E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2007, Qeveria bojkoton Raportin e KLSH

 

Qeveria bojkoton debatin për buxhetin faktik të vitit 2007, si dhe debatin për raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në seancën e sotme është vërejtur, që asnjë prej ministrave nuk ka qenë prezent në mbrojtjen shifrave dhe të dhënave të pasqyruara në raportin e Qeverisë, si dhe të mbrohen përballë akuzave që ishin të renditura në materialin e paraqitur nga KLSH-ja. I vetmi që ka folur në këtë seancë ka qenë ministri i Financave, Bode i cili ka bërë një pasqyrë për mënyrën e zbatimit të buxhetit për vitin 2007, duke u larguar më pas për të mos reaguar ndaj asnjë prej qëndrimeve të opozitës. Ministri në fjalën e tij u shpreh se "buxheti i vitit 2007 konfirmoi një stabilitet të qëndrueshëm makroekonomik të vendit, në kushtet e një krize jo të vogël që përfshiu tregjet evropiane dhe ato botërore". "Përballë këtyre fenomeneve të ekonomisë botërore, ekonomia shqiptare konfirmoi një vitalitet të brendshëm të saj, ndërsa u mundësua një rritje ekonomike me më shumë se 6 % e PBB-së", theksoi ministri Bode. Sipas tij, kjo rritje ekonomike u bazua në rritjen e prodhimit industrial dhe në rritjen e eksporteve dhe investimeve të huaja direkte. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe deklaroi se "Buxheti faktik është 2 miliardë lekë ose 25 milionë dollarë më pak se plani. Buxheti faktik është 13 miliardë lekë ose 165 milionë dollarë më pak se buxheti suplementar. Mosrealizimet në fund të vitit janë më të mëdha se shtesa e buxhetit suplementar. Mosrealizimet në investimet publike janë 13,4 miliardë lekë ose 171 milionë dollarë, në total në ekonomi asnjë lek investim shtesë nga buxheti suplementar", deklaroi Braçe. Buxheti faktik pritet të votohet të enjten e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›