për sulmues me eksperiencë, ashtu sic vepron Milani me Inzagin në kompeticionet ndërkombëtare?
Kombëtarja ka në sulm lojtarë me eksperiencë, Kapllani luan në Bundesligë, Bogdani në Itali, Salihi, i cili djalë i ri, luan në Austri, mund të luajë një pjesë, unë kam shumë vite që luaj. Nuk ka ndonjë diferencë të madhe midis nesh sulmuesve, por këtë e vendos trajneri. Unë besoj se ne do të luajmë me skemën 4-5-1, sic luajtëm në Bullgari dhe këtë skemë po e aplikojmë edhe në stërvitje.
Nga Durresi, intervistoi: Dash Frashëri