E Diel, 1 Nëntor 2026

Ledina me xhyben e Malësisë së Madhe në Eurovizion

25/03/2005  Videoklipi

Në një dhomë tradicionale shqiptare, e veshur nuse, Ledina Çelo kryen të gjitha ritet e dasmës. Lahet, pastrohet e rregullohet, tamam për nusërim... kur para tri ditësh mori rrugën për në Ukrainë. Videoklipi i këngës “Nesër shkoj”, kompozuar nga Adrian Hila, me tekst të Pandi Laços, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Festivalin Evropian, 19-22 maj, ka përfunduar xhirimet në Maqedoni. E përkthyer nga një shqiptare-amerikane, Sidorela Risto, kënga është riincizuar në gjuhën angleze, në një studio profesioniste në Itali. Ledina e kishte menduar klipin një dasmë më të madhe, me atmosferë njerëzish, por idetë janë zëvendësuar shpejt për shkak të kohës dhe pamundësive financiare. Ndërkaq në internet kanë nisur forumet për preferencat e këngëtarëve. Në Greqi sapo ka përfunduar një sondazh, ku telefonatat kanë shkuar për një këngëtare ruse, franceze dhe po në këto pikë është shfaqur pas tyre dhe kënga shqiptare. Për Ledinën të gjitha këto janë shenja ndjellamirë, ndërsa ka nisur ta zënë emocionet, kur i duhet të niset qysh në ditët e para të majit, dhjetë para festivalit, drejt Kievit.

“Nesër shkoj”, kënga e shndërruar tanimë në videoklip, është nisur për në Ukrainë, ku është realizuar?

Videoklipi mbaroi përfundimisht, së bashku me streset e transformimit të këngës nga shqip në anglisht, po ashtu u bë dhe një shkurtim i këngës, nga katër minuta shkoi në tri minuta. U vendos në këtë minutazh, sepse aq ishte caku për të gjitha këngët që do të marrin pjesë në Eurovizion.

Videoklipi u realizua në Itali në një studio shumë profesionale, që u riincizua në anglisht.

A ka pësuar ndryshime të dukshme kënga nga versioni që u paraqit në festival?

Mund të them jo, logjika është po e njëjtë. Nuk ka ndonjë ndryshim. Ndryshimi i vetëm është përkthimi në anglisht. Është bërë një kombinim shumë i saktë në lidhje më gjuhën, aksentin në frazë, që në momentin e parë që mora tekstin ishte shumë i përshtatshëm.

Po si mjedis, ku janë bërë filmimet e videoklipit?

Filmimet janë bërë në Maqedoni, në mjedise të mbyllura. U mendua në këtë formë, duke iu “nënshtruar” mundësive kohore, sepse videoklipi duhej të çohej në Kiev në një afat të caktuar. Brenda një dite kemi bërë filmimet. Por, kjo nuk cënoi asgjë nga profesionalizmi i këtij produksioni, i cili ka qenë perfekt në gjithçka. Fillimisht ishte menduar që të bëhej këtu në Shqipëri. Idetë ishin shumë të mëdha, si gjithmonë, kur kërkon që gjërat duhet të dalin pozitivisht. Por për shkak të mundësive, shkurtimin e kohës, u detyruam të shkonim në Maqedoni.

Pse u zgjodh produksioni maqedonas?

Për afat kohor dhe aq u ofruan financiarisht. Nuk kishim më shumë mundësi mbi investimin e këtij videoklipi, që u mundësua nga TVSH-ja.

Klipi është realizuar në një mjedis të mbyllur, ndërsa kënga ka atmosferë dasme dhe imagjinata është ndryshe, pse kjo zgjedhje?

Siç e thashë dhe më lart, për këtë klip u hodhën shumë idera, ku një ndër to ka qenë krijimi i një atmosfere dasme. Me autorin e tekstit, Pandi Laço, këtë gjë menduam, kjo gjatë kohës së punës, para se të nisej realizimi. I gjithë libreti që u shkrua ishte diçka me masivitet, me një atmosferë të madhe njerëzish, dasmash, siç bëhen tradicionalisht dasmat në Shqipëri. Por, kjo ide u anulua për shkak të kohës së shkurtër që kishim në dispozicion dhe nuk kishim pagesë të mjaftueshme për t’ju afruar një imazhi të tillë, aq të madhe. Si gjithmonë, për këngën asnjëherë nuk investojnë në Shqipëri.

Paska “humbur” dasma vetëm për para, ku keni trokitur për financim dhe nuk iu kanë “ndihmuar”?

Kompozitori im, Adi Hila, ka bërë një kërkesë pranë Ministrisë së Kulturës për të shtuar diçka në këtë produksion dhe ministri i Kulturës as që ka denjuar t’i përgjigjet. Jam e detyruar ta them këtë, pasi vërtet kishim nevojë për mbështetje. Në këtë rast, arti, kultura, nuk mund të veçohet nga investimi i atij lloji, ashtu siç investojnë për ndeshjet e futbollit, për të inkurajuar. Në këtë prezantim po çojmë kulturën, muzikën që përfaqëson një shtet. Mezi e kemi pritur këtë kohë, që ne të dalim në një skenë ndërkombëtare si vlerë, sepse asnjëherë nuk na janë dhënë mundësitë. Artisti gjithmonë duhej të ikte përmes vështirësirave jashtë vendit dhe prap individualisht, pa asnjë lloj përkrahje. Tani kjo mundësi po më jepet dhe është një fat shumë i madh që po përfaqësoj Shqipërinë.

Ndaj në këtë sens, them që padiskutim nga të gjitha anët ka pasur nevojë për mbështetje dhe jo indiferencë, siç tregoi ministri i Kulturës.

Si erdhi ideja e këtij klipi në lidhje, pra brenda mundësive financiare, me fabulën poetike, veshjen... “dhëndrin”, lirizmin që ka dasma shqiptare?

Kur më thanë në fillim që klipin do ta realizonim në një mjedis të mbyllur, nuk isha entuziaste, fare, sepse e mendoja ndryshe. Por, kur shkova në Maqedoni dhe pashë më pas punën se si do të përpunohej figura në grafikë dhe produksion, sikur m’u prish mendja. Megjithatë doli një punë shumë e bukur, vërtet që më pëlqeu, sepse aty nuk ishte thjesht një mjedis. Ishin dy-tri dhoma mbi të cilën ndërtohej klipi. Aty jepet ideja e nuses një natë para martesës. Vajza përgatitet, pastrohet, ashtu siç e do zakoni, ritet... flet me nënën, me veten e saj dhe mendon për jetën e re që e pret. Kjo është logjika. Gjithashtu me mua ishin dhe balerinët, të përgatitur nga koreografia e Arjan Sukniqit, që i dhanë bukuri videoklipit. Ishte “dhëndri”, një djalosh shumë simpatik, Fatjon Pustina, i cili është model në Itali, që erdhi posaçërisht për këtë klip. Veshjet, që janë diçka e rëndësishme, ishin punuar mjaft mirë me fantazi nga stilistja Enada At Nikolli, duke e bërë këtë nga dëshira e saj.

Muzika shoqërohet jo vetëm nën vellon e bardhë të nusërisë, por bie shumë në sy veshja popullore...

Ka momente në klip që dal dhe me veshje popullore, kjo është pjesë e traditës së hershme, të përcjelljes së nuseve shqiptare. Për këtë mendova të zgjedh veshjen popullore të Malësisë së Madhe. Në fillim, kur e mora për ta veshur m’u duk pak si e çuditshme, pasi nuk e kisha provuar më parë, por shpejt u rehatova me të dhe mendoj se më rrinte bukur.

E kujt ishte ideja e veshjes me xhyben e Malësisë së Madhe?

Ideja ishte e kompozitorit Adi Hila, ai këmbënguli, duke thënë se duhej patjetër të tregonim një vlerë. Mendova pastaj, se mua do të më shkonte dhe do të më rrinte më mirë. Ndaj zgjodhëm atë.

Në këto vite, skenat e botës po preken pak nga pak dhe është thënë se, kjo i ngjan shansit të fillestarit, apo numri kur ju do të këndoni, teta, numër shansi...etj. Ju jeni e prirur te këto teka të shansit dhe ku besoni?

Nuk ka lidhje fare në besoj, për mua e rëndësishme është që kënga të krijojë atmosferë dhe të pëlqehet. Sa i takon numrit të shansit, nuk jam natyrë superticioze dhe nuk e mendoj. Edhe si numër, teta, nuk më thotë gjë, ku do të jenë 24 këngë konkurruese dhe kjo prapë nuk është ndonjë numër shansi. Pavarësisht se mua do të më pëlqente të këndoja nga fundi.

Ke dijeni për këngët që do të paraqiten këtë vit?

Më shumë më kanë thënë, por e kam ndjekur pak dhe nëpërmjet internetit. Tani, shumë shpejt, është pak si thashethem, më kanë thënë se në Greqi është bërë një sondazh për këngët e festivalit. Nëpërmjet telefonatave të mbledhura kanë marrë preferencat dhe fjalët e para rreth këngëve. Sipas telefonatave ka dalë një këngëtare ruse, që flitet se do të ketë një këngë shumë të bukur, pastaj është vlerësuar dhe një këngë franceze dhe pas këtyre thuhet se është pëlqyer dhe kënga shqiptare. Ky fakt më gëzoi, sepse tani, unë kam nevojë për këto vlerësime paraprake.

Deri ku pretendon Ledina në këtë festival?

Pretendoj deri aty sa të sjellë atmosferë dhe publiku ta pëlqejë këngën në atë moment. Sa për pretendimet, po e përjetoj si çdo artist që do të kishte dëshirë të shkonte në Festivalin Evropian.

Do të jetë “live”?

Kjo nuk diskutohet, për mua është bukur, sepse jep emocion, ashtu siç do të jetë në natën e parë dhe finale. Por për shkak të kushteve, sepse aty duhet të jenë gjashtë veta në skenë, unë nuk mund të fus korin, gjë që është shumë e rëndësishme, pasi prej tyre riskohen balerinat. Por mendoj që është shumë më funksionale baleti, që i jep vlera dhe bukuri këngës.

Thua që puliku i huaj nuk të “emocionon”, ndërsa publiku shqiptar të ngacmon më shumë në këto emocione, madje, negativisht, pse ky reagim?

Është një gjë që ia kam bërë edhe pyetje vetes, pse më ndodh kjo? Por është moment. Kur dal në skenë është gjithmonë ai emocioni që më ndërhyn negativisht në mënyrën e interpretimit të këngës. Dhe kjo ndodh kur kam përballë publikun shqiptar. Kurse bota jashtë është diçka tjetër, sepse aty e di që nuk e njohin Ledinën, është një këngëtare e huaj. Ndaj them që në Festivalin Evropian do mund të jem e çliruar nga këto lloj “emocionesh”. Kur nuk ngacmohem nga emocionet, e këndoj këngën si për veten time.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›