Buxheti 2010-2013, sa do rriten pagat e pensionet
Fabiola Çela
Pagat e punonjësve buxhetorë do të rriten mesatarisht me 5 deri në 7 për qind. Ndërsa rritja mesatare e pensioneve është parashikuar të jetë 11 për qind. Edhe për vitet në vijim, qeveria ka vendosur që shpenzimet kapitale të qëndrojnë në nivelin prej 7.03 për qind të PBB-së. Pjesa më e madhe e parave do të shkojë për ato investimet strategjike që kanë nisur por nuk kanë përfunduar ende. Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria ka miratuar projektvendimin për disa ndryshime në kuadrin makroekonomik fiskal për periudhën 2010-2012.
Pagat
Fondi i shpenzimeve të personelit, pra paga dhe sigurimet shoqërore parashikohet të ruajnë nivelin prej 5.2 për qind të PBB-së, për periudhën 2010-2012. Këtu është përjashtuar rezerva për rritjen e parashikuar të pagave, e cila për vitin 2010 kap shifrën e 3 miliardë lekëve. Për periudhën 2010-2012 parashikohet një rritje mesatare e pagave në masën 5-7 për qind. “Niveli i transfertës për Institutin e Sigurimeve Shoqërore dhe Institutin e Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor është rezultante e nivelit të të ardhurave që parashikohen për këto institucione dhe nivelit të shpenzimeve për këto institucione. Niveli i shpenzimeve për ISSH-ë parashikohet të arrijë në 80.9 miliardë lekë në 2010, ndërsa për vitin 2011 niveli i shpenzimeve për ISSH-ë parashikohet të jetë 84.1 miliardë lekë. Kurse për vitin 2012 niveli i shpenzimeve është parashikuar të jetë 87.5 miliardë lekë”, thuhet në projektvendimin e miratuar nga qeveria.
Shpenzimet kapitale
Shpenzimet kapitale për vitin 2010 do të qëndrojnë në nivelin prej 7.03 për qind të PBB-së, ku shpenzimet me financim të huaj do të rriten në 1.85 për qind të PBB-së. Shpenzimet kapitale do të vazhdojnë me ritme të larta në sektorët prioritarë të qeverisë, si infrastruktura, arsimi, shëndetësia dhe bujqësia e zhvillimit rural. Për vitin 2011 ato parashikohen 7.05 për qind të PBB-së, ndërsa në vitin 2012 kapin masën e 6.9 për qind të PBB-së. Me prioritet në listën e investimeve do të vazhdojnë të përzgjidhen ato investime, të cilat janë vazhdim i projekteve të mëparshme, investime të cilat janë strategjike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit. Qeveria ka parashikuar që shpenzimet totale buxhetore për periudhën 2010-2012 të jenë në masën e 411.7 miliardë lekë ose 32.02 për qind e PBB-së. Ndërsa shpenzimet korente parashikohen të jenë 24.29 për qind të PBB-së në vitin 2010, 24.05 për qind të PBB-së në 2011, dhe 23.76 për qind të PBB-së në 2012.
Tabela e buxhetit
2010 1011 1012
Totali i të ardhurave
368309 409346 453335
Të ardhura tatimore
337946 376895 418436
Nga tatimet dhe doganat
354713 282977 313546
Të ardhura nga pushteti vendor
20948 23434 26153
Të ardhura nga buxheti i pavarur
62285 70484 78737
Të ardhura jotatimore
23873 25306 26824
Totali i shpenzimeve
411727 456447 497814
Interesat
37240 40316 42003
Shpenzime operative mirëmbajtje
40402 47348 55398
Subvencionet
2500 2900 2900
Mbështetje për energjinë
- - -
Shpezimet për Sig. Shoq. e Shëndetit
106366 110621 115045
Shpenzime për buxhetin lokal
39433 42634 47732
Shpenzime të tjera
18942 21220 24003
Fondi rezervë, kontigjenca
8952 14873 17872
Kompensimi në vlerë i pronarëve
700 1200 1700
Shpenzime kapitale
90402 100109 108036
Deficiti
-43418 -47101 -44479
Financim i deficitit
43418 47101 44479
I brendshëm
34303 38351 34819
I Huaj
9115 8750 9660
Interesat 2.9 për qind e PBB-së
Shpenzimet për interesa në vitin 2010 do të ruajnë nivelin 37.2 miliardë lekë ose 2.9 për qind e PBB-së, nga 3 për qind e PBB-së që ishte në vitin 2009. Parashikimi i nivelit të shpenzimeve për interesa dhe nivelit të ripagesave, pra pagesa e principalit të borxhit të huaj, është bazuar në fluksin e huamarrjes së brendshme dhe të huaj, si dhe në nivelin e parashikuare të normës së interesit në kushtet e një situate makroekonomike të qëndrueshme.
Ndihma ekonomike
Qeveria ka parashikuar që shpenzimet për ndihmë ekonomike dhe paaftësi, pagesë papunësie dhe kompensim për ish- të përndjekurit politikë, të arrijnë në 1.47 për qind të PBB-së në 2010, 1.49 për qind në 2011, dhe 1.53 për qind në 2012. Sipas projektvendimit të miratuar nga qeveria, edhe gjatë viteve në vijim do të vazhdohet të mbahet parasysh politika për një rritje të diferencuar midis zërave. Ndërkohë që ndihma ekonomike, si rezultat i përmirësimeve ligjore dhe administrative do të vijë duke u ulur. Pjesa më e madhe e pagesës do të shkojë për pagesën e paaftësisë, si rezultat i indeksimit të saj, rritjes së numrit të përfituesve dhe përmirësimit të procedurave të përfitimit të një statusi të tillë.
Fondi rezervë
Niveli i fondit rezervë dhe kontigjencës së Këshillit të Ministrave për tre vitet e ardhshme, është parashikuar të rritet gradualisht duke rezultuar 8.9 miliardë lekë në 2010, 14.8 miliardë lekë në 2011 si dhe 17.8 miliardë lekë në 2012. Më konkretisht, qeveria ka parashikuar që në vitin 2012 fondi rezervë i Këshillit të Ministrave të arrijë në 5 miliardë lekë fondi kontigjencë për financimin e deficitit në 9.97 miliardë lekë. Ndërsa fondi kontigjencë për rritjen e pensioneve është parashikuar të jetë 2.7 miliardë lekë në 2010, 2.6 miliardë lekë në 2011 si dhe 2.9 miliardë lekë në 2012. Niveli i shpenzimeve për kompensimin në vlerë të ish-pronarëve është parashikuar që të arrijë vlerën e 700 milionë lekëve
në 2010, 1.2 miliardë lekë në 2011 si dhe 1.7 miliardë lekë në 2012.