Shiu e mjegulla, dy viktima në rrugë
PERMET/ PUKE
Dy persona humbin jetën nga moti i keq, duke lënë të plagosur pesë të tjerë. Dy aksidente ndodhën pasditen e djeshme, ku shkak është bërë moti i keq, me reshje të pandërprera shiu e mjegulle. Ngjarja e parë u regjistrua paditen e djeshme në Përmet, në të cilën një emigrant ishte viktimë. Sipas burimeve të policisë dhe të dëshmitarëve, automjeti tip “NISSAN” me targa greke AKP 4478, ka rënë në rrjedhën e lumit Vjosë rreth orës 15:30, në tentativë për të kaluar në krahun e djathtë të urës, që lidh qytetin e Përmetit me pjesën tjetër të rrugës që të çon në fshatin Petran. Gjithçka ka ndodhur sa hap e mbyll sytë në prezencën e disa kalimtarëve, të cilët kanë qenë më pas protagonistë në shpëtimin e dy jetëve nga mbytja e sigurt në Vjosë. Sipas të dhënave nga dëshmitarët okularë, automjeti me drejtuesin e makinës Vladimir Basho, 43 vjeç, si dhe me pasagjerë të afërm të tij, Artan Vangjeli dhe Kudret Çaushaj, ishte nisur në drejtim të Greqisë. Në momentin e kalimit të urës, në hyrje të qytetit të Përmetit kanë ndeshur në një masiv balte me trashësi gati 10 cm, çka krijoi për drejtuesin e mjetit vështirësi në manovrimin e menjëhershëm të makinës. Animi i automjetit në krahun e shoferit, bëri që makina të shkojë direkt e poshtë urës, duke rënë nga një lartësi gati 12 metra. Makina ka rënë pingul në ujë dhe menjëherë pas saj, janë sulur dëshmitarët e rastit, të cilët kanë shkuar në pjesën e poshtme të urës për të ndihmuar njerëzit e gjendur në automjet. Ata kanë mundur të shpëtojnë vetëm dy pasagjerët, ndërkohë që shoferin e ka marrë thellësia e lumit. Trupi i tij është gjetur disa orë më vonë, në ujërat e lumit Vjosë. Dy të plagosurit ndodhen në spitalin rajonal të qytetit dhe aktualisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Kjo ngjarje është pasuar me një tjetër aksident fatal, i shënuar në Dardhë të Pukës. Dhe në këtë rast drejtuesi i mjetit humbi jetën, kur makina u rrëzua në një humnerë. Për fat, 3 fëmijët e shoferit 40-vjeçar, Man Dushaj, i shpëtuan vdekjes. Burime të policisë thanë se ngjarja ka ndodhur në pjesën që lidh Qafë-Malin me Fierzën. Shoferi i makinës tip “Audi”, me targa angleze, ka humbur kontrollin e rrugës, për shkak të mjegullës së madhe që kishte mbuluar të gjithë zonën, e cila është mbi 1 mijë metër mbi nivelin e detit. Gjatë rrëzimit të mjetit, 3 fëmijët e Dushajt mundën të dilnin prej tij. Në momentin e ndaljes, drejtuesi është bllokuar nën forcën e mjetit. Megjithëse dëshmitarët e kësaj skene të rëndë i kanë shkuar në ndihmë, ai mësohet se ndërroi jetë rrugës për në spital. Të tre fëmijët e tij janë transportuar në spitalin e Tropojës, ku mësohet se janë jashtë rreziku për jetën. Nuk ka kaluar një muaj kur një ngjarje e rëndë për shkak të motit të keq u shënua në një fshat të Gramshit. Atëherë kur një makinë tentoi të kalonte një përrua, por prurjet e fuqishme si pasojë e reshjeve e morën përpara mjetin, duke shënuar dy persona të vdekur. p.n/r.d