Propozimi i Godos, kontroll në pikat doganore për importimin e barnave
Emanuela Sako
Barnat që do të importohen nga vendet e huaja do t’i ushtrohen kontrollit nga specialistë të farmaceutikës në çdo pikë doganore të vendit. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, propozoi në Komisionin Parlamentar të Shëndetësisë për ndryshimin e ligjit “Për Barnat dhe Shërbimin Farmaceutik“, i cili vendos nga një specialist për kontrollin e barnave në çdo pikë doganore. Nëpërmjet këtij ligji, çdo subjekt do të ketë mundësi të importojë medikamente pa pasur nevojën e një leje importi, por barnat që do të importohen do të kontrollohen në dogana nga një specialist, i cili do të ketë në dispozicion edhe regjistrin kombëtar të barnave. Vetëm në pikën doganore të Tiranës hyjnë rreth 90 për qind e barnave të importuara. Ky ligj është paraqitur përpara komisionit disa muaj më parë nga Ministria e Shëndetësisë, por në atë kohë nuk është pranuar dhe është rikthyer për rishqyrtim në Ministrinë e Shëndetësisë. Rishikimi i ligjit, u bë përsëri me ekspertë ndërkombëtare, në bashkëpunim me Ministren e Shëndetësisë. Ministrja Godo, prezantoi ndryshimet paraprake të ligjit, të cilat do të sjellin një liberalizim dhe rregullim të tregut farmaceutik. Ky ligj kaloi në parim dhe mori mbështetjen nga anëtarët e komisionit të shëndetësisë, për t’u parë më pas nen për nen.
Barnat
Ne komision u propozua që të pranohen menjëherë të gjitha medikamentet që vijnë nga Bashkimi Europian, Kanadaja por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo ndodh pasi barnat e importuara nga këto vende kanë rezultuar cilësore nga kontrollet e ushtruara më parë. Kështu, ligji i ndryshuar parashikon që Veprimtaria e tregtisë me shumicë e barnave ushtrohet nga persona juridikë, vendas ose të huaj, që janë të pajisur me licencë nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa për fillimin e kësaj veprimtarie, subjekti i interesuar deklaron, në përgjegjësinë e vet, se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për këtë qëllim. Verifikimet do të bëhen nga specialistë të Drejtorisë së Shëndetit Publik Rajonal, e cila bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve pune. Por, nëse deri në përfundim të këtij afati, ky autoritet nuk ka dhënë ende të dhënat, atëherë drejtoria farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë mund të delegojë këtë kompetencë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave e cila duhet të shprehet për 10 ditë. Pas marrjes së raportit të inspektimit të lëshuar nga DSHP-ja përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë ka kohë 10 ditë pune për të dhënë licencën. Licenca tërhiqet nga subjekti pranë zyrave të DSHP-së rajonale. Të gjitha subjektet e licencuara për veprimtarinë e tregtimit me shumicë të barnave, mund të tregtojë me shumicë edhe materiale mjekimi, aksesorë si dhe artikuj higjiene – kozmetik dhe dietetikë. Të gjitha kriteret dhe procedurat e miratimit të veprimtarisë si dhe forma e autodeklarimit të subjektit, do të përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Farmacitë
Ligji i ri parashikon rastet kur personat apo subjektet kanë të drejtë të ushtrojnë tregtimin e barnave me shumicë. Farmacia lejohet të ushtrojë veprimtarinë vetëm në prani të drejtuesit teknik ose të farmacistit të punësuar. Në rast se në një farmaci nuk punon një person që ka autorizimin përkatës dhe ka mbaruar për degën e Farmacisë, MSH-ja merr masa ndaj tyre. Në të njëjtën kohë, Drejtuesi Teknik i farmacisë është i licencuar vetëm për një farmaci. Drejtuesi Teknik dhe farmacistët e punësuar në farmaci duhet të regjistrohen pranë DSHP-së përgjegjëse për rajonin. Njëkohësisht, do të jetë DSHP-ja përkatëse e çdo rrethi të vendit që do të ushtrojë kontrollet në të gjitha farmacitë. Në rast të shkeljes së rregullores për çdo farmaci do të merren masa penalizuese. Drejtuesi teknik i importuesit, eksportuesit dhe shpërndarësit farmaceutik është farmacisti. Farmacisti duhet të jetë anëtar i Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë, me një përvojë pune mbi 2 vjet në sektorin farmaceutik. Ai do të përgjigjet për të gjithë veprimtarinë, teknike dhe profesionale, që zhvillon subjekti. Farmacisti duhet të ketë kryer përvojë pune mbi tre vjet për të hapur një farmaci të tijën.
Import-Eksporti
Në bazë të ligjit të ri të hartuar veprimtaria e import-eksportit të barnave ushtrohet nga persona juridike, vendas ose te huaj, vetëm pas marrjes së licencës profesionale për drejtuesin teknik farmacist me përvojë pune 2 vjeçare në profesion. Procedura e importimit të barnave do të bëhet pranë zyrave doganore të hyrjes, ku gjithçka do t’i nënshtrohet kontrollit të imtësishëm nga specialisti përkatës i autorizuar nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa Qendra Kombëtare e Kontrollit të Barnave përgatit periodikisht, çdo vit, regjistrin e barnave me çmimet përkatëse dhe emrin e importuesve të autorizuar nga kompanitë dhe çdo muaj publikon ndryshimet që mund të ndodhin në listën e barnave. QKKB-ja është e detyruar të depozitojë regjistrin e barnave dhe ndryshimet e reja pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.
Tregtimi me shumicë i barnave
Veprimtaria e tregtisë me shumicë e barnave ushtrohet nga persona juridikë, vendas ose të huaj, të pajisur me licencë nga Ministria e Shëndetësisë.
Për fillimin e veprimtarisë së mësipërme, subjekti i interesuar deklaron, në përgjegjësinë e vet, se përmbush të gjitha kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi për këtë qëllim.
Drejtoria e Shëndetit Publik Rajonal bën verifikimin e deklarimeve të dhëna nga subjekti brenda 20 ditëve pune.
Nëse deri në përfundim të këtij afati, ky autoritet nuk shprehet, drejtoria farmaceutike pranë Ministrisë së Shëndetësisë mund të delegojë këtë kompetence Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave e cila duhet të shprehet për 10 ditë.
Pas marrjes së raportit të inspektimit të lëshuar nga DSHP-ja përgjegjëse Ministria e Shëndetësisë ka kohë 10 ditë pune për të dhënë licencën. Licenca tërhiqet nga subjekti pranë zyrave të DSHP-së rajonale.
Subjekti i licencuar për veprimtarinë e tregtimit me shumicë të barnave, mund të tregtojë me shumicë edhe materiale mjekimi, aksesorë si dhe artikuj higjiene – kozmetik dhe dietetikë.
Kriteret dhe procedurat e miratimit të veprimtarisë si dhe forma e autodeklarimit, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
Farmacitë
Farmacia lejohet të ushtroje veprimtari vetëm në prani të drejtuesit teknik ose të farmacistit të punësuar.
Drejtuesi Teknik i farmacisë është i licencuar vetëm për një farmaci.
Drejtuesi Teknik dhe farmacistët e punësuar në farmaci duhet të regjistrohen pranë DSHP-së përgjegjëse për rajonin.
Kriteret dhe procedurat e miratimit të veprimtarisë si dhe forma e autodeklarimit, përcaktohen me Vendim të Këshillit të Ministrave.
7 Tetor 2008