Fieri gdhihet nën ujë, Gjanica përmbyt tregun, shtëpi e lokale
FIER - Një pjesë e konsiderueshme e qytetit të Fierit është gdhirë dje nën ujë. Moti i keq, i cili solli reshjet që nuk reshtën gjatë gjithë natës së të martës shkaktoi anomali të shumta në disa pjesë të qytetit, por në veçanti në qendër të tij. Mjaft banorë të lagjeve të përmbytura u detyruan të evakuohen gjatë natës, ndërsa disa të tjerë e gdhinë zgjuar në tentativë për të shpëtuar orenditë apo sende të tjera. E njëjta situatë ndodhi edhe në zonën e tregut industrial, afër qendrës. Sa herë bie shi, tregu përmbytet si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Gjanica. Por këtë herë, ujërat që vërshuan gjatë gjithë natës dëmtuan me qindra artikuj të këtij tregu. “Jemi mësuar me këtë situatë. Sa herë fillojnë shirat, e kemi të sigurtë që tregu do të përmbytet. Një pjesë e mirë e tregtarëve e kanë kaluar gjithë natën jashtë duke spostuar mallin për në vende më të sigurta. Por megjithë këto lëvizje, dëmet janë të konsiderueshme, pasi lumi ka shkatërruar një pjesë të mirë të mallrave”, u shpreh Altin Azizi, një tregtar i tregut industrial në Fier. Reshjet e shiut përmbytën edhe banesa në lagjen “1 Maji”. Kjo pjesë e qytetit prej kohësh pëson përmbytje, edhe për faktin se ajo ndodhet nën nivelin e detit. Banorët e kësaj lagjeje janë detyruar të shpërngulen gjatë natës për në banesat e të afërmve të tyre, ndërsa një pjesë e tyre kanë ngritur ç’kanë mundur në tarracat e shtëpive. Si pasojë e reshjeve të vazhdueshme gjatë gjithë natës, është bllokuar edhe një pjesë e autostradës Lushnjë-Fier. Situata më problematike paraqitej pranë fshatit Mbrostar, ku ujërat shkaktuan anomali të shumta në lëvizjen e lirë të automjeteve. Si pasojë e bllokimit, drejtuesit e mjeteve janë detyruar të kalojnë nga aksi i vjetër Fier-Kolonjë, segment i cili ka pasur një trafik maksimal. m.r