Shitja 1.7 mln euro, gjenden thërrime në llogaritë e Fazlliç
Trazhgim Sokolaj
Personazhi i përfolur për veprime financiare me shifra miliona dollarësh dhe eurosh, biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç, rezulton "i varfër" pas verifikimeve të Prokurorisë në bankat e nivelit të dytë. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave shuma më e madhe e gjetur në llogaritë e Damir Fazlliç nga përgjigjet e mbërritura deri tani në zyrat e hetuesve, është 5 mijë euro. Ditët e fundit në Prokurori kanë filluar të mbërrijnë përgjigjet nga bankat lidhur me kërkesën e organit të akuzës për identifikimin e llogarive dhe depozitave në emër të 33-vjeçarit Damir Fazlliç dhe kompanive të tij. Në shumicën prej këtyre përgjigjeve, sipas burimeve konfirmohet se në emër të biznesmenit boshnjak dhe në llogaritë e kompanive të biznesit në pronësi të tij, gjenden shuma që maksimalisht arrijnë vlerën e 5 mijë eurove. Prokuroria tha se do t'i kërkojë gjykatës bllokimin e këtyre shumave deri në përfundim të hetimeve sapo të mbërrijnë të gjitha informacionet e kërkuara nga tatimet, bankat dhe hipotekat. Hetuesit kanë vërë re një mospërputhje të dukshme mes transaksioneve për të cilat përflitet mediatikisht biznesmeni boshnjak dhe të dhënave që vijnë nga bankat për pronat dhe llogaritë e tij. Një veprim i Damir Fazlliç, konsideruar si i dyshimtë, të cilin Prokuroria po e verifikon nëse ka qenë pastrim parash, ka qenë shitja e një prej kompanive që 33-vjeçari zotëronte në Shqipëri pas vitit 2005. Kjo kompani iu shit një subjekti tjetër për një çmim i referuar dokumenteve të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit, ka qenë 1.7 milionë euro. Mirëpo kjo shumë jo vetëm që nuk është gjetur në llogaritë që Damir Fazlliç ka regjistruar në bankat shqiptare, por vlerat financiare të identifikuara deri më tani janë shumë larg çmimit me të cilin ai ka shitur një prej kompanive që krijoi në Tiranë pas ardhjes në pushtet të Partisë Demokratike në korrik 2005. Procedura e hetimit filloi kryesisht nga Njësia Task-Force në Prokurorinë e Tiranës mbi bazën e fakteve të bëra publike për shitjen e kompanisë "Crown Acquisition", njëra prej subjekteve ekzistuese në Shqipëri me pronar boshnjakun Damir Fazlliç. Dyshohet se kjo kompani pa kryer asnjë aktivitet dhe pa deklaruar qarkullim fitimesh në tatime, u shit në vlerën 1.7 milionë euro pak kohë pasi ishte regjistruar në Tiranë. Hapja e hetimeve ndaj Damir Fazlliç u shoqërua me një përplasje të fortë mes Prokurorisë dhe dy dikastereve në varësi të Qeverisë. Ministria e Brendshme u përfshi në konflikt për shkak se prokurorët akuzuan policinë e Rinasit se nuk kishte vepruar ndaj ftesës së grupit të hetimit për të marrë në pyetje biznesmenin Fazlliç gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 8 tetor 2008. Më pas, Ministria e Drejtësisë tentoi të ushtrojë një kontroll forcërisht mbi dosjen në fjalë në ambientet e Prokurorisë, kur ligji e ndalon njohjen e inspektorëve me akte të dosjeve që janë në hetim nga Prokuroria.
Ortaku i kunatit të Bashës kërkon heqjen e sekuestros në gjykatë
TIRANE - Dionis Teqja, ortak i Erion Isufit, kunatit të ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës për heqjen e sekuestros së kompanisë të tij, bllokuar nga Prokuroria me dyshimin se ka lidhje me bizneset e Damir Fazlliç. Shorti elektronik në gjykatë, dy ditë më parë ka përzgjedhur gjyqtaren Shefkie Demiraj, të cilës dje iu dorëzua kërkesë-padia kundër organit të Prokurorisë së kryeqytetit. Paditësi pohon se organi i akuzës i kryeqytetit ka vendosur në mënyrë të paligjshme bllokimin e kompanisë së tij, e cila nuk ka asnjë lidhje me biznesmenin serbo-boshnjak Damir Fazlliç. Burime nga gjykata pohuan dje se gjyqtarja e çështjes është njohur paraprakisht me kërkesë-padinë e Teqjes dhe ende nuk ka përcaktuar një datë për gjykimin e saj. Edhe Teqja njëlloj si Isufi pretendon se dokumentet shkresore do t'i depozitojë në gjykatë gjatë shqyrtimit të çështjes. Njëlloj si Teqja, edhe Erion Isufi i është drejtuar gjykatës së kryeqytetit, me kërkesën që Prokuroria të heqë sekuestrot nga dy kompanitë e tij. Edhe padia e tij e depozituar në gjykatë dy ditë më parë do të shqyrtohet në ditët në vazhdim nga gjyqtari Sokol Tona. Ende nuk dihet nëse kërkuesit do paraqiten vetë në proces, apo do ngarkojnë avokatë t'i përfaqësojnë. f.m