Patos, dolën fotografi me armë, arrestohen
PATOS- Një lojë me telefonat celularë dhe disa fotografi me armë kanë shpënë pas hukurave të qelisë dy të rinj nga qyteti i Patosit. Sokol Ajdini, 23 vjeç, dhe Andrea Kita, 22 vjeç, janë kapur në flagrancë rreth orës 02.30 në banesat e tyre me akuzën e mbajtje pa leje të armëve luftarake. Burimet e policisë pohuan se një prej inspektorëve ka pikasur dy të rinjtë që luanin me telefonët celularë duke i treguar njëri- tjetrit foto të ndryshme. Në disa prej këtyre fotove ata pozonin me automatikë kallashnikovë në duar. Agjenti i policisë u ka marrë telefonat dhe ka verifikuar datën kur janë verifikuar fotot. Ato tregonin se ishin bërë gjatë kohëve të fundit. Menjëherë policia ka kryer kontroll në banesat e të rinjve ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale dy automatikë model 56 të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu janë sekuestruar edhe katër krehra me 107 fishekë të po këtij modeli, të cilat të dy këta shtetas i mbanin pa leje të organeve kompetente.