E Diel, 1 Nëntor 2026

Buttiglione, apel forcave politike të njohin zgjedhjet

Në një kohë kur opozita vijon me ultimatumet e saj e lidhur fort pas qendrimit për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit si nje proces i manipuluar, faktori ndërkombëtar vijon të hedhë poshtë pretendimet e kryesocialistit duke përforcuar më tej qendrimin se zgjedhjet ishin të rregullta. Ka qenë zëvendës/presidenti i parlamentit italian Rocco Buttiglione, ai i cili gjatë një takimi të zhvilluar me kryeparlamentarren Topalli i bëri apel forcave politike që të njohë rezultatin e dalë nga procesi i 28 qershorit.
Butilione “Dua të them se zgjedhjet në Shqipëri ishin të monitoruara nga shumë organizma ndërkombëtare dhe vlerësimi unanim i Parlamenti Europian dhe organizmave të tjera që ndoqën këtë çështje ishte se zgjedhjet ishin të rregullta. Unë mendoj se është koha që opozita dhe qeveria të tregohen bujare për të ecur normalisht në proceset demokratike të vendit. Shqipëria ka bërë progres të madh edhe në fushën e demokracisë. Demokracia ka shpesh konflikte, ndonjëherë edhe të ndezura. Unë do doja t’i drejtoj një apel të gjitha forcave politike shqiptare; të njohin rezultatin e zgjedhjeve. Në një demokraci është e rëndësishme si të qeverisësh ashtu edhe të bësh opozitë.”
Gjatë takimit të zhvilluar me kryeparlamentaren, zoti Butilione e vuri theksin në mënyrë të veçantë tek progresi politik dhe ai ekonomik që ka bërë Shqipëria gjatë këtyre viteve, progres që sipas tij luan një rrol kyç në proceset integruese të Shqipërisë dhe heqjen e vizave vitin e ardhshëm.
Butilione “Kam kënaqësi kur shoh rrugën e madhe që Shqipëria ka bërë drejt Europës, një rrugë në dimensionin ekonomik, dimensionin civil, dimensionin politik në stabilitetin e një demokracie të fortë. Jam i bindur se Shqipëria do të marrë atë që kërkon përsa i përket hyrjes në shengen si dhe në njohjen e statusit të vendit kandidat. Nuk duhet nënvlerësuar domethënia e madhe simbolike e këtyre dy rezultateve.”
Topalli “Presidenti Buttiglione është një avokat i Shqipërisë ndër vite dhe ne biseduam për liberalizimin e vizave. E falënderova për mbështetjen e Italisë në vendimin e marrë në 16 nëntor kur 27 qeveri europiane i thanë “Po” Shqipërisë në kërkesën e saj në rrugën e integrimit dhe gjeta mbështetje nga presidenti Buttiglione në mënyrë të veçantë për atë që e kemi më të rëndësishme, në qëllimin tonë më të veçantë; në heqjen e vizave në vitin e ardhshëm, mbështetje që na është dhënë edhe nga qeveria italiane dhe ministri i Jashtëm gjatë gjithë kësaj periudhe.”
Në konferencën e përbashkët për mediat zëvendëspresidenti Buttiglione dhe Kryetarja e Kuvendit ndër të tjera e vunë theksin dhe në forcimin e bashkëpunimit shumëdimensional mes Italisë dhe Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›