E Diel, 1 Nëntor 2026

Kush fiton Sollaku-Patozi apo Gjermania me Brazilin!?!

Padyshim që lufta e mazhorancës kundër kryeprokurorit Sollaku ka motivet e saj politike. Madje shumë të theksuara. Gjithsesi, askush nuk mund ta mohojë një dëshirë të hershme të liderëve shqiptarë e sidomos të doktor Berishës për të patur nën „hyqm" të gjitha institucionet rreth e rrotull. Kjo e motivuar me një punë më të mirë në rrugën e realizimit të politikave të qeverisjes dhe premtimeve elektorale. Sa ka punuar Sollaku kjo dihet, aq sa mund të lejojë një politikë e krimbur, e korruptuar dhe e implikuar në çdo hale të papastërtisë shoqërore, dhe aq sa mund të lejojë edhe mentaliteti aspak bashkëpunues i shqiptarëve. Qeveria Nano, e fundit e tij (deri më tani të paktën) mund të thuhet se ka qenë qeveria që ka mundur të bashkëjetojë thuajse me drejtues incitucionesh të pavarura (nga ekzekutivi) të zgjedhur me viston e doktor Berishës. Këta janë Alfred Moisiu, Dhori Sollaku, Robert Çeku dhe disa të tjerë, për të cilët Nano pranoi të vendoseshin nga opozita e asaj kohe. Pra, edhe opozita e „kohës së kryer të thjeshtë", dhe pozita e „kohës së tashme" ka patur ndikimin e saj në rrjedhën e jetësisë së institucioneve, dhe padyshim edhe në punën dhe aktivitetin e tyre. Tashmë Sollaku është nxjerrë në një komision si dikur Rama, me një megafon në dorë. Sigurisht karriera politike e Kol Olldashit, në atë kohë zbriti në tabanin e saj, ndonëse aktualisht në saje të punës së vetë Olldashit është ngritur në tavan. Kjo po ndodh edhe me Astrit Patozin, një gazetar të nderuar, i cili është përzgjedhur nga partia për të kryqëzuar Dhori Sollakun, një person që deri para ca vitesh ka qenë bashkëpunëtor i kryeministrit Berisha. Unë mendoj se gjullurditë politike, shkaktohen artificialisht, për të tërhequr vëmendjen e njerzve nga probleme më të mprehta dhe të rëndësishme që kërkojnë zgjidhje urgjente në jetën e shqiptarëve. Gjithsesi „Komisioni Sollaku" e ka audiencën thuajse zero në këtë kohë të kampionatit botëror. Tani askujt nuk ja ndjen për politikën bajate që servir Tirana përvëluese, e aq më tepër për një betejë fallco të një mazhorance ndaj Sollakut. Shqiptarëve nuk u intereson se kush ulet atje, por kush i zgjidh ca probleme e halle më shumë. Kushdo që të ulet në atë kolltuk, edhe po të bënte ca më tepër, nuk do të ishte larg rezultateve të kryeprokurorit aktual. Sepse në radhë të parë duhet të ndryshojë mentaliteti i politikanëve shqiptarë, të cilët akuzat që bëjnë në mëngjes i harrojnë a mohojnë në darkë dhe anasjalltas. Duhet të ndryshojë papërgjegjshmëria e tyre në kulm, e cila shfaqet në deklarata idiote, plot fyerje, akuza dhe sharje rruge në adresë të njëri tjetrit, por kur vjen puna për t`i faktuar askush nuk e merr mundimin. Dhe në radhë të dytë, duhet të ndryshojë mentaliteti i shqiptarëve, të cilët ende e kanë alergji bashkëpunimin me drejtësinë. E kanë sepse nuk duan të bien në rolin e „spiunit" aq i urryer që nga sistemi i vdekur, dhe e dyta sepse ky shtet, kjo polici dhe kjo dreq drejtësi nuk u garanton jetën e dëshmitarëve, familjarëve të tyre etj. Pra edhe sikur Dhori Sollaku të ishte Supermen, as që do të mundte të zgjidhte çorbën e problemeve të shqiptarëve. Gjithsesi, punët zgjidhen me pak vullnet të mirë dhe bashkëpunim, dhe jo me egoizëm shterpë, që e karakterizon çdo parti sapo ajo fiton një palë zgjedhje. Kryeministri Berisha, duhet të tregojë se lufta që ka nisur nuk është si gjithmonë, për të patur nën kontroll gjithçka e gjithkënd që ka sadopak pjesë në drejtimin dhe mirëfunksionimin e shtetit tonë të çoroditur. Ai thekson se „do të pranojë çdo kandidaturë për prokuror që e propozon opozita"! Ok. Opozita insiston të qëndrojë Sollaku. Si do t`i vejë filli punës? Askush nuk e di, gjithsesi me më tepër interes për shqiptarët është se kush do dalë në finale, Gjermania me Brazilin, Argjentina me Hollandën, apo Italia me Spanjën? Finalja Sollaku-Patozi, nuk paraqet asnjë interes! Fare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›