E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nuni, prokuroria kundër policisë

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

Atentatori që goditi me armë gjyqtarin Ardian Nuni rrezikon akuzën e rëndë “vrasje e mbetur në tentativë në rrethana cilësuese”.Kjo është vepra penale për të cilën po heton Prokuroria lidhur me plagosjen me armë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, i cili pak ditë më parë u akuzua nga policia se po pengonte hetimin duke mos bashkëpunuar në rrëfimin e të dhënave për konflikte të mundshme personale. Ndërkaq Prokuroria e Përgjithshme “korrektoi” dje akuzat e bëra nga policia e Tiranës në adresë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni, i cili u sulmua me armë zjarri 12 ditë më parë pranë banesës së tij në Tiranë. Duke pohuar se ligji e ngarkon Prokurorinë dhe jo Policinë me drejtimin dhe administrimin e hetimit, organi i akuzës tha se qëndrimi i gjyqtarit 40-vjeçar ka qenë normal dhe se ai ka ndihmuar me sa ka mundur hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes. “Prokuroria nuk ka pasur asnjë pengesë në hetimin e ngjarjes nga anëtari i Gjykatës së Lartë, Ardian Nuni. Atij nuk i është kërkuar aparati celular për shkak se një verifikim i tillë është konsideruar i panevojshëm”, thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, versioni më i fortë i hetimit është ai sipas të cilit shkak i atentatit ka qenë detyra e Ardian Nunit si anëtar i Gjykatës së Lartë, konkretisht gjyqtar i çështjeve civile pranë këtij institucioni. “Vetë gjyqtari është pyetur nëse ka pasur fërkime, kërcënime apo ndonjë sinjal nga palë të prekura prej vendimeve të tij. Ai ka mohuar të ketë pasur ndonjë dyshim paraprak se ndokush mund t’i kundërshtonte vendimet e tij në këtë formë”, thanë burimet nga organi i akuzës. Sipas tyre, pavarësisht faktit se gjyqtari Nuni nuk ka marrë pjesë në shqyrtim dosjesh në Gjykatën e Lartë gjatë vitit 2009, ka dyshime se autorët e ngjarjes mund të jenë “të prekur” nga vendime të dhëna më parë nga i dëmtuari. “Ka të dhëna që tregojnë se autorët e kanë planifikuar mirë krimin, kanë gjetur vendbanimin e gjyqtarit dhe më pas kanë paramenduar në hollësi gjithë planin kriminal, që nga goditja deri te largimi i menjëhershëm”, thanë burimet nga Prokuroria. Sipas tyre mësohet se nga mekanizmi i ngjarjes është sqaruar se atentatori ka tentuar ta vrasë gjyqtarin duke qëlluar katër herë në drejtim të tij, pavarësisht se vetëm dy plumba kanë arritur në objektiv. “Atentatori ka qëlluar disa herë dhe është larguar nga vendi i ngjarjes, vetëm pasi gjyqtari kishte mbetur i rrëzuar përtokë”, sqaruan burimet e akuzës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›