E Diel, 1 Nëntor 2026

Ruleta Ballkanike, rebus lirie

25/03/2005  Teatri “Bylis”

Është përjetuar me një emocion të veçantë në sallën e teatrit “Bylis” në praninë e qindra artdashësve fierakë, tragji-komedia “Ruleta ballkanike”, dramë kjo e shkruar nga autori kosovar, Aqif Mulliqi. Drama, e cila u nis natën e mbrëmshme, solli edhe njëherë në memorie përpjekjet e përjetshme të njeriut për të qenë i lirë, gjithnjë në luftë me egërsinë e cinizmin, që shpaloset në krerët e militarëve serbë. Regjisori shumëplanësh Gëzim Kame, ka mundur që këtë herë të sjellë nëpërmjet aktorëve të teatrit “Bylis” si Klajdi Marku, i cili luajti rolin kryesor, aktorëve të tjerë pasionantë të kësaj trupe profesioniste Todi Llupi, Muhamet Sherri, Dhimitër Jano, Hajrie Rondo, Zana Prifti, Fatmir Xhelili, Dervish Biba, Shpëtim Shehu, Ismet Azemi, Miola Sitaj, Adrian Kokona, një tragji-komedi ballkanase me ngjarje nga lufta në Kosovë. E mbushur me mesazhe të

fuqishme tragjike, por që herë-herë mpleksej edhe batuta komike, në qendër të saj janë 2 familje kosovare dhe serbe, të cilat kanë lidhur krushqi me njëra-tjetrën, por që në realitet ndezin konflikte bashkëjetese. Një realitet që mbizotëron sot në të gjithë Ballkanin. Ky është këndvështrimi i një realiteti absurd, që për fat të keq jeton në trevat e Kosovës, pse jo edhe në shumë vende të Ballkanit, ku akoma lulëzon në gjithfarë mënyrash si farë hidhërash, urrejtja ndërnacionale, ksenofobia etj. Vepra përcjell mesazhe të fuqishme për bashkëjetesë, tolerancë dhe vëllazërim mes popujve, pavarësisht besimit, bindjeve ngjyrës dhe gjakut.

”Unë urrehem te shqiptarët”, thotë personazhi kryesor, se kam gjak serbi, ndërkohë që përbuzem nga serbët, se kam gjak shqiptari. Në këtë mënyrë, unë jam një qenie bastarde e padëshirueshme nga të gjithë dhe e destinuar të mos jetoj”. Sipas dhe vetë autorit, tepër i kënaqur nga loja e aktorëve të Fierit, Aqif Mulliqi, për herë të parë këtë dramë e ka sjellë në Fier, ndërsa do të realizojë së shpejti në skenë një tjetër vepër me trupën e Teatrit Popullor. “Unë jam i emocionuar, patjetër, por ndjehem edhe shumë i nderuar, sepse jam përpjekur sinqerisht përmes prizmit të një drame që ka brenda saj burgun e të

burgosurve politikë dhe dramën e dhimbshme kosovare me tragjizmin e saj, të trajtoj një problem universal dhe mendoj se ia kam dalë, nëse vazhdoj ta kem bindjen

se publiku ka komunikuar me shfaqjen e Gëzim Kames dhe ia kemi dalë të përçojmë një mesazh, i cili është se njerëzit duhet të lihen të jetojnë të lirë, pavarësisht tragjizmit të luftës dhe urrejtjes etnike mes kosovarëve dhe serbëve. Mendoj se, nëse vërtet ky emocion i imi dhe kjo bindja ime nuk më ka gënjyer, them se ia kemi dalë mbanë para publikut”, është shprehur një nga aktorët. Pyetur për brendinë e veprës dhe realizimin, regjisori Kame shprehet se, objektivi i tij është realizuar plotësisht. ”Ka qenë një shfaqje e suksesshme, theksoi ai, dhe trupa e teatrit të Fierit është një trupë kompakte dhe mjaft profesioniste, me të cilët ke dëshirë të punosh, ata janë një ekip kompakt, duke vënë në dukje skenografinë e Gëzim Hajdinit, muzikën e Robert Hoxhës, mjeshtërinë e ndriçimit, Engjëll Boriçit dhe Thanas Tites, me rekuizitë të Hateme Ruzhdijes dhe kostumet e Edmond Dashit etj.”. Gëzim Kame përçon këto mbresa pune në suksesin që i dha kjo dramë në skenë e “Bylisit”.

A mendoni se drama e sotme pati sukses tek artdashësit?

Mendoj se ka qenë një sukses dhe kjo u përcoll edhe te publiku, i cili u duk se mbajti frymën pezull gjatë gjithë shfaqjes, ose me duartrokitjet e tij të furishme në skenat më pikante.

Kë do të veçonit në lojën aktoriale?

Është e vështirë. E kam thënë disa herë mendimin tim, trupa e Fierit është një trupë kompakte dhe tepër profesioniste. Ata luajnë në grup dhe gjithnjë janë mësuar të korrin sukses. Megjithatë, unë mendoj se loja e Klajdi Markut ka qenë e shkëlqyer dhe ka përcjellë tek të gjithë tragjizmin e këtij njeriu. Shpirti i tij i dlirë dhe tejet i pastër është parë me dyshim si te kosovarët, ashtu edhe te serbët. Ai ka gjak shqiptari dhe serbi e këtu është edhe tragjikja. Vdekja e tij është një dramë për gjithë të kryqëzuarit nga këto 2 popuj.

Cilat janë objektivat tuaja?

Objektivi im i viteve të fundit është që të konvergojë të dy teatrot e Kosovës dhe të Shqipërisë sa më afër njëra-tjetrës, duke shkëmbyer dramaturgjinë, duke shkëmbyer aktorë nën shembullin e futbollit, që e bëri i pari Brigeli, që ndërtoi Kombëtaren shqiptare nga të dy pjesët e Shqipërisë, edhe ne në teatër të synojmë drejt kësaj, në mënyrë që aktorët tanë dhe spektatorët e dyanshëm të bashkohen nëpërmjet teatrit. Di t’ju them se të gjithë punuan për këtë gjë.

Skenografia ka qenë e plotë për t’i shërbyer idesë së veprës?

Po, mund t’ju them se është bërë një punë e shkëlqyer nga gjithë prapavija, por, përderisa më pyetët për skenën, skenografi i trupës së teatrit “Bylis”, Gëzim Hajdini, ka punuar me pasion dhe përkushtim. Skena ka qenë e ndriçuar dhe e errët në varësi të lojës aktoriale. Në pjesën më të madhe të saj jepej ideja e luftës, me rrjetin me gjëmba dhe rrethimin e burgut, istikamet etj. Ka qenë gjithçka në varësi të plotë të mesazhit, që njeriu duhet të bëjë përpjekje të jetojë i lirë.

Pra, ky është edhe mesazhi?

Vepra përcjell mesazhe të fuqishme për bashkëjetesë, tolerancë dhe vëllazërim mes popujve, pavarësisht bindjeve, besimit, ngjyrës dhe gjakut.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›