E Hënë, 2 Nëntor 2026

Turizmi, të huajt humbasin rrugën

22/05/2005  USAID kujtohet të vendosë një stendë për turistët e huaj në Rinas në prag të sezonit turistik

Për të zbuluar “sekretin e fundit” të Evropës, shumë turistë të huaj kanë ardhur në formë individuale në Shqipëri, të pashoqëuar nga agjencitë e turizmit dhe kanë mbetur në mes të katër rrugëve pa ditur se cilat janë format me të cilat lëvizet në Shqipëri dhe aq më pak “produktet“ e turizmit shqiptar. Kjo histori e verës së kaluar, ka të ngjarë të përsëritet edhe në këtë sezon turistik, ku duket se në portën më të madhe hyrëse për në Shqipëri, Rinas, nuk ekzistojnë mjete të hollësishme informuese për të prezantuar turizmin vendas. Strategjia e dobët promocionale e turizmit, duket se është vënë re nga USAID, i cili mori iniciatvën nëpërmjet Projektit EDEM, të vendosë në Rinas një stendë me hollisitë e nevojshme për turizmin vendas. Stenda në aeroportin “Nënë Tereza“ do të ketë për qëllim informimin e vizitorëve të huaj rreth shërbimeve dhe produkteve që ofrojnë agjencitë turistike dhe hotelet shqiptare. Ndërkaq në aeroport mungojnë hartat turistike dhe të dhëna mbi rrugët dhe mjetet e transportit në Shqipëri dhe në rast se nuk ke një makinë në dispozicion. Hotelet e mëdha në pikat turistike kanë filluar të reagojnë karshi këtij handikapi të turizmit shqiptar, duke mbajtur në sportelet e tyre informacione dhe guida turistike. Por ndodh që pjesa më e madhe e turistëve të huaj që vijnë në Shqipëri, nuk janë klientë të këtyre hoteleve dhe detyrohen dashje pa dashje t’u drejtohen librarive ose të shfrytëzojnë ndonjë informacion në internet, për t’u orientuar më mirë. Kështu, duket se Shqipëria është vendi i vetëm që tenton të promovojë turizmin, duke i shitur fletpalosjet e përgatitura për turizmin.

Informaliteti godet agjencitë turistike

Vetëm 35 agjenci në të gjithë vendin janë të pajisura me liçensë dhe mund t’u ofrojnë siguri klientëve të tyre. Pjesa tjetër duket se është pjesë e tregut informal, duke kërcënuar hapur agjencitë legale, të cilat paguajnë taksa për aktivitetin. Kështu grupi i agjencive turistike të organizuara në Unioni i Operatorëve Turistikë, kanë kërkuar ndërhyrjen e shtetit për t’i mbrojtur nga pirateria turistike, si edhe për bllokimin e agjencive të palicesuara. “Shumica e këtyre agjencive kanë punuar pa pasur një licensë për të trajtuar grupe turistësh brenda apo jashtë vendit, ndërkohë agjencitë që paguanin për t’u pajisur me një licensë të rregullt nuk kishin ndonjë përfitim, pasi licensa nuk u hynte në punë”, ka deklaruar kreu i Unionit.

Unioni i Operatorëve Turistikë Shqiptarë është një organizatë turistike, ku janë grupuar mëse 40 agjenci udhëtimesh turistike dhe transporti, pjesa më e madhe e të cilave janë të licensuara, ndërsa pjesa tjetër, aktualisht ndodhet në proces licensimi nga Ministria e Turizmit. “Një nga kërkesat për t’u anëtarësuar në UOTSH është licensimi dhe subjektet e interesuara duhet të disponojnë licensë ose duhet të paraqesin dokumentacionin, që vërteton se janë në proces licensimi, proces i cili fatkeqësisht zgjat mbi një muaj për shkak të burokracisë”, shpjegoi Malaj, kreu i UOTSH-së.

Porti i Durrësit futet në linjën e vijës turistike

Porti i Durrësit do të jetë një prej pikave të ndalimit të linjës turistike që qarkon gjithë bregdetin Adriatik dhe atë Jon. Një cruiser me turistë, që do të qarkojë këtë linjë gjatë sezonit turistik, e ka përshirë dhe Durrësin në një nga pikat ku turistët do të ndalojnë për t’u njohur me bukuritë e bregdetit dhe risitë turistike që ofron kjo pjesë e turizmit. Guida turistike do të filojë në Athinë, për të vazhduar në Korfuz, më pas në Venecia në Durrës dhe në Dubrovnik. Kështu është menduar, që kur trageti i tipit “cruiser” do të mbërrijë në Durrës, qëndrimi do të jetë 24 orë. Gjatë kësaj kohe, turistët do të mund të njihen me Shqipërinë, por gjatë rrugës mund të shikojnë nga afër dhe bukuritë e rivierës shqiptare. Ndalimi në Durrës bën të mundur që një guidë e shpejtë t’i njohë turistët dhe me pikat arkeologjike, që kanë filluar të zgjojnë interesin e turistëve të huaj dhe po i japin një tjetër këndvështrim turizmit shqiptar. Kjo është një mundësi e mirë për të prezantuar turizmin shqiptar përpara turistëve të huaj, një pjesë e mirë e të cilëve vijnë nga Gjermania, Austria dhe vendet nordike. Kështu, sipas informacioneve, agjencia e turizmit “Albturs”, e cila po bashkëpunon me një agjenci të huaj turistike që është dhe iniciatore e projektit, ka bërë të mundur sjelljen në Shqipëri të 400 turistëve të parë, të cilët, pasi kanë ndaluar një natë në Portin e Durrësit, kanë vizituar dhe Tiranën e Krujën.

Plazhet, mikrobiologjikisht të pastër

Jonufër, Vlorë

Radhimë

Dhërmi

Himarë

Borsh, Sarandë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›