Buxheti 2009, miratohet ulja e të ardhurave me 6,2 miliardë
Mosrealizimi i mbledhjes së të ardhurave nga Kontributet Shoqërore , Shëndetësore si dhe nga të ardhurat Tatimore ka krijuar një tjetër gropë në buxhetin e vitit 2009. Zv.ministri i Financave, Nezir Haldeda ka raportuar dje para Komisionit të Ekonomisë arsyet e ndryshimit të buxhetit duke theksuar edhe pikat më të rëndësishme të kësaj kërkese. Sipas Haldedës deri në fund të vitit 2009 të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit pritet të arrijnë 319.9 miliardë lekë ose rreth 6.2 miliardë lekë më pak se buxheti i rishikuar. Ndërkohë sipas Ministrisë së Financave mosrealizimi në mbledhjen e të ardhurave nga Kontributet Shoqërore dhe Shëndetësore është në shifrën 3.7 miliardë lekë kurse mosrealizimi i të ardhurave Tatimore është rreth 3.2 miliardë lekë. Pas shqyrtimit të këtyre ndryshimeve Komisioni i Ekonomisë ka dhënë "ok" unanimisht për këtë propozim të ardhur nga Ministria e Financave. Me ndryshimet e propozuara në aktin normativ të ardhurat dhe shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit në fund të vitit 2009 pritet të jenë përkatësisht rreth 27.2 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe 34.1 për qind e PBB-së. Si rrjedhojë,edhe niveli i deficitit buxhetor arrin në 4.5 për qind të këtij prodhimi, pa marrë parasysh të ardhurat nga privatizimet. Ndryshimet në aktin normativ të miratuar dje vinin si rrjedhojë e rritjes së paparashikuar të shpenzimeve për një sërë kategorish të caktuara siç janë asistenca sociale, rritja e pagave dhe shpenzimet operative.