Uzbekistan, rikthehen demonstratat
22/05/2005 Njoftimet nga Uzbekistani thonë se ka pasur një demonstratë nga rreth njëmijë vetë në qytetin kufitar Karasu, për të kërkuar lirimin e atyre që mendohet se janë udhëheqës të kryengritjes së fundit. Të dy personat - Baktior Rahimov dhe Dilmurod Mamajonov - ishin në mesin e 18 personave të arrestuar, kur forcat e sigurisë rimorën kontrollin mbi Karasun ,të enjten, 16 të tjerët janë liruar. Autoritetet uzbeke thonë se gratë dhe fëmijët që u larguan për në Kirgistan pas dhunës së javës së kaluar në qytetin e Andixhanit mund të kthehen në vend. Por zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme tha se autoritetet ende po kërkojnë të burgosurit që u liruan nga protestuesit e armatosur kur sulmuan burgun javën e kaluar, dhe si rrjedhim të gjithë meshkujt mbi 16 vjeç do të duhet të kontrollohen. Edhe pas një jave, është ende e paqartë se sa vetë gjetën vdekjen kur trupat qeveritare hapën zjarr ndaj demonstruesve në Andixhan. Qyteti i varrosi të vdekurit në qetësi. Nuk pati ceremoni dhe as ditë zyrtare zije.