E Diel, 1 Nëntor 2026

Butrinti rrezikon përjashtimin nga UNESCO

25/03/2005  Prof.Richard Hodges, drejtor shkencor dhe ekzekutiv i fondacionit "Butrinti", i bie këmbanave të alarmit, pasi moszbatimi i masterplanit për qytetin antik nga ana e autoriteteve shqiptare, rrezikon përjashtimin e Butrintit në qershor nga programi i UNESCO-s, Trashëgimi Kulturore Botërore, status i fituar në vitin 1998

Askush nuk priste që në ditën e promovimit të librit të tij shkencor "Butrinti bizantin", dje në Akademinë e Shkencave, prof.Richard Hodges, drejtor shkencor dhe ekzekutiv i fondacionit "Butrinti", përpos këtij aktiviteti, do të deklaronte para mediave se, qyteti antik rrezikon përjashtimin nga programi i UNESCO-s, Trashëgimi Kulturore Botërore, një status të fituar edhe me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e këtij fondacioni. Hodges ka deklaruar midis të tjerash për gazetën "Metropol", se rreziku është real, pasi autoritetet shqiptare, përgjegjëse për menaxhimin e masterplanit, nuk kanë bërë asgjë për zbatimin e këtij masterplani. Ai shpreh dyshimet se përjashtimi i Butrintit nga ky projekt, i pozicionuar në zonën elektorale "të Kryeministrit Nano, mund të shkaktojë probleme ndërkombëtare". Hodges ka atakuar drejtpërdrejtë edhe drejtorin e Parkut Kombëtar të Butrintit, Auron Tare, se ka neglizhuar dhe ka keqmenaxhuar këtë park.

Përse përjashtimi i Butrintit nga programi i UNESCO-s është kaq real?

Këtë fakt e bën të ditur vetë UNESCO, pasi në vjeshtën e vitit 2003, ata dërguan një komision për të parë situatën në Butrint. Pas këtij kontrolli, ata formuluan një raport prej 28 faqesh, janarin e vitit të kaluar, pra para 15 muajsh, ku thuhej se menaxhimi i shqiptarëve duhet të ndryshojë. Fondacioni "Butrinti" u përpoq të ndihmonte qeverinë shqiptare në përballimin e kësaj situate, por asgjë nuk u bë. Ka probleme madhore në lidhje me menaxhimin e Butrintit. Ka një masterplan në lidhje me këtë, por nuk ka asnjë përpjekje për ta zbatuar atë. Tryeza e rrumbullakët, e cila do të zhvillohet të hënën në Sarandë, është një përpjekje për të gjetur mënyrën për të bindur këdo se sa i rëndësishëm është ky problem, për të kuptuar zgjidhjet që duhen bërë. Në rast se nuk do të jepen zgjidhjet e nevojshme dhe autoritetet shqiptare nuk mund të gjejnë zgjidhje për të vënë në zbatim masterplanin e menaxhimit, atëherë Butrinti do të përjashtohet nga lista e Trashëgimisë Kulturore Botërore në muajin qershor dhe dyshoj se, meqenëse është edhe zona elektorale e Kryeministrit Nano, do të krijojë edhe probleme ndërkombëtare. Ne si fondacion jemi të përpjekur të ndihmojmë qeverinë shqiptare, të ndihmojmë planin menaxhues, zhvillimin e tij, por kemi zbuluar se menaxhimi dhe koordinimi në Butrint, nuk po ecën aspak përpara. Në fakt, shpenzohen lekë më kot. Ndërkohë që, ne përpiqemi të bëjmë punë të mëdha, si në rastin e këtij libri, shpenzohen lekë në gërmime, në metoda të kohës së Ali Pashë Tepelenës, në vend të kërkimeve shkencore moderne. Kjo është një tragjedi për Butrintin, një tragjedi për Shqipërinë dhe jo vetëm, pasi në rast se Butrinti do të përjashtohet nga trashëgimia kulturore e UNESCO-s, do të jetë një tragjedi për të gjithë Mesdheun.

Ky konsistojnë moszbatimet e këtij masterplani?

Ka një libër ku janë përcaktuar të gjitha pikat e këtij masterplani, një libër që e ka si Kryeministri, Presidenti, ashtu edhe një anëtar i bordit. Eshtë një masterplan që e kanë të gjithë, e njëjta gjë që kryebashkiaku Rama ka për Tiranën. Masterplani i Butrinit ka standarde të përcaktuara nga UNESCO, të cilat synojnë krijimin e standardeve moderne për Butrintin, por asgjë nuk është bërë për të zbatuar këtë projekt. Deri tani, menaxherët e Butrintit janë marrë me gjëra të vogla, që nuk i hyjnë në punë askujt, si gërmimet që përmenda pak më lart, me standarde të shek. të XIX dhe jo të epokës që jetojmë. Drejtuesit e parkut të Butrintit nuk janë aspak të autorizuar të kryejnë gërmime, pasi këtë kompetencë e ka Instituti i Arkeologjisë, institucion, i cili ka shumë arkeologë të aftë. Ajo ç'ka i nevojitet Butrintit, nëpërmjet MKRS-së, është një menaxhim modern dhe zbatimi i masterplanit.

A keni kontaktuar për këto probleme me drejtorin e Butrintit, Auron Tare?

Sigurisht. Shumë herë, por për fat të keq reagimet e tij do t'i konsideroja anitpatike. Marrëdhëniet tona nuk mund të konsiderohen të suksesshme.

Po me autoritetet e tjera shqiptare, përfshi edhe MKRS-në, a keni kontaktuar për këto probleme?

Sigurisht. Ne i kemi ngritur këto shqetësime në takimin e bordit, në marsin e vitit të kaluar. Të njëjtat problematika i trajtuam edhe me ministrin Klosi, në qershor po të 2004-ës, si edhe në takimin e bordit, këtë muaj. Në mënyrë konstante e kemi ngritur këtë shqetësim dhe, madje, unë personalisht u kam lexuar raportin e UNESCO-s, fjalë për fjalë.

Ju folët për rrezikun që i kanoset Butrintit, me përjashtimin e tij nga Trashëgimia Kulturore Botërore dhe se këtu e 15 muaj nuk ka asnjë reagim nga autoritetet shqiptare. Shpresoni se në këta dy muaj e pak që kanë ngelur, Butrinti do të "shpëtojë"?

Unë shpresoj se gjendja mund të ndryshojë. Nëse unë do të isha kryeministri i vendit dhe zona elektorale është në Sarandë, ku ndodhet edhe Butrinti, dhe kur ka vetëm një zonë të mbrojtur nga UNESCO, në të gjithë vendin, personalisht do të kisha bërë gjithçka të ndihmoja Sarandën, të mbaja Butrintin në fondin e Trashëgimisë Kulturore Botërore. Unë jam një arkeolog dhe bashkëpunimi me arkeologët shqiptarë, që i përkasin shek. të XXI, është i shkëlqyer. Por në kriza të tilla, ku përfshihet edhe UNESCO, përse menaxheri i Butrintit sillet si të ishte bimbash i shek. të 19-të dhe gërmon, në vend që të zbatonte masterplanin e përcaktuar, pasi gërmimet në vetvete janë një shkelje flagrante e masterplanit. Pra, flasim për një rrezik shumë të madh, që për fat të keq nuk varet nga unë, por nga autoritetet shqiptare dhe nga ato të UNESCO-s. Ne jemi përpjekur të ndihmojmë, por... Puna jonë nuk është t'u mësojmë se si ta drejtoni vendin tuaj, por të përpiqemi të ndihmojmë vendin tuaj.

Myzafer Korkuti: Përjashtimi i Butrintit, rrezik imediat

Nga ana e tij, drejtori i Institutit të Arkeologjisë, Myzafer Korkuti, ndan të njëjtin shqetësim serioz me prof.Richard Hodges. Ai tha për "Metropol" se, "është i vërtetë një fakt i tillë. Në këtë moment, Butrinti rrezikon të përjashtohet nga Trashëgimia Botërore, pasi detyrat e lëna nga UNESCO, rreth tre vite më parë, nuk janë realizuar në parametrat e duhur. Ka monumente kryesore, në të cilat nuk mund të ndërhyhet pa një konsultë të mirëfilltë shkencore, jo vetëm aktualisht, por as në perspektivë dhe për këtë përgjegjësia bie mbi zyrën e menaxhimit të Parkut të Butrintit, kryesisht drejtorit Tare, i cili jo vetëm nuk është kompetent për atë post, por as konsultohet me specialsitët e fushave respektive. Dihet që mendimi kolegjial i këshillit shkencor, si i Institutit të Monumenteve të Kulturës, ashtu edhe të Arkeologjisë, është mendimi që zgjidh problemet. Çështje si Butrinti, nuk mund të zgjidhen në nivele administrative të ministrisë apo në rangje të tjera, kjo vetëm në Shqipëri mund të ndodhë. Le të përmend vetëm një fakt flagrant: një qytet antik i parametrave të Butrintit, nuk ka ende muze..., pa folur për objektet që duhet të restaurohen, rrugët, menaxhimin etj.".

Disa nga detyrat e përcaktuara nga UNESCO

Bazuar në rekomandimet specifike të dhëna në seksionin 1 dhe 2, rekomandohet me forcë:

1.Të vazhdohet në mënyrë sistematike konservimi i punëve dhe aspekti arkitektural më pak impresiv në sitet arkeologjike, muret dhe ndërtesat

2.Të shihet me shumë kujdes interpretimi i sitit, i cili është neglizhuar në mënyrë të konsiderueshme, në këndvështrimin e vlerave të tij universale

3.Të merren masa të menjëhershme për mbrojtjen efektive dhe sitit kulturor të peizazhit, përfishirë edhe zhvillimin e studimeve hidrologjike dhe mbështetjes së metodave bujqësore

4.Të krijohet zona midis Parkut Kombëtar dhe kufijve të RAMSAR, si një zonë zbutëse e sitit të Trashëgimisë Botërore, përfishirë edhe fshatrat në kufi me Parkun Kombëtar

5.Të krijohet një politikë për zhvillimin urban të këtyre fshatrave

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›