“Kemi paguar nënkontraktorët, rrogat e punëtorëve janë përgjegjësi e tyre”
tirane-Firma Italiane që po merret me ndërtimin e hidrocentralit të Kalivaçit ka reaguar lidhur me pretendimin e punonjësve se nuk janë paguar për punën e bërë që nga marsi i këtij viti për shkak se investitorët nuk kanë bërë pagesat. Sipas avokatit të shoqërisë italiane Andi Memi nga ana e investitorëve italianë janë bërë pagesat e rregullta kundrejt nënkontraktorëve të cilët një pjesë e mirë janë lokalë. “Deri më tani është bërë një investim prej 70 milion eurosh dhe nga këto 46 milion euro janë marrë nga nënkontraktorët lokalë” thekson Memi. Sipas tij lidhja e kompanisë Kalivac Green Energy me punëtorët është indirekte sepse këta të fundit paguhen nga firmat e tyre. “Shoqëria jonë ka qenë gjithmonë shumë korrekte me nënkontraktorët dhe dua të sqaroj që ne nuk kemi punëtorë tanët sepse punojmë me firma nënkontraktorë të cilat i kemi paguar në kohë të gjitha, përkundrazi me kompani lokale të ndryshme që kanë qenë në vështirësi financiare kemi dhënë dhe paradhënie nga fatura në mënyrë që të ishin korrekt me punonjësit” shprehet Memi. Sipas avokatit çështja e vonesave të pagesave nuk ka pse i faturohet shoqërisë italiane në momentin që kjo e fundit i ka shlyer detyrimet e saj karshi firmave. ”U fol para pak ditësh që punonjësit që po ndërtojnë hidrocentralin e Kalivaçit kanë protestuar për shkakun se kanë 9 muaj pa paguar dhe se faji është i shoqërisë italiane, gjë që në fakt nuk është aspak e vërtetë sepse punonjësit nuk janë tanët” thekson Andi Memi. Sipas përfaqësuesit ligjor të shoqërisë koncesionare fakti që pala italiane është përmendur sikur nuk ka shlyer detyrimet mund të jetë dhe tendencioze për të larguar përgjegjësitë nga vetja. “Nënkontraktorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm në momentin që na delegojnë përgjegjësi që nuk janë tonat sepse si një shoqëri që po investon në vlera prej rreth 250 milion euro ne mund të kemi një dëmtim të imazhit pa arsye” bën të ditur avokati. Reagimi i Kalivac Green Energy pjesë e Becchetti Energy Group vjen pas akuzave që ju janë bërë nga punëtorët që punojnë në Kalivaç se nuk po marrin rrogat për shkak të vonesave nga ana e investitorëve.