Kriza e të ardhurave, në rrezik borxhi 300 milionë euro
Ruajtja e vlerësimit të riskut, për marrjen e borxhit 300 milionë euro, ka detyruar Ministrinë e Financave të kërkojë ndryshimin e buxhetit të vitit 2010. Në një letër të brendshme për institucionet dhe ministritë e linjës, Ministri i Financave ka kërkuar uljen e menjëhershme të shpenzimeve, duke parashikuar gjithashtu se edhe të ardhurat nuk do të jenë sipas parashikimeve. Sipas letrës së ministrit, rivlerësimi i shpenzimeve duhet të bëhet para marsit, në mënyrë që vlerësimi që do kërkohet për riskun e buxhetit të shtetit nga bankat e huaja, që do të ofrojnë kredinë, të qëndrojë sërisht stabël. Duhet theksuar se vetëm pak javë më parë, një vlerësim i Moody's, një ndër kompanitë më të mëdha të vlerësimit të riskut ekonomik, e vlerësoi ekonominë shqiptare me notën b1 dhe komentin stabël. Por duket se bankat që kanë ofruar për blerjen e eurobondit 300 milionë euro, kanë kërkuar një tjetër vlerësim për ekonominë shqiptare. Bode në letrën e tij pranon se një vlerësim i tillë mund të bëhet në mars. Sipas burimeve nga Financat, në rast se buxheti nuk rregullohet brenda vlerësimit, atëherë Qeveria rrezikon të përkeqësojë kushtet e marrjes së kësaj kredie. Sipas ekonomistëve, në rast se buxheti i vitit 2010 vazhdon të mbajë në të njëjtin nivel shpenzimet, ndërkohë që parashikohet një ulje e të ardhurave, atëherë edhe vlerësimi do të jetë më negativ. Si rezultat, bankat e huaja që kanë ofruar interes për blerjen e eurobondit, do të rishikonin normën e interesit, afatin e kredisë dhe deri në besimin e dhënies ose jo të saj. Letra e Bodes, në fakt është vazhdimi i parashikimit të Financave, që në fillim të janarit për rishikimin e shpenzimeve. Sipas burimeve të sigurta, ministria ka urdhëruar thesarin që të mos lëvrojë para për projektet që nuk janë prioritare për ministritë. Duke shfrytëzuar një nen në ligjin për menaxhimin e sistemit buxhetor, Financat kanë ngrirë 25 miliardë lekë shpenzime në buxhetin e vitit 2010. Financat pranojnë se rritja ekonomike do të jetë 3 për qind. Kështu janë hequr nga plani i investimeve gjatë pjesës së parë të vitit 20 miliardë lekë në zërin e shpenzimeve kapitale dhe 5 miliardë lekë në zërin e shpenzimeve korrente. Shpenzimet kapitale ulen nga 86 miliardë lekë, në 66 miliardë lekë. Ndërsa shpenzimet korente, nga 231, në 226 miliardë lekë. Financat sigurojnë se këto ngritje fondesh nuk do të prekin pagat dhe pensionet. Ngritja e fondeve, sipas ligjit për menaxhimin e buxhetit, do të thotë shtyrja e tyre në kohë. Kështu, sipas këtij ligji, Ministri i Financave do të aprovojë lëvrimin e fondeve nga thesari, vetëm për projektet prioritare të ministrive. Në këtë mënyrë, të gjitha ministritë do të duhet të rishikojnë edhe një herë projektet dhe të zgjedhin për aplikim në pjesën e parë të vitit, vetëm ato të domosdoshme. Por ky ndryshim vetëm në bazë të ligjit të buxhetit, pritet të kthehet në një ndryshim definitiv në buxhetin e shtetit për vitin 2010. Brenda marsit, Financat parashikojnë një buxhet tjetër, me më pak të ardhura dhe me shumë më pak shpenzime. Kjo si e vetmja mënyrë për të ruajtur imazhin e një vendi me buxhet stabël, dhe si rrjedhojë edhe marrjen e kredisë në formën e eurobondit, me vlerë prej 300 milionë eurosh.