Ish të përndjekurit, protestë në ditëlindjen e diktatorit Enver Hoxha
Ish të përndjekurit kanë protestuar dje në ditën e ditëlindjes së ish-diktatorit, Enver Hoxha, duke kërkuar hapjen e dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit. Për mëse dy orë ish të përndjekurit kanë protestuar përpara Kuvendit, Kryeministrisë dhe Presidencës për të kërkuar hapjen e dosjeve të diktaturës. Me pankarta në duar dhe me fotot e të dënuarve politikë, shtresa e ish të përndjekurve ka protestuar ashpër për moszbatimin e ligjit, si dhe për mos hapjen e dosjeve të regjimit komunist. Gjithashtu, kjo shtresë kërkoi që Kuvendi të marrë vendim për dënimin e krimeve të komunizmit. Protestat e tyre kanë pasur një përqendrimin në institucionet më të rëndësishme të vendit, si Kuvendi, Kryeministria dhe Presidenca. "Të dënohen krimet e komunizmit, të hapen dosjet, të dënohen ata juristë dhe prokurorë që na kanë dënuar, ku disa prej përfaqësuesve të shtresës sonë nuk i dihen as se ku i kanë kockat", tha një nga protestuesit. Pas këtij "pelegrinazhi", protestuesit kanë qëndruar për disa orë përpara hyrjes kryesore të Kuvendit, aq sa detyruan deputetët e Kuvendit të mos përballen me to, duke dalë nga hyrja anësore e godinës. Edhe pse është miratuar ligji për dëmshpërblimin e ish të përndjekurve, deri më tani kjo shtresë sociale nuk ka marrë asnjë pagesë. Ndërsa një përplasje tjetër lidhet me procesin e hapjes së dosjeve, ku ish të përndjekurit kërkojnë bërjen publike të tyre. Dje ishte 100-vjetori i lindjes së diktatorit Enver Hoxha. Aktiviteti u kalua në heshtje falë zgjedhjes së mençur të televizioneve kombëtare.