E Diel, 1 Nëntor 2026

Prekja hyjnore

Leximi i librit që mban titullin "Gjumashët e
Efesit" të autorit Moikom Zeqo nënkupton një
kontakt të parëndomtë, për shkak se në radhë
të parë na bie në sy tendenca e tij për të bërë
një rrokme të jashtëzakonshme me vetë zhanrin që e
krijon. Kështu, ndonëse realisht ato janë tregime eseistike,
autori merr guximin t‘i quajë "kallëzime mistike",
thjesht duke bërë një emërtim të ri të këtij zhanri
aq relativ, mbase si një synim për t‘i përmbysur trajtat
e zakonshme dhe për të ndërtuar disa trajta të tjera të
paqena, ose të panjohura deri tani në skenën krijuese.
Megjithatë, kjo nuk është një gjë formale vetëm sa për
ta quajtur kësilloj, por mbi të gjitha është një gjë thelbësore,
ngase zbulohet lidhja shpirtërore e autorit me
temat që i trajton në tregimet e tij, vërehet ndjeshmëria
e thellë dhe besimi mistik ndaj tyre. Ato pothuajse të
gjitha duken si një besëtytni krijuese, një gjakim vetëmohues,
një shtysë e çuditshme, që e detyron atë të
shtegtojë nga njëra kohë në tjetrën dhe të gjejë ngjashmëri
mahnitëse midis dukurive dhe gjërave, të cilat
dëshmojnë për ekzistencën ciklike të realitetit njerëzor.
Ky është një udhëtim mistik i Moikom Zeqos në
universin e dijes dhe të përvojës, si një vëzhgues dhe
bartës i mprehtë, por edhe si gjykues e sfidues i ecurisë
së qenies.
Kushtrimi i ringjalljes
Përcaktimi i autorit për të krijuar një zhanër kaq të
konceptuar na shpie në një çështje shumë jetike, siç
është ajo e ekzistencës së letërsisë, ose e mbijetesës së
saj. Kjo do të thotë se autori e parandien krizën e letërsisë,
rrezikun që i kanoset asaj nga perandoria e kompjuterit,
prandaj bën çmos që nëpërmjet kallëzimeve
mistike të tij të japë një kushtrim artistik. Meqë origjinalitet
absolut nuk ka më, sepse të gjitha gjërat janë
thënë njëherë e përgjithmonë gjatë historisë, atëherë
është e nevojshme që ato të përsëriten nga fillimi, por
të ndryshohet mënyra dhe stili. Vetë autori thotë se
subjektet nuk mund të shpiken, sepse ato janë ato që
janë, kanë qenë dhe do të jenë. Por qëllimi është të
ecësh mbi to sipas mënyrës tënde, me individualitetin
krijues që ke, të shmangesh nga "apokalipsi i letërsisë",
ose nga "nekrofilizmi estetik", siç shprehet vetë
autori. Kjo do të thotë se i jep vetes një detyrë të dyfishtë:
krijuese dhe morale. Me këtë kushtrim të ringjalljes
ai ecën drejt qëllimit të vet, duke e shkruar librin e jetës
si një sintezë të përvojës personale.
Shtresa palimpsestike
Të gjitha tregimet e përfshira në librin "Gjumashët
e Efesit" ndërlidhen në një rrafsh të caktuar tematik,
rrafsh ky që shtrihet në përmasa shumë të gjera të
kërkimit dhe vrojtimit të vazhdueshëm. Gjërat që i trajton
autori janë të njohura ose të panjohura, të strukuruara
nëpër faqe librash e dokumentesh, nëpër muze
e biblioteka, në arkiva e institucione të ndryshme, në
formë të palimpsesteve ekzistenciale, por që bëhen
objekt trajtimi gjatë tërë procesit krijues. Në të vërtetë
këtë përvojë kaq të ndërlikuar ai e vjel me një kujdes të
jashtëzakonshëm dhe pastaj gjithsesi e krijon dhe rikrijon
brenda optikës vetanake, për të bërë një tekst të
mundshëm që do t‘i rezistojë kohës moderne, e cila e
ka dëbuar lexuesin në masë mjaft të madhe. Duke
parakaluar nëpër dëshmi e tekste të vjetra, nëpër mite
e gojëdhëna, histori e ngjarje, zbulime e eksponate,
vende e lokalitete, kohë dhe epoka etj., mbase arrin te
një emërues i përbashkët, që quhet qenie në kuptimin
metafizik të fjalës. Në këtë mënyrë dëshiron ta bëjë të
pamundshmen, t‘i zbresë në tokë krijesat qiellore dhe
ato tokësore t‘i ngrejë në pozita qiellore, të fshijë kufirin
midis jetës dhe vdekjes, të zbulojë kumtet e harruara
nga historia e pamëshirshme, të cilat rishfaqen në
forma të reja etj. Me një fjalë, kemi të bëjmë me një
dialektikë të çuditshme dhe marramendëse, ku e reja
ngrihet mbi të vjetrën, por edhe e vjetra ngrihet mbi të
renë, miti bëhet realitet, por edhe realiteti bëhet mit,
njeriu bëhet kozmos, por edhe kozmosi bëhet njeri.
Qëllimi i tij është të bashkojë pikëpamjet dhe botëkuptimet
e thëna gjatë periudhave të ndryshme, që nga
ato fetare e filozofike e deri tek ato artistike e kulturore.
Në këtë simbiozë artistike gërshetohen elementet biblike dhe ato kuranore, bota lindore vjen e futet në atë
perëndimore, realja arrin te mistikja etj. Me një fjalë
autori zhbllokon egocentrizmin kulturor e historik dhe
krijon qarkullimin e lirë të vlerave njerëzore, të cilat
pikëtakohen në një vend të hapur.
Grishja e lexuesit
Kur të merret parasysh misioni i madh që i ka vënë
vetes Moikom Zeqo nëpërmjet librit të tij "Gjumashët
e Efesit", që ta jetësojë ëndrrën e madhe të tij për
shpëtimin e letërsisë nga kërcënimi i vdekjes së frikshme,
atëherë kjo nismë nënkupton vetvetiu edhe
komunikimin me lexuesin. Mbase parabola kineze me
njeriun e thjeshtë, i cili nuk kënaqet me dëshirën e
plotësuar për të pasur flori, që ia mundëson njeriu i
pavdekshëm, por në fund e kërkon edhe gishtin e tij
me të cilët i kishte prekur gurët, është një grishje sa
reale aq edhe metaforike e lexuesit. Prandaj, autori
drejtpërdrejt thotë: "Lexues, jepma gishtin tënd!" Kjo,
për shkak se është i vetëdijshëm se çdo gjë në këtë
drejtim mund të bëhet vetëm me ndihmën e tij, sepse
ai mund t‘i japë kuptim ringjalljes. Gishti i lexuesit është
themelor në këtë luftë vendimtare, është faktor i
funksionimit praktik. Libri "Gjumashët e Efesit" fton
shpirtin hyjnor të njeriut të ngrihet nga gërmadhat e
veta, të cilat i ka shkaktuar nga papërgjegjësia ose nga
fatkeqësia natyrore. Dhe pikërisht këtu është edhe
shpirti i lexuesit si kalorës i përhershëm i tekstit poetik,
brenda të cilit e kërkon identitetin e vet njerëzor dhe artistik.
"Gjumashët e Efesit" është ftesë e hapur për komunikim,
mundësi për t‘u njohur me aventurën e universit
kulturor, i cili gjatë tërë ekzistencës historike të njeriut
vazhdon të mbetet sfidë e paarritshme, ëndërr e
pazbërthyeshme, sprovë borgesiane. Duke qenë një
punë e pakryer, atëherë pse të mos futen edhe krijuesit
e tjerë të cilët jetojnë me iluzionin e artit? Megjithëse
duket i pafund, prapë mbetet i bukur dhe i dobishem sepse të bën ta harrosh zhdukjen dhe vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›