E Hënë, 2 Nëntor 2026

Verë 2005, sa kushton një natë në bregdet

22/05/2005  Shtëpitë pritëse ulin çmimet, duke konkurruar motelet luksoze

Ditët e nxehta kanë filluar të kujtojnë turistët se duhet të fillojnë të mendojnë për pushimet, vendin dhe buxhetin që do të kenë në dispozicion. Ministria e Turizmit ka quajtur zyrtarisht të hapur dje sezonin e turizmit 2005, ndërkohë që pikat e pushimeve kanë filluar të bëjnë pronotimet e para. Vera 2005 duket se do të jetë diçka më e lirë për pjesën më të madhe të turistëve, të cilët nuk tentojnë të bëhen frekuentues të hoteleve luksoze. Shtëpitë e pritjes, të kthyera në motele të improvizuara, janë treguar më të arsyeshëm këtë vit, duke mbajtur parasysh humbjet e vitit të kaluar, kur pjesën më të madhe të verës i patën dhomat bosh. Turizmi i vendeve fqinjë demonstroi verën e kaluar se është në gjendje të tërhqeë interesin e shqiptarëve, duke u ofruar komoditet të alternuar me çmime të arsyeshme dhe duke konkurruar denjësisht pikat turistike shqiptare. Vjet mesatarja e një dhome për natë në kategoritë e dyta e të treta shënoi nivelin e 35 eurove, duke bërë që dashje pa dashje pjesa më e madhe e turistëve vendas të preferonin paketat turistike jashtë vendit. Këtë verë në pjesën më të madh të pikave turistike, çmimet e dhomave në kategoritë e dyta e të treta nuk e kalojnë 30 euro për natë, duke ulur kështu me 25 për qind brenda një viti çmimin e akomodimit. Sipas të dhënave, pikat turistike më të shtrenjta për këtë vit janë në Sarandë, Ksamil, Dhërmi e Vlorë, ndërkohë që duke u shpërngulur më në veri, pikat turistike në Shëngjin e Velipojë kanë çmime më të arsyeshme. Një ulje të ndjeshme të çmimit në shumë pika turistike, kanë shkaktuar dhe ndotjet ambientale. Të kategorizuara si zona të ndotura nga studimi vjetor i Ministrisë së Ambientit, shumë pika turistike në zonën e Durrësit, Kavajës dhe Vlorës, kanë humbur interesin e pushuesve, të cilat edhe pse shikojnë çmime më të favorshme, nuk i frekuentojnë. Ndërkaq, bregdeti i Jugut vazhdon të sigurojë numrin më të lartë të turistëve dhe, sipas të dhënave, një pjesë e mirë e shtëpive dhe moteleve në Dhërmi e Himarë janë të pronotuara. Çmimi i dhomave në këto pika turistike varion nga 25 dollarë në 90 dollarë për natë, duke përbërë dhe diapozonin më të gjerë të çmimeve për turizmin e Jugut.

Numri i turistëve është rritur në mënyrë të qëndrueshme gjatë viteve të fundit. Një numër total prej 155.422 turistësh vizituan Shqipërinë gjatë 2003-shit dhe, kjo përbënte rreth 27 për qind më të lartë se numri i turistëve që vizituan Shqipërinë në 2002-shin. Të dhënat për 2004-ën treguan se rreth 200 mijë turistë frekuentuan pikat turistike shqiptare, duke shënuar një rritje në raport me 2003-shin. Por, duket se ky nuk ka qenë numri i pritshëm dhe “hemorragjia e turistëve” ka patur ndikimin e vet. ”Numri i turistëve që vizitojnë Shqipërinë dhe shuma totale e shpenzimeve të tyre, mbetet megjithatë shumë më e ulët se sa ajo e vendeve të tjera të Evropës Juglindore“, bën të ditur Banka Botërore. Megjithatë rritja për Shqipërinë është më e larta nga të gjitha këto vende në pesë vitet e fundit. Të ardhurat e përfituara nga turizmi përbëjnë rreth 10 për qind të GDP–së nga 2000.

Pushimet, sa para duhet të kemi me vete

Akomodimi është një nga zërat kryesorë në buxhetin e pushuesve. Rreth 60 për qind e vlerës së pushimeve për dy javë në një nga pikat turistike, shkon për të paguar qiranë e dhomës. Por si të mos mjaftonte kjo, ushqimi është një tjetër faturë e rëndë për t’u paguar. Kështu, për 10 ditë pushime, një çift me dy fëmijë duhet të shpenzojë 400 dollarë për qiranë e dhomës dhe rreth 300 dollarë vetëm për ushqimin. Të gjitha argëtimet e tjera kërkojnë një minimum prej 200 dollarësh, duke bërë që vetëm për tre komponentët kryesorë të pushimeve, një familje duhet të ketë në dispozion 900 dollarë të vjetra. Por, kjo nuk është gjithçka. Për të qenë i sigurtë për të gjitha të papriturat që mund të hasësh në dhjetë ditë pushime, është e nevojshme të kesh një kuletë plot me para dhe duket se 1 mijë dollarë janë gjithmonë të detyrueshme kur je me pushime brenda vendit. Ka qenë kjo arsyeja që një pjesë e mirë e pushuesve, të cilët kanë një nivel ekonomik mesatar, duke iu referuar çmimeve, kanë përzgjedhur të harxhojnë pak më shumë jashtë shtetit, duke mos patur problemin e mungesës së ujit apo të dritave.

Ndërkaq, duket se turizmi në bregdetin e Jugut, edhe këtë verë do të përballet me vështirësitë e transportit. Infrastrukturat, edhe pse janë përmirësuar ndjeshëm, e çojnë një pushues nga Tirana deri në Kavajë me rrugë të parametrave normalë. Më pas, për të ndjekur itinerarin deri në Vlorë dhe në pikat turistike të bregdetit të Jugut, duhet të përballesh me një infrastrukturë të shkatërruar, që duket se nuk ka shansin të përmirësohet as për këtë sezon turistik.

Sarandë

Kat I 100 dollarë

Kat II 40 dollarë

Kat III 25 dollarë

Himarë

Kat I 50 dollarë

Kat II 35 dollarë

Kat III 20 dollarë

Dhërmi

Kat I 90 dollarë

Kat II 45 dollarë

Kat III 30 dollarë

Vlorë

Kat I 70 dollarë

Kat II 40 dollarë

Kat III 25 dollarë

Durrës

Kat I 60 dollarë

Kat II 35 dollarë

Kat III 20 dollarë

Shëngjin

Kat I 40 dollarë

Kat II 30 dollarë

Kat III 15 dollarë

Velipojë

Kat I 40 dollarë

Kat II 20 dollarë

Kat III 15 dollarë

50 dollarë nata

në Sarandë

35 dollarë nata

në Himarë

45 dollarë nata

në Dhërmi

40 dollarë nata

në Vlorë

35 dollarë nata

në Durrës

25 dollarë nata

në Shëngjin

25 dollarë nata

në Velipojë

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›