Edi Rama:Përshkallzim të protestave,Pone: Duhet shkarkuar
Aristir Lumezi
Të zgjedhurit vendorë socialistë protestuan dje para kryeministrisë për decentralizimin. Krerët e bashkive dhe komunave socialiste bashkë me punonjësit e tyre, ashtu siç kishin paralajmëruar u mblodhën dje në mesdite përpara Kryeministrisë, në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Bllokimi nga ana e policisë së disa punonjësve të bashkisë së Tiranës, që kishin sjellë me vete thasë të zinj plastmasi të mbushur me plehra, bëri që protesta të nisë me rreth 45 minuta vonesë. Protestuesit mbanin në dorë qese me mbeturina të cilat do të vendoseshin para kryeministrisë, në shenjë simboli se bashkitë nuk kanë fonde as për pastrimin e qytetit, por ata nuk janë lejuar nga policia që ti kishin me vete ato para godinës së qeverisë në tubim. Pasi kanë folur shumica e bashkiakëve socialistë, që shprehën vështirësitë që do ti krijojë miratimi i ligjit të ri të qeverisë që pakëson kompetencat dhe të ardhurat e pushtetit vendor, kryebashkiaku i Tiranës në fjalën e tij tha se protestat do përshkallëzohen deri në arritjen e qëllimit të tyre. Rama akuzoi kryeministrin Berisha se po keqpërdor policinë për të mbajtur pushtetin. Ai paralajmëroi se protestat do të përshkallëzohen, se mbështetësit e saj do të jenë gjithnjë e më të shumtë pasi një epokë e re po nis. Ai i bëri thirrje policisë së shtetit që të mos zbatojë asnjë urdhër të paligjshëm, “Mos zbatoni asnjë urdhër të paligjshëm, mos u bëni vegla të një pushteti që ka marrë fund dhe që do i marrë të gjithë me vete. Jeni roje e ligjit dhe popullit, nuk jeni lecka për topat e pushtetit”, u shpreh Rama. Duke iu referuar shoqërimit në komisariat, dje, të 18 punonjësve të pastrimit, Rama tha se veprimi ishte bërë nga policia pa asnjë mandat duke shkelur liritë dhe të drejtat e njeriut. Kreu i bashkisë së Tiranës tha se ndalimi i tyre ishte i paligjshëm. “Ata po rrëmihnin mbeturina në thasë plastikë, për dekorin e këtij mitingu, një dekor simbolik, i cili ishte një ide e propozuar nga vetë punëtorët, nga vetë ata njerëz që sot kërcënohen me bukën e tyre të gojës, me vendin e tyre të punës, ashtu siç kërcënohet edhe shërbimi i pastrimit në Tiranë, Fier, Vlorë, Pukë, Korçë, Gjirokastër, Pogradec, Durrës e kudo ku drejtojnë kryebashkiakët e opozitës”,tha Rama. Në fjalën e tij kryebashkiaku i Tiranës iu përgjigj dhe akuzave të kryeministrit Berisha në lidhje me mafien e ndërtimit. “Opozita dhe bashkia është shpallur nga kryeministri si kupola e mafies, ndërsa bashkia si foleja e kupolës mafioze”- tha Rama duke shtuar se është vetë familja- pushtet ajo që po shkatërron shtetin nga shkelja e ligjeve dhe hedhjes në plehra të ligjit. Në emër të gjithë kryetarëve të bashkive e komunave socialiste në vend Rama përsëriti kërkesat e vendorëve ndaj qeverisë. Sipas tij, protesta e punonjësve të bashkive bëhet dhe për vendin e tyre të punës i cili rrezikohet nga ligji i ri i qeverisë. “Ta harrojnë se ne do largojmë njeri nga puna dhe do të braktisim qoftë dhe një njeri të vetëm në fatin e tij, duke u dorëzuar para kësaj aleance të papërgjegjshmërisë e injorancës, që nuk na dikton dot asgjë. Nëpunësit dhe punonjësit e bashkive tona mbrohen nga detyrimi ynë për ti mbrojtur, por edhe nga puna e tyre në shërbim të qytetarëve, të cilët ne do i thërrasim në ndihmë në rast se këta do duan ti lënë pa shërbime duke bërë shkurtime”, tha Rama.
Fadil Nasufi,Bashkia Berat
Kreu i Bashkisë së Beratit, theksoi dje se kjo protestë veçse kundër cenimit të autonomisë zhvillohet edhe për të mbrojtur biznesin, i cili po shkon drejt falimentimit. Ai tha se buxheti ka qenë selektiv për bashkitë e majta. Ai shtoi se qeveria aktuale nuk ka një program antikrizë. Sipas tij, së bashku me vendorët protestojnë edhe biznesmenët për rritjen e taksave. Nasufi tha se shkurtimi i të ardhurave për bashkitë, nën demagogjinë e granteve konkurruese, do të ulë cilësinë e jetës së qytetarëve dhe do të vështirësojë mbajtjen e premtimeve tona në krye të bashkive dhe komunave.
Shpëtim Gjika, Bashkia Vlorë
Kryetar i Bashkisë së Vlorës theksoi se në protestën e radhës do të vijnë 20 mijë qytetarë të Vlorës. “Ndaj as mos t’i shkojë ndër mend Sali Berishës t’i cenojë ata”, tha ai. Gjika shtoi se vendorët janë më të vendosur se kurrë për t’i thënë jo uljes së rolit të qeverisjes vendore. “Është e pafalshme që reforma e decentralizimit në vitet 2005-2009 nuk ka ndryshuar, por bashkia ka më pak autoritet”, pohoi ai. Sipas tij, çdo bashki rrezikon zhvillimin normal, bizneset rrezikojnë falimentimin për shkak të politikave të kësaj qeverie. Ai tha se qeveria po cenon seriozisht buxhetin e bashkive.
Flamur Bime,Bashkia Gjirokastër
Kryetari i Bashkisë së Gjirokastrës, tha se ulja e granteve për bashkitë ka një objektiv të qartë politik, kërkon konfliktin në administratën e bashkisë, sepse kërkon një numër më të ulët punonjësish. “Ulja e grantit na shkëput edhe me donatorët sepse kemi lidhur kontrata ku jemi bashkëfinancues me 30 %, por me uljen e buxhetit ne nuk financojmë dot më”, tha ai. Sipas tij, buxhetit të bashkisë i mungojnë 25% të të ardhurave për pastrimin e qytetit, për shpenzimet për jetën kulturore të këtij qyteti. Bime tha se kjo protestë është evropiane, është një protestë për të ruajtur demokracinë lokale, ndaj duhet të vazhdojë derisa të fitojë.
Kërkesat e bashkiakëve të PS
Të anulohet amendamenti i majit 2009-të, në ligjin bazë të taksave e tarifave vendore, ku qeveria ndërhyri direkt në përcaktimin e tarifave për pushtetit vendor.
Të anulohet vendimi i tetorit 2009 që bizneset e vogla me xhiro nga 5 ne 8 milione trajtohen si biznese të mëdha duke i rritur taksat dhe për pasojë duke i çuar drejt falimentimit
Të bëhet kompensimi i të ardhurave të munguara, prej 5 vitesh në arkën e bashkive e komunave nga përgjysmimi i taksë së biznesit të vogël në 2005.
T’i jepet fund praktikes joevropiane, korruptive, klienteliste e partiake te granteve konkurruese për nevojat e funksionet bazë të njësive vendore dhe pjesa e buxhetit të shtetit për njësite vendore të ndahet në bazë të një formule bashkëkohore kriteresh objektive, ku te gjitha bashkite dhe komunat marrin cfare u takon pavaresisht nga ngjyra e tyre politike;
Të aplikohen taksat e ndara ashtu sic e percakton Ligji Organik i Qeverisjes Vendore këtu e dhjetë vjet më parë lidhur me tatimin mbi të ardhurat personale dhe tatimin mbi fitimin e kompanive.
Meta: Bashkitë, Rama të ulet me Berishën
Zëvendëskryeministri Ilir Meta i ka kërkuar kryebashkiakut të Tiranës që të ulet dhe të bisedojë me kryeministrin për çështjet që kanë të bëjnë me pushtetin vendor. Sipas Metës, kreu i bashkisë duhet të ulet dhe ta diskutojë këtë bashkë me kryeministrin. “Është shumë më e thjeshtë që vetë kryetari i Bashkisë së Tiranës, ato pretendime që ka dhe që mund të ketë t’i diskutojë me kryeministrin. Por drejt decentralizimit shkohet me dialog dhe ky dialog kërkon edhe argumentet përkatëse. Nuk është bojkoti ai që zgjidh problemet, është dialogu”, theksoi zv.kryeministri. Meta i ka cilësuar zgjedhjet një argument të mbyllur. I pyetur për bojkotin e opozitës, Meta u shpreh se kërkesat e saj janë absurde dhe se rruga e bojkotit nuk është zgjidhje. “Kërkesa ku këmbëngul në mënyrë absurde lideri i opozitës është tërësisht një kërkesë anti-integrim. Të gjithë komisionerët e PS-së i kanë firmosur, i kanë konfirmuar rezultatet e votimeve dhe të procesverbaleve. Kështu që kjo është një kërkesë që nuk qëndron, është një kërkesë tërësisht absurde”, u shpreh Meta.
Policia: Bllokuam qeset e protestuesve, i ndalon ligji
TIRANE – Policia e kryeqytetit ndaloi dje disa pjesëmarrës në protestën e organizuar nga Partia Socialiste para kyeministrisë, të hynin në tubim me disa qese plastike në duar. Forcat e rendit mësohet se u kanë marrë nga duart disa personave, qeset plastike me ngjyrë të zezë që mbanin në duar para se të bëheshin pjesë e grupit të njerëzve që ishin grumbulluar para kryeministrisë. Në lidhje me këtë episod të konsideruar si një incident gjatë protestës së djeshme, policia tha se disa pjesëmarrës në tubim po mbanin në duar qese në të cilat kishte materiale të ndaluara.
“Dje në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përballë godinës së Kryeminstrisë u zhvillua protesta e kërkuar nga Bashkia e Tiranës. Lidhur me zhvillimin e kësaj proteste, policia e Tiranë, sqaro se strukturat e Policisë së Shtetit, kanë zbatuar me rigorozitet të gjitha dispozitat ligjore të parashikuara në ligjin Nr.8773 datë 23.04.2001 “Për Tubimet” si dhe në të gjithë praktikën e këtij tubimi, ka zbatuar kërkesat e parashtruara nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, në njoftimin Nr.10316 datë 02.12.2009, e dërguar për këtë qëllim. Sipas deklaratës së policisë, para dhe gjatë zhvillimit të tubimit, ka patur përpjekje që në vendin e protestës të futen qese jo trasparente dhe sende të tjera të ndaluara. Sipas burimeve të policisë, me qëllim, sigurimin e zhvillimin normal të këtij tubimi forcat e rendit kanë penguar që në vendin e tubimit të futen qese jo trasparente, ne të cilat mund të kishte sende që mund të shkaktojnë dëm për jetën dhe shëndetin e të tjerëve. Policia tha se me ligj protestuesve u lejohen vetëm flamujt dhe pankartat. Pas bllokimit të qeseve jo transparente, policia tha se ato po i nënshtrohen kontrolleve të specializuara. tr.so
Pone: Do propozojmë shkarkimin e Ramës
adi shkembi
Këshilltarët demok-ratë të Bashkisë Tiranë do kërkojnë shkarkimin e Edi Ramës. Kryetari i grupit të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Pone tha dje se do të propozojnë në mbledhjen e këtij këshilli largimin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për shkak se ka shkelur ligjin. Sipas tij, Rama përmes punonjësve të tij, tentoi të shkarkonte në lumin e Lanës kamionët me plehra, duke rrezikuar rëndë shëndetin e banorëve të kryeqytetit. “Një akt i paprecedent, një akt papërgjegjshmërie ka ndodhur dje natën. Qytetarët e Tiranës, qyteti i Tiranës ka parë, ka prekur dje rrezikun që i kanoset nga Edi Rama, i cili tentoi të ndotë me dashje qytetin, të shkatërrojë qytetin, të infektojë e shkatërroje qytetin duke zbrazur plehrat tek “Ura e Lanës”, u shpreh dje këshilltari demokrat. Sipas Ponit, “janë këto veprime që detyrojnë grupin e Këshilltarëve të Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, që të kërkojë urgjent shkarkimin edhe de jure të Edi Ramës nga funksioni i Kryetarit të Bashkisë”. “Funksioni i kryetarit të një bashkie, aq më tepër të kryeqytetit, është totalisht i papajtueshëm me sjelljet dhe veprimet e rrezikshme që demonstron Edi Rama, në shpërthimet e tij antiligjore, shoqërisht të rrezikshme, që si të tilla duhen trajtuar me rigorozitetin maksimal”, u shpreh dje Poni në një komunikim me mediat. Këshilltari demokrat e konsideron veprimin e punonjësve të bashkisë akt të papajtueshëm me ligjin dhe të rrezikshëm për shëndetin e qytetarëve.
Incidenti
Dhjetë punonjës të Bashkisë së Tiranës u shoqëruan të premten në mbrëmje në Komisariatin nr.6 të policisë, pasi kanë kundërshtuar punonjësit e policisë së rendit. Incidenti me punonjësit e sektorit të Pastrim Gjelbërimit të Bashkisë ka ndodhur rreth orës 19:00 në disa rrugica të lagjes Kombinat, në kohën kur vetë të shoqëruarit kanë thënë se ishin duke kryer punën e tyre. Burime nga policia thanë se punonjësit e pastrimit kanë qenë duke mbledhur plehra nëpër rrugë, të cilat pasi t’i grumbullonin do t’i mblidhnin për të ndërtuar një “monument” me plehra para godinës së Kryeministrisë. Gjithçka do të realizohej në vendin e caktuar ku do të zhvillohej protesta e djeshme e Partisë Socialiste. Punonjësit e Bashkisë e kanë mohuar pretendimin e organeve të rendit, duke thënë që ata po bënin punën e tyre, por këtu ka nisur edhe incidenti mes tyre dhe policisë. Ndërkohë, menjëherë sapo janë njoftuar për shoqërimin e 10 punonjësve të Pastrim Gjelbërimit, drejt Komisariatit nr.6 janë nisur përfaqësues të Partisë Socialiste, të cilët janë shprehur se ky shoqërim ndodh një ditë para skadimit të afatit që vendorët i kanë dhënë qeverisë.