E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ridimensionimi i Rolit të Bankës Botërore në Shqipëri

Jonel KRISTO 

Liria ekonomike është një koncept i gjerë dhe i debatueshëm, edhe pse logjika e thjeshtë duhet të tregonte se kur vjen puna për të pasur ose jo liri ekonomike nuk ka dyzime. Nuk ka zgjedhje. Megjithatë, me vetëdije ose jo, vazhdojmë sot të lejojmë aktivitete dhe procese që na shkelin lirinë tonë ekonomike dhe që, mbi të gjitha, legjitimohen nga vetë institucionet e shtetit dhe shiten si aktivitete me dobishmëri të gjerë sociale kur në fakt nuk janë të tilla.
    Nevoja për të shkruar mbi një temë të tillë lind nga rastet e përsëritura të dështimit të Bankës Botërore për të çuar deri në fund objektivat e saj strategjike në Shqipëri. Banka Botërore, përveç të qenit një institucion i keqmenaxhuar dhe tërësisht jashtë kontrollit të praktikave korrekte që ajo vetë i miraton, është partizane e një koncepti antiliberal në kuadër të lirisë ekonomike. Ka disa argumente që mbështesin një tezë të tillë, argumente praktikë, moralë dhe kushtetues.
Fillojmë me një argument pak abstrakt. Kreditë financiare të Bankës Botërore financohen, më së shumti, nga Shtetet e Bashkuara. Këto të fundit i gjejnë fondet nga taksapaguesit amerikanë, ligji federal i të cilëve i detyron të sakrifikojnë një pjesë të të ardhurave të tyre në formën e taksave mbi të ardhurat. Ndonëse debati mbi ligjshmërinë dhe të drejtën morale të të marrit me forcën e ligjit të fryteve të punës së njerëzve të lirë është i gjerë dhe jashtë kontekstit të këtij shkrimi, duhet të përqendrohemi tek rishpërndarja e këtyre taksave tek qeveritë e huaja (Shqipëria në këtë rast). Pra, institucione ndërkombëtare si Banka Botërore legjitimojnë marrjen e taksave nga qytetarët amerikanë dhe rishpërndarjen e tyre në vende të tjera më të varfra, qeveria e të cilave është kryesisht përgjegjëse për nivelin e ulët të zhvillimit të popullit të vet. Në këtë kontekst, asistenca financiare që Shqipëria pranon nga Banka Botërore nuk bën gjë tjetër veçse legjitimon skllavërimin e punës së qytetarëve të lirë duke transferuar një pjesë të të ardhurave të tyre tek regjimi vendas. A nuk është diçka e tillë antikushtetuese përtej çdo standardi të shoqërive demokratike? Amerika vetë e dënon një proces të tillë në Kushtetutën e saj, por fatkeqësisht vendi ndikohet nga marrëveshjet ndërkombëtare tregtare të cilat marrin përparësi ndaj ligjit sovran. A do ta pranonim ne vetë si qytetarë shqiptarë faktin që një pjesë e të ardhurave nga puna jonë t’i shkonte një qeverie të një vendi tjetër për të financuar programet e saj sociale? Mbi të gjitha, a do pranonim një procedurë të tillë duke ditur, që kjo pjesë e të ardhurave tona po financonte në fakt dështime, dhe jo suksese?
    Misioni i institucioneve të tilla si Banka Botërore është i pastër në sipërfaqe. Në fund të fundit ato duan të ndihmojnë një vend në nevojë. Por mënyra se si arrijnë ta bëjnë diçka të tillë sjell veçse ndërvarësi financiare dhe jo rezultatet e duhura në krijimin e kapaciteteve dhe ngritjen e nivelit te kompetencave. Historiku i arritjeve të programeve ndërkombëtare të asistencës sociale është tepër i dobët krahasuar me trilionë dollarë të shpenzuar në atë drejtim për vite më radhë. Ekonomisti kenian James Shikwati luste institucionet ndërkombëtare të ndalonin ndihmën e huaj për Kenian, sepse keqpërdorimi i fondeve nga zyrtarë vendas po financonte në fakt tregtinë ilegale dhe korrupsionin. Ndërsa në Çad, në Afrikë, Banka Botërore financoi një projekt për nxjerrjen dhe rafinimin e naftës me të ardhura vjetore rreth 6 milion USD. Në 2008 ky projekt u mbyll sepse të ardhurat po përdoreshin shpesh e më shpesh për të blerë armë dhe për të financuar regjimin ushtarak. Gjithashtu, projekti kishte kontribuar direkt në prishjen e ekuilibrave mjedisorë dhe në nënshtrimin e popullsisë ndaj grupeve të armatosura. Ndërsa në një pamje më të përgjithshme, nga 66 vende që marrin ndihmë të vazhdueshme financiare nga Banka Botërore, 37 prej tyre nuk janë më të zhvilluara sot se sa ç’ishin para ndihmës së Bankës – 20 nga këto 37 vende janë, në të vërtetë, më të varfra sot se sa ç’ishin para se Banka të fillonte programet e saj. Shembuj të tillë janë Nikaragua, ku të ardhurat për frymë janë përgjysmuar qëkur Banka Botërore filloi të ofronte asistencë financiare; të ardhurat për frymë të Nigerisë janë ulur me 54% që nga koha kur Banka Botërore filloi të ofronte ndihmë; gjithashtu, nëse shohim listën e vendeve në indeksin e lirisë ekonomike që kanë marrë ndihmë ekonomike nga Banka Botërore për më shumë se 30 vjet, 37 prej tyre janë vende me ekonomi të shtypura ose disi të lira – të paktën deri në vitin 2000. Pra, nuk janë sisteme që njihen për aftësinë e administrimit korrekt të të ardhurave financiare. Sukseset në raste të tjera janë sporadike, dhe sigurisht që ka shembuj specifik që kanë rezultuar konstruktivë, por ingranazhi i këtij sistemi në tërësi nuk funksionon. Ndërsa ato vende të cilat kanë arritur të zhvillojnë ekonomitë e tyre – si p.sh., Kili, Botsvana, Irlanda, Estonia, Hong Kongu, apo Singapori – nuk janë mbështetur tek ndihma e huaj për të ndezur zhvillimin e ekonomive të tyre, por tek aktiviteti kapitalist i tregut të lirë. Ndërsa rënia e varfërisë në botë vitet e fundit i dedikohet tërësisht liberalizmit të tregtisë ndërkombëtare dhe Kina e India janë evidencat më të qarta të kësaj lëvizjeje.
Në fakt, misioni kryesor i Bankës Botërore nuk ka qenë kurrë financimi i mirëqenies sociale në botë, por ka qenë rimëkëmbja e Evropës së pas Luftës së Dytë Botërore. Fatkeqësisht, devijimi i skajshëm nga misioni i saj në ditët e sotme nuk bëhet objekt debati dhe detyrimisht lejon mbarështimin e dështimeve të njëpasnjëshme të Bankës, si në vendin tonë ashtu edhe në vende të tjera që gjenden në të njëjtin cikël ekonomik me ne. Ndërsa argumenti i radhës lidhet me mënyrën se si administrohen fondet e një institucioni ndërkombëtar me kaq peshë financiare në ekonomitë e mbarë botës. Banka Botërore ka një drejtim ekzekutiv tepër të izoluar, dhe proceset e tenderimit janë deficitare. Palët e jashtme nuk kanë mundësi të monitorojnë aktivitetin e Bankës, dhe detyrimisht publikut i lihet të merret me pasojat e projekteve të financuara jashtë çdo standardi. Vetë qeveria shqiptare, nëse është e orientuar vërtetë nga përmirësimi i standardeve të jetesës në vend, duhet të fillojë një proces kontrolli të efeciencës së programeve të financuara nga Banka Botërore. Mjafton një auditim serioz i këtyre projekteve për të nxjerrë në pah shumë probleme administrative që ushqejnë korrupsionin në administratën shtetërore prej fondeve të marra nga Banka Botërore. Minimalisht, auditimet e kryera në projektet e Bankës t’u vihen në dispozicion medias dhe ekonomisteve për analizë.
Këto argumente na lenë disa pyetje shumë të rëndësishme, përgjigja e të cilave duhet të kushtëzojë bashkëpunimin e mëtejshëm me Bankën Botërore dhe ridimensionimin e strukturës së saj menaxhuese: si mund të pranojë një qeveri, që pretendon se lufton korrupsionin, të bashkëpunojë me një organizatë që nuk di të administrojë as stafin e saj dhe as të kontrollojë mënyrën se si shpenzohen fondet? Kush është vlera e një institucioni financiar – siç është Banka Botërore në fund të fundit – nëse arrin të financojë pa të keq sipërmarrje të dështuara që në zanafillë? Ku qëndron sensi ekonomik në ekzistencën e një institucioni të tillë financiar?
Për ta plotësuar më tepër një analizë të tillë, lejoj veten të ofroj një zgjidhje logjike për këtë problem. Me sa duket nga analiza më sipër, por edhe nga analiza të tjera të jashtme, problemi qëndron tek prania e nxitjeve për tu përfshirë në praktika korruptive. Për ekonomitë në tranzicion kjo shkaktohet më së shumti nga mungesa e mekanizmave mbikëqyrës dhe llogari-dhënës nga palë të treta të pavarura, mes të cilëve qëndron dhe zgjidhja e këtij problemi.
Në rastet kur Banka financon nisma në institucione publik një palë e tretë e specializuar në implementimin e projekteve mund ta marrë përsipër diçka të tillë – një palë e tretë që paguhet për punën në sajë të rezultateve pozitive. Kjo do të thotë që një menaxhim efektiv i projekteve duhet të përfshijë një element që i bën partnerët të ndjejnë barrën e performancës, duke maksimizuar të ardhurat për njësi valute të shpenzuar në një projekt specifik. Stafi i një institucioni shtetëror që administron një projekt të financuar nga Banka Botërore nuk ka asnjë incentivë për të qenë efikas dhe ekonomik në administrimin kohor, substancial, dhe rezultativ të nismës së ndërmarrë. Rezultatet dhe shpërblimi duhet të lidhen ndërvartësisht me njëri tjetrin, dhe të mbështillen me një element të tretë neutraliteti për të mënjanuar çdo konflikt të mundshëm interesi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›