KQZ e re, me megadushkun e 2005
Aristir Lumezi
Komisioni i Reformës Zgjedhore ndërton KQZ-në e re mbi bazën e rezultatit të Megadushkut 2005. Përveç PS dhe PD në përbërje të KQZ-së, e cila do të ketë shtatë anëtarë, do të jenë dhe PR dhe PSD, dy parti që kanë marrë maksimalisht vota nga dy partitë e mëdha. Këtë shpërndarje votash e kanë pranuar edhe dy krerët e krahëve të kundërta në zgjedhjet e 2005-ës, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Edhe pse ndryshimet kushtetuese që sollën sistemin proporcional rajonal kishin si qëllim eliminimin e fenomenit të Dushkut, kompozimi i institucionit më të lartë të administrimit të votave në zgjedhjet e ardhshme, KQZ, bëhet mbi bazën e rezultateve të Megadushkut të zgjedhjeve të fundit parlamentare. KQZ, si një nga pikat më delikate që ka të bëjë me administrimin e zgjedhjeve, duket se nuk bën përfaqësimin më të mirë të partive në bazë të rezultatit real zgjedhor të tyre. Formula e ndërtimit të tij, që do përbëhet nga shtatë anëtarë, do të ketë dy anëtarë PS, dy PD, një anëtar partia që ka marrë më shumë vota nga e majta në proporcional në 2005 dhe një anëtar nga partia që ka marrë më shumë vota në proporcional nga e djathta. Ndërsa anëtari i shtatë do të zgjidhet në Kuvend me votat e shumicës. Një mospërputhje e tillë midis sistemit të ri zgjedhor dhe formulës mbi të cilën kërkohet të ngrihet KQZ-ja penalizon vetëm LSI-në, e cila ka marrë të njëjtat vota si në maxhoritar dhe në proporcional në zgjedhjet e 2005-ës, por dhe në zgjedhjet për pushtetin vendor në 2007-ën.
Formula
Nëse i hedhim një sy votave të partive të 2005-ës, do të shohim se bazuar në formulën e Megadushkut votat e partive të mëdha u orientuan drejt disa partive të grupimeve respektive, të djathta dhe të majta, duke rezultuar fituese si forcë e parë në proporcional PR dhe si forcë e pestë politike pas PSD, PS dhe LSI-së, Partinë Demokratike, me vetëm 7 për qind, por që sot qeveris vendin që prej tre vjetësh. Mbi bazën e këtij deformimi, dy partitë, PS-PD, po përpiqen të ndërtojnë KQZ-në e re. Që në zanafillën e ndryshimit të sistemit zgjedhor, qëllimi kryesor për ndryshimin e tij ishte dhe fenomeni i megadushkut, i aplikuar gjerësisht nga dy partitë e mëdha, ndryshim që u diktua dhe nga faktori ndërkombëtar pas presioneve të mëdha politike të tyre.
Diferencat e realizuara në këto zgjedhje, duke krahasuar votat që partitë morën në maxhoritar dhe në proporcional janë mjaft të dukshme. PSD përfitonte në proporcional 12.74 për qind të votave, ose 174 mijë vota, ndërsa në maxhoritar 1.34 për qind ose 18 mijë vota. Pra, PSD ka marrë në proporcional 10 herë më shumë vota sesa ka përfituar në maxhoritar. Ndërsa PR-ja nuk ka konkurruar fare me kandidatë të saj më vete në maxhoritar, por vetëm në proporcional. Duket qartë se kriteri që po aplikon Komisioni i Reformës Zgjedhore është sërish i mbështetur mbi Megadushkun, por tërësisht kontradiktor me sistemin proporcional zgjedhor që do të përdoret në 2009-ën. Kjo, sepse ky sistem do të kërkonte interpretimin e votave të fituara nga partitë në proporcional. Por, ndërkohë burimet brenda Komisionit të Reformës thonë se kjo metodë logjikisht do të duhej të linte jashtë PD-në, pasi ajo është renditur forcë e pestë politike në proporcionalin e 2005-ës. LSI edhe në zgjedhjet e vitit 2007 për pushtetin vendor, është forca e tretë politike pas PS dhe PD, për numrin e të zgjedhurve drejtpërdrejtë për njësitë vendore, është po kështu dhe forcë e tretë politike me 10 për qind edhe në sistemin proporcional për këshillat vendore, pas PS me 23 për qind dhe PD me 20 për qind. Në verën e 2006-ës, PS dhe PD duke pranuar Megadushkun, ndryshuan Kushtetutën e vendit dhe përfshinë në KQZ respektivisht LSI dhe PDK.
Rezultatet e zgjedhjeve të 2005
Maxhoritar Proporcionali
PR 0 % 272.746 mijë ose 19.9%
PSD 18.365 mijë ose 1.34% 174.104 mijë ose 12.7%
LSI 112.451 mijë ose 8.23% 114.798 mijë ose 8.4%
PS 536.906 mijë ose 39.29% 121.412 mijë ose 8.8%
PD 602.063 mijë ose 44.06% 104.796 mijë ose 7.6%
Votat e partive në 2007
PS 305,582 23.17 %
PD 271,705 20.60 %
LSI 121,172 9.19 %
PR 75,730 5.74 %
PDR 66,623 5.05 %
PDK 58,484 4.44 %
PSD 52,194 3.96 %