E Diel, 1 Nëntor 2026

Tare: Besoni te ne

25/03/2005  Ekskluziv

Sulmuesi i kombëtares sonë kërkon më shumë besim te skuadra për ndeshjen me Turqinë

Pasi është rikuperuar nga një gjendje gripale, Igli Tare është bashkuar me grupin kryesor të skuadrë, dhe në Antalia tashmë grupi përforcohet, edhe pse dihet që ka mungesa serioze. Por duke qënë pika e "referimit" të skuadrës sonë kombëtarte në sulm, Tare dje, për gazetën "Metropol Sport" me telefon nga Antalia, deklaroi se besimi duhet të jetë te e gjithë skuadra, ku nuk përjashtoi një rezultat pozitiv. " Unë besoj shumë te skuadra, dhe ju duhet të besoni shumë te ne. Nuk ka asgjë që të na kalojë synimin tonë në një kah tjetër, veç atij të një rezultati pozitiv" - deklaroi midis të tjerave në intervistën e tij ekskluzive sulmuesi i kombëtares sonë, Igli Tare.

Igli, si ndjehesh fizikisht në prag të sfidës me Turqinë?

Kam patur një gjendje gripale shumë të fortë, e cila më largoi nga disa seanca stërvitore me skuadrën. Tani jam mirë dhe sot (dje) jam bashkuar me grupin kryesor në stërvitje.

Ku është përqëndruar stërvitja e Brigelit në këto ditë turke?

Është e natyrshme që në këto pak ditë që kemi në dispozicion së bashku, nuk mund të pretendohet shumë, sidomos për anën fizike të futbollistëve. Nga trajnerët është punuar për anën taktike, e kështu mendoj se do të jemi më të plotë në fushën e lojës, duke patur parasysh që formacioni do të ketë ndryshime nga mungesat e disa lojtarëve titullarë.

Ka deklaruar Brigeli ndonjë formacion fillestar, të paktën për ndeshjen me Turqinë?

Mendoj se formacioni është i rrëgulluar, përsa i përket futbollistëve të tjerë, ndërkohë që për portën ende nuk di se çfarë është vendosur.

Gjithsesi, si mendoni për përfundimin e kësaj ndeshjeje?

Unë besoj shumë te skuadra, dhe ju duhet të besoni shumë te ne. Nuk ka asgjë që të na kalojë synimin tonë në një kah tjetër, veç atij të një rezultati pozitiv. Në fushë nuk mendohet kurrë se mund të hysh i mundur, kjo psikologji nuk është e pranishme në skuadrën tonë, e këtë e kemi treguar në shumë ndeshje vendimtare.

Nisur nga historia me Turqinë ne jemi më pozitivë, por nisur nga gjendja aktuale skuadra turke, duket se ajo është më lart?

Nuk besoj se është kështu. Në fushën e lojës ndryshojnë shumë gjëra, aq sa edhe historia nuk ka më vlerë gjatë 90 minutave. Aty do të duket se cila nga skuadrat është më lart, dhe cila është më e dobët. Vetëm në fushë vërtetohet ky fakt.

Në çfarë atmosfere përshkohet ndeshja jonë me Turqinë nga mediat e shtypi sportiv turk?

Atmosfera gjithmonë kalon në krahun e tyre, por frikën e kanë. Si trajneri, por edhe futbollistët në intervistat që kanë dhënë duken se janë në emocionet e një surprize nga ne.

Ndërkohë për sfidën e dytë me Greqinë, do të keni një ambient të zbrazët në stadium, si e komentoni këtë problem?

Nuk më bën shumë përshtypje ky fakt, sepse jam plotësisht i bindur se në stadium do të ketë shumë tifozë shqiptarë. Loja e biletave nga grekët mendoj se ka qënë më shumë për të minimizuar tifozët tanë në atë ndeshje.

SKEDA

Emri: Igli TARE

Pozicioni: Sulmues

Gjatësia: 191 cm

Pesha: 87 kg

Datëlindja: 25 Korrik 1973

Kombësia: Shqiptar

Vendlindja: Vlorë

SKUADRA

Bologna FC • Italy

NUMRI NË FANELLË :9

KONTRATA: 2005

Tare rikthehet në stërvitje

Vetëm një ditë më parë ishte lajmëruar se futbollisti i Kombëtares shqiptare, Igli Tare ishte influencuar nga një gjendje gripale, e shoqëruar nga një temperaturë e lartë (39 gradë). Por, lajmet që kanë ardhur dje, nga Antalia, ku dhe që prej të dielës po zhvillon fazën përgatitore, në prag të sfidës së nesërme kundër Turqisë, përfaqësuesja jonë duket se ka gëzuar trajnerin e kuqezinjve, Hans Peter Briegel. Sikurse është bërë e ditur mbrëmjen e djeshme, është shumë e mundur që sulmuesi shtatlartë dhe shumë i preferuar nga tekniku gjerman, mund të vihet në dispozicion të skuadrës, pasi ai tashmë ka rifilluar stërvitjen me ekipin. Zgjedhja jo e mirë e tij sipas stafit mjekësor, duket se ka kaluar. Ai ka zbritur në të dyja seancat e djeshme stërvitore të kuqezinjve. Ndërkohë që shpresa për aktivizim të mundshëm ekzistojnë edhe për sulmuesin tjetër, Altin Rraklli, forma e të cilit po shkon drejt përmirësimit dhe shpresohet që sot të fillojë stërvitjen në lojën me top. Sot, delegacioni shqiptar pritet të udhëtojë për në Stamboll, ku dhe do të akomodohet në “Sëiss Hotel”. Pasdite është parashikuar një seancë stërvitore, që do të jetë dhe e fundit në prag të ndeshjes me Turqinë, të shtunën në mbrëmje, në stadiumin “Inonu”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›