E Diel, 1 Nëntor 2026

Bushi, Vjena dhe Kali i Trojës

Presidenti amerikan George W. Bush vendosi të vizitojë Evropën në një moment kur gjeti diçka të përbashkët me vendet anëtare të saj. Deri në fund të Luftës së Ftohtë, planeti ynë përbëhej nga dy pole, atë komunist të udhëhequr kryesisht nga ish Bashkimi Sovjetik dhe e ashtuquajtura bota tjetër moderne nën drejtimin e padiskutueshëm të SHBA'së. Fundi i viteve '80, në një farë mënyre shënoi rënien e këtyre dy poleve dhe lindjen e dy të tjerëve , atij të BE'së dhe atij të SHBA'së. BE që që në fillimet e saj e themeluar për t'u kundërvënë bashkimit amerikan tashmë filloi të jetë më e hapur në planet për të ardhmen. E njëjta gjë u bë edhe nga pala amerikane, por duke marrë parasysh të gjitha mundësitë për zgjidhje diplomatike, në mënyrë që të mos krijoheshin mosmarrëveshje. Edhe pse BE duket sikur i kundërshton planet amerikane, në të shumtën e rasteve detyrohet ti mbështesë ata. Mbështetjen e saj nga vendet anëtare të BE'së, Amerika e ka siguruar me aleatët e saj brenda kësaj familjeje të madhe që po zgjerohet gjithmonë e më shumë. E vendosur për të patur aleatë brenda gjirit evropian, administrata e Uashingtonit po shton gjithmonë e më shumë ndihmën ndaj vendeve që po përgatiten për tu anëtarësuar në BE. Duke ua treguar veten si një faktor ndikues në anëtarësim, SHBA i përdor si karem këto vende për të realizuar planet e saj. Greqia e cila vetëm 20 apo 30 vite më parë ka qenë jo më e zhvilluar se vendet e tjera ballkanike jo anëtare të BE'së, vetëm me ndihmën që mori nga SHBA arriti të plotësojë kushtet për anëtarësim dhe sot është një nga aleatet më të fuqishme të Uashingtonit brenda familjes evropiane. Nuk është e vështirë të kuptohet edhe aleanca që administrata amerikane po i bën Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit për anëtarësim sa më të shpejt. "Një kockë sot, një kofshë mot"thotë populli. Shtet e Bashkuara sot nuk janë ndryshe Kalit të Trojës. Ata po e marrin kalanë nga brenda.
Megjithë protestat e mundshme të evropianëve, Bush mori guximin të vizitojë liderit evropianë. Duket se kësaj here ka diçka të përbashkët për të biseduar, atë të programit bërthamor të Iranit. Para se të nisej drejt Vjenës ai ka theksuar se aleanca midis BE'së dhe SHBA'së do të mund patjetër kapriçot e Teheranit zyrtar. Duhet që Bush të fitojë patjetër mbështetjen e evropianëve mbi këtë çështje, pasi një ndërhyrje ndaj Iranit nuk do të jetë aq e lehtë sa ajo në Irak apo në Afganistan. Bush tashmë i trembet fuqisë së Teheranit e sidomos pas deklaratave që presidenti iranian Mahmud Ahmedi Nexhat bëri para ushtarëve të tij në Ditën e Ushtrisë. Ahmedi Nexhat i vendosur në qëllimet e tij la mënjanë të gjitha kërcënimet e drejtuara drejt tij duke u folur ushtarëve në këtë mënyrë: "Armiqtë tanë e dinë fare mirë fuqinë tonë. Ne i besojmë Allahut dhe nuk lejojmë në asnjë mënyrë që të cënohet pavarësia dhe integriteti i vendit tonë. Në i presim dorën atij që na kërcënon.”. E nëse deklarata të tilla do të vinin nga Iraku, Palestina apo Afganistani, rrugët diplomatike të Bushit do të ishin më të shkurtra. Por kësaj here duket se sharra ka zënë në gozhdë. Bush tashmë i kërkon Evropës që të rrisë sanksionet ndaj Iranit. Ndërkohë që është tepër e qartë që Bush, përfaqësuesi i vendit të lirive dhe të drejtave të njeriut, mbetet gojëkyçur kundrejt problemeve të trajtimit që Amerika i bën të burgosurve në luftën kundër terrorizmit. Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër vetëm se të ulemi e të presim "frytet"e samitit të Vjenës, ku një kërkesë e rëndësishme e evropianëve është edhe mbyllja e Guantanamos.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›