E Diel, 1 Nëntor 2026

Progres-Raporti i KE-së shkakton debate në Kuvend. Bregu, Ballës: “PS-ja nuk ka patur fatin të ketë një raport të tillë”



Deputetët janë përqendruar gjatë seancës së djeshme në diskutimin e Progres-Raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë. Deputetët e opozitës e kanë cilësuar raportin negativ për qeverisjen dhe kanë nxjerrë në pah kritikat e bëra në këtë dokument. Deputeti Taulant Balla, gjatë fjalës së tij, e cilësoi raportin e KE-së në vend të përgjigjes së Berishës kundrejt mocionit të kërkuar nga opozita me kryeministrin Berisha. “Pjesa më e madhe e përgjigjeve të mungura të kryeministrit Berisha ndaj mocionit të kërkuar nga opozita gjenden te raporti i KE-së”, - është shprehur Balla. Ai ka vënë në dukje se në raport kritikohen marrëdhëniet e Kuvendit me institucionet e pavarura, veçanërisht me Presidentin e Republikës dhe me Prokurorinë e Përgjithshme. Sipas Ballës, Kuvendi mban përgjegjësi për mungesën e monitorimit të procesit të integrimit, ndërsa qeveria nuk i përputh të gjitha ligjet me standardet e kërkuara nga BE-ja. “Administrata publike vazhdon ndryshimet nga presionet politike që kanë filluar që në vitin 2005. Pjesa më e errët e raportit është ndërhyrja e qeverisë në proceset gjyqësore dhe rasti më i freskët është pengimi i prokurorisë që të vepronte në rastin Fazlliç”,- është shprehur Balla. Ndërsa ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i bëri thirrje opozitës që të mos zbehë arritjet e qeverisë. Ajo, madje, bëri të ditur se e vetmja kritikë sipas saj që rezulton në Progres-Raport bëhet ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës për bllokimin e lejeve të ndërtimit. Më tej, Bregu në replikë ndaj Ballës u shpreh se opozita nuk ka patur fatin të ketë gjatë qeverisjes së saj një raport kaq pozitiv. “Unë e kuptoj sikletin e zotit Balla pasi ju s’keni patur fatin që të kishit një raport-progres të tillë nga Komisioni Europian. Prisni se ndoshta pas 40 vjetësh edhe mund ta keni këtë rast”, - është shprehur Bregu.

7 Nentor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›