E Hënë, 2 Nëntor 2026

Çfarë i shtyn njerëzit të bien në dashuri?

22/05/2005  Në fazën e parë të rënies në dashuri, nuk ka më gjë tjetër në këtë botë përveç njeriut që dashurojmë. Gjithkush do të donte të vinte në njëfarë mënyre në këtë lloj gjendje si të dehuri. Por, si shkaktohet ajo? Në mjedisin tonë shoqëror takojmë tërë kohës njerëz të tjerë, qoftë në punë, në treg apo në lokal.

Në çastin që duam të njohim dikë më nga afër, ne lëshojmë disa sinjale të veçanta. Ne dhunojmë dalëngadalë sferën private të kandidatit tonë dhe përpiqemi t'i tërheqim vëmendjen. Të dhënat fillestare i këmbejmë përgjatë një bisede të parëndësishme. Por, nëse kërshëria ndaj njëri-tjetrit rritet, atëherë shenjat bëhen gjithnjë e më të qarta. Këmbehen shikime që tregojnë kërshëri si dhe shfaqet një dukuri tepër e veçantë: që të dy lëvizin me të njëjtin takt apo janë shumë të dhënë pas njëri-tjetrit.

Në fazën tjetër të afrimit rritet dëshira për takim trupor. Njeriu nuk do të donte të linte kandidatin t'i ikte prej duarsh dhe përpiqet ta ketë edhe pranë apo ta shohë sa më shumë që mundet. Në pjesën më të madhe të çifteve, kjo fazë e parë e rënies në dashuri duket se rrjedhë në mënyrë të ngjashme. Por çfarë është ajo që shkakton këto lloj sjelljesh?

Truri dhe ndjenjat

Tashmë e dimë që të gjitha ndjenjat drejtohen nga truri, ashtu edhe rënia në dashuri. Studiuesit e trurit kanë matur përmes tomografisë kompjuterike veprimtarinë e trurit të njerëzve të rënë në dashuri. Këtyre të fundit u janë treguar fotografi si të njeriut të dëshiruar, ashtu edhe të të njohurve. Kur të testuarit panë fotografi të partnerëve të tyre, zona të caktuara të trurit treguan një veprimtari të ngritur.

Njëra prej këtyre zonave është përgjegjëse për njohjen e ndjenjave vetjake, lidhjeve shoqërore dhe përdëllimit. Zonat e tjera janë një farë qendre shpërblimi. Ndërkohë që mbahen të ndrydhura veprimtaritë në rajonet e trurit që kanë lidhje me agresionin, frikën dhe mërzinë.

Veprimtaria në tru kontrollohet përmes qelizave nervore. Në këtë mes, të dhënat mbarten përmes pejzave nervorë në formën e sinjaleve elektrike. Një nga neuropërcjellësit më të rëndësishëm në tru, hormoni dopaminë, prodhohet në sasi të mëdha kur ne kemi rënë në dashuri. Ai shkakton ndjenjën e euforisë dhe uljen e oreksit. Ndërsa një hormon tjetër, i quajtur aminë, ka lidhje të rënit në dashuri. Veprimi i tij shkakton tronditje dhe na zhyt në një gjendjen hareje. Një gjendje ngazëllimi, në të cilën cilësitë e këqija të njeriut që duam, thjesht i shpërfillim.

Qëllimi pas rënies në dashuri dhe seksit, i parë me mendje të kthjellët, është shumimi dhe si pasojë përkujdesi i përbashkët për pasardhësit. Prodhimi i hormoneve të rënies në dashuri mund të zgjasë deri në një vit e gjysmë. Më pas, natyra ka krijuar një hormon tjetër, oksitocinën, që kujdeset që marrëdhënia në çift të vazhdojë të mbajë të njëjtin ritëm dhe pas euforisë së parë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›