Kur mjeti nuk justifikon Qëllimin!
Kur Partia Demokratike doli në fushatën zgjedhore të korrikut të kaluar, një nga prioritetet e politikës së saj ishin lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me slloganin "Koha Për Ndryshim"Partia Demokratike së bashku me aleatët e saj synonte të çrrënjoste një herë e mirë sistemin mafioz dhe atë korruptiv në vend. Sigurisht që për ta arritur këtë partisë tashmë në mazhorancë i nevojitej një kryeprokuror më aktiv dhe më i besueshëm në këtë luftë të përbashkët. Duke parë mefshtësinë e punës së Sollakut në këto vite, moskapja e pothuajse e asnjë bande, mosekzekutimi i shumë arresteve dhe mos-hapja e shumë dosjeve dhe çështjeve të bëra të ditura publikisht, e bënë mëse të domosdoshme ndërrimin e kryeprokurorit. Berisha nga njëra anë akuzonte se Sollaku fle mbi dosjet e krimit, Sollaku nga ana tjetër mbrohej (vetë dhe nga socialistët) se ka kryer plotësisht detyrën e tij, Presidenti që duhet të vepronte ose të paktën të prononcohej për këtë rast zgjodhi rrugën e heshtjes, ndërsa disa media u munduan të ngjallnin gogolin e Berishës së vjetër që kontrollonte institucionet e pavarura. Mes shumë debateve në parlament u krijua komisioni hetimor "Sollaku"ku për disa javë po hetohet puna e kryeprokurorit. Mes zhurmës politike e mediatike, akuzave dhe përgënjeshtrimeve të ndërsjella çështja ndryshoi rrjedhë dhe nga akuzat për bashkëpunim me mafien dhe botën e krimit, shkoi në mosdeklarimin e pasurisë dhe tashmë kryeprokurori akuzohet për një pronë private prej 267 m2 në Durrës dhe për favorizime ndaj bashkëshortes së tij, që aktualisht kryen detyrën e gjykatëses, lidhur me një skandal gjyqësor në të cilën e ka gjykuar ajo vetë, atë të tjetërsimit të pronës në kurriz të një shtetasi grek. Sigurisht që këto akuza jo se nuk mund të përbëjnë shkelje dhe abuzime, por kur mendon se detyra e prokurorit të përgjithshëm të vendit ka të bëjë më shumë me sigurinë dhe zbatueshmërinë e ligjit në vend, kapjen e shkelësve të saj dhe vënien e tyre para ligjit, është shumëpërfshirëse dhe ndikon drejtpërsëdrejti tek të gjithë qytetarët dhe nuk ka vetëm karakter familjar, pra jo vetëm tek një pronë e tij ose tek një favorizim ndaj bashkëshortes gjyqtare. Në këto momente është e pamundur të mos kujtosh gjyqin e famshëm dhe të turpshëm ndaj ish-pushtetarëve komunistë ku Nexhmija akuzohej për kafe të pira dhe vazo të dhuruara, jo se ata nuk meritonin dënimin, por për arsyen se krimet e tyre ishin vërtet shumë larg kufirit të një vazoje të dhuruar dhe një kafeje të pirë. Megjithëse të mësuar me akuzat e Berishës ndër vite duke sulmuar me të drejtë (shpeshherë) dhe me pa të drejtë (jo pak herë) socialistët dhe lidhjen e tyre me krimin e organizuar dhe për krijimin e një sistemi korrupsioni, fakti që asnjëra nga akuzat e ngritura deri më tani nuk është pasuar me hetime nga prokuroria e përgjithshme tregon se diku gjërat ngecin. Edhe nëse e marrim si të mirëqenë, dhe shpresojmë të jetë e tillë, se jo të gjitha akuzat e ngritura nga kreu i qeverisë aktuale janë të vërteta, fakti që në vendin tonë mafiozët "kanë hedhur valle në gojë të ujkut"siç ia ka dashur qejfi dhe korrupsioni lulëzoi si kurrë ndonjëherë më parë në vend, duke krijuar edhe legjitimitetin e saj në qeverinë e para tetë viteve, tregon qartazi se është pak të thuhet se prokuroria e përgjithshme dhe kryeprokurori Sollaku nuk e kanë kryer siç duhet detyrën e tyre. Dhe nuk duhet të ketë asnjë dyshim se prokurori i përgjithshëm duhet detyrimisht të largohet nga funksioni i tij zyrtar për t`i hapur rrugë luftës pa kompromis ndaj krimit të organizuar, por edhe akuzat dhe arsyet të cilat duhet ta largojnë atë, duhet të jenë të paktën më të denja, për të mos lënë tek njerëzit shijen e hidhur të kafesë së Nexhmijes.