Bushi mbështet disidentët në Kubë
22/05/2005 Presidenti Bush iu ka dërguar një mesazh mbështetjeje disidentëve, që po mbajnë një takim të paparë në publik në Kubë, ku opozita politike është e ndaluar. Zoti Bush iu tha atyre se batica e lirisë po shtrihej në të gjithë botën dhe shumë shpejt do të mbërrinte në brigjet e Kubës. "Ndërsa ju luftoni për lirinë e vendit tuaj, populli amerikan është me ju. Ne nuk po presim që dita e lirisë në Kubë të vijë vetvetiu. Ne po punojmë për këtë", tha zoti Bush. "Asnjë tiran nuk mund t'i bëjë ballë pafundësisht forcës së lirisë, sepse shpresa e lirisë është në çdo zemër. Sot ne kemi besim se Kuba do të jetë e lirë së shpejti", e përfundoi mesazhin e tij Presidenti Bush, duke thënë edhe disa fjalë në spanjisht. Qeveria kubaneze nuk bëri asgjë për ta ndaluar këtë mbledhje, ndonëse dëboi disa politikanë dhe gazetarë evropianë, që kishin mbërritur në Havanë për të marrë pjesë. Në këtë takim janë të pranishëm rreth 200 disidentë.