Zbulohen 6 vjedhje nga grabitësi i femrave
TIRANE - Një personi të akuzuar për vjedhje të dhunshme me motor, që tashmë ndodhet i burgosur për të njëjtën veprimtari kriminale, i janë vënë në ngarkim edhe 6 ngjarje të tjera. E.Qafa, 25 vjeç, banues në Tiranë, prej më tepër se 5 muajsh qëndron i paraburgosur në burgun 302 për vjedhje me dhunë, duhet të përballet sërish me akuzën "vjedhje me dhunë". Sipas burimeve të policisë bëhet fjalë për së paku 6 raste të dokumentuara nga ana e hetuesve, të zyrës së hetimit të vjedhjeve me dhunë dhe grabitjeve me armë. Sipas burimeve të policisë, Qafa ka qenë si i dyshuar i këtyre ngjarjeve, në bazë të përshkrimeve të dhëna nga ana e të dëmtuarave. Burimet zyrtare thanë se përshkrimet e dhëna nga gratë e dëmtuara përputheshin në pjesën më të madhe të tyre atë të 25-vjeçarit që tashmë ndodhet në burg. Ngjarjet sipas burimeve të policisë kanë ndodhur në rrugën "Ali Demi", në rrugën "Bardhyl", pranë farmacisë nr.10, në afërsi të tregut industrial etj. Policia tha, se vjedhjet kryheshin me motor, ku më parë, autori i krimit ndiqte femrat me kujdes dhe më pas iu afrohej atyre. Në momentin kur ishte fare pranë ai zgjaste dorën nga çanta dhe më pas i jepte gaz motorit, për t'u larguar me forcë. Disa ditë më parë, gjatë një verifikimi të kryer, policia ka krahasuar të dhënat e marra nga të dëmtuarat me pamjet fotografike dhe filmike të 25-vjeçarit që tashmë qëndron në burg. Disa prej tyre kanë pohuar se e njihnin personin, që shikonin në fotografi. Për të bërë dokumentimin më të saktë të autorësisë së krimit, policia ka ftuar të dëmtuarat në një ballafaqim, në ambientet e policisë, duke vënë disa persona të ngjashëm me të dyshuarin. Në të gjitha rastet femrat nuk kanë ngatërruar asnjë prej personave me Qafën, duke identifikuar pikërisht atë person si autor të krimit ndaj tyre. Qafa, ndodhet i arrestuar, pasi është dënuar më parë për këtë tendencë penale. d.b