E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kaos blu

01/03/2005  Kaloi një javë, iku edhe një trajner tjetër. Tashmë, është e pamundur të mbahen mend të gjithë ndërrimet e trajnerëve në Kampionatin Shqiptar. Kur nuk vijnë rezultatet, të parët që e pësojnë janë trajnerët. Kuptohet që edhe Dinamo nuk ka se si të bëjë përjashtim nga ky mentalitet i Kampionatit Shqiptar. Ndodhi ajo që pritej. “Pedro Pablo Paskuli nuk është më trajneri i parë i Dinamos. Në vend të tij, trajner i parë i Dinamos do të jetë Agim Canaj”. Kjo ishte deklarata zyrtare e drejtuesve të klubit blu për median, pas stërvitjes së djeshme. Po sipas drejtuesve të skuadrës kryeqytetase, Paskuli nuk do të largohet nga Dinamo, por do të vazhdojë të jetë pjesë e saj, por në një detyrë tjetër. Trajnerit argjentinas iu faturua barazimi në Lushnjë si një dështim dhe kjo pak a shumë pritej. Presidenti i bluve, Besnik Sulaj, kishte deklaruar qartë për “Metropol Sport”, para një jave se objektivi kryesor i skuadrës së tij ishte të fitonin të gjitha ndeshjet e ngelura, në mënyrë që të arrinin të paktën vendin e tretë dhe kështu në Kupa UEFA. Në momentin që blutë nuk arritën të fitonin në Lushnjë, kuptohet që Paskulit filloi t’i dridhej karrigia. Megjithatë, ky lajm erdhi pak si i papritur për lojtarët dhe anëtarët e tjerë të stafit teknik. Gjithçka u kuptua, kur një nga drejtuesit e klubit urdhëroi që stërvitja të fillonte nën drejtimin e Canajt. Ish-kampioni i botës nuk mundi dot që të plotësonte as dy muaj në drejtimin e skuadrës. Mbas barazimit të bluve me Egnatian, në Rrogozhinë, Paskuli, nga drejtor teknik u riemërua trajner i parë, duke pasuar Faruk Sejdinin, i cili në këtë post kishte pasuar po Paskulin. Tani pas 43 ditësh, Paskuli ikën dhe në vend të tij emërohet nd/trajneri i bluve, Agim Canaj, i cili ishte pushuar nga Shkumbini dhe në vend të tij, në Peqin shkoi Sejdini. Do thoni se u ngatërruat e s’po merrni vesh se kush vajti ku dhe kush është ky! Nuk keni faj, me këtë intensitet që ndërrohen trajnerët në kampionatin tonë, nuk po arrijmë as ne gazetarët që t’i numërojmë. Të vetmet skuadra në Superligë, që vazhdojnë akoma të drejtohen nga trajnerët, me të cilët filluan përgatitjen për këtë sezon, janë Elbasani dhe Vllaznia. Besoj se ky shembull flet fare mirë për fenomenin shqiptar të qëndrueshmërisë së trajnerëve në bankinë!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›