Ivanov drekë për Topin e Sejdiun
ADI SHKEMBI
Pa u mbushur ende tre javë nga takimi i krerëve të shteteve të rajonit në Vlorë, Presidenti Bamir Topi dhe homologu i tij kosovar, Fatmir Sejdiu, ftohen në një takim joformal nga kreu i shtetit maqedonas, Gjorgje Ivanov. Dreka u mbajt në qytetin e Ohrit, ku u zhvillua edhe ceremonia e aktivitetit kulturor “Vera e Ohrit”. Takimi që ka ngjallur më shumë interes ka qenë pikërisht ai mes Ivanov dhe Sejdiu, i cili është edhe takimi i parë i Presidentit Ivanov në Maqedoni me homologun e tij kosovar Fatmir Sejdiu. Sipas agjencisë maqedonase të lajmeve, të dy presidentët kanë theksuar bashkëpunimin e mirë që kanë Kosova dhe Maqedonia, si dhe hapat për thellimin edhe më tej të këtij bashkëpunimi, me theks të veçantë në liberalizimin e lëvizjes së qytetarëve, bashkëpunimin ekonomik dhe fusha të tjera. Gjithashtu është biseduar edhe rreth vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shkupit dhe Prishtinës. Mësohet se Presidenti Ivanov ka thënë se është çështje kohe dita kur do të hapet përfaqësia diplomatike e Maqedonisë në Prishtinë. Më pas tre krerët e shteteve janë ulur në një drekë pune, ku kanë biseduar për marrëdhëniet mes vendeve të rajonit. Në përfundim të këtij takimi, Presidenti Bamir Topi vuri theksin te bashkëpunimi mes vendeve, duke shprehur bindjen se pas këtyre dy takimeve do të ketë edhe një takim të tretë në Prishtinë. “Pra, jemi futur në rrjedha totalisht pozitive për rajonin dhe për vendet tona respektive, pra, ku lidershipi politik mban kontakte të rregullta do të thosha frekuente në funksion të paqes, të dialogut dhe sigurisë në rajon dhe në funksion të asaj ëndrre të përbashkët, për t’u integruar në Evropë”, u shpreh Topi. “Ky takim i yni dhe takimet që ne kemi vendosur në axhendë influencojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe psik-ologjikisht tek popullata, që njerëzit të jenë të lirë, të lëvizin të lirë, të shkëmbejnë vlerat e tyre, të shkëmbejnë bizneset e tyre dhe unë besoj që sot ne gjykojmë që këto marrëdhënie janë në nivelin më të mirë të mundshëm”, vijoi më tej kreu i shtetit shqiptar. Nga ana e tij, Presidenti Fatmir Sejdiu e vlerësoi si shumë të rëndësishëm këtë takim. “Dëshiroj të vlerësoj për ftesën që na bëri Presidenti Ivanov sepse pata rastin të bisedojmë gjatë dhe për çështje të bashkëpunimeve, jo për probleme, por për çështje të bashkëpunimeve sa më intensive dhe natyrisht edhe sot dhe me Presidentin Topi, ne do të vazhdojmë një traditë të mirë të takimeve dhe të bashkëpunimit midis vendeve tona dhe kjo është një dëshmi e mirë dhe e drejtpërdrejtë e gatishmërisë sonë për të lëvizur në procese të rëndësishme integruese”, u shpreh Sejdiu.
Takimi i presidentëve pas krizës
Takimi me presidentët e rajonit në Ohër u zhvillua pas kalimit të krizës qeveritare të vendit fqinj, kur u desh të rikompozohej kabineti qeveritar i Maqedonisë. Parlamenti maqedonas miratoi pak ditë më parë emërimin e tre zëvendë-skryeministrave dhe ministrave të rinj të qeverisë konservatore të kryeministrit Nikola Gruevskit. Zëvendëskryeministri i dorëh-equr, i cili ishte i ngarkuar me Çështjet Ekonomike, Zoran Stavrevski, u emërua në postin e Ministrit të Financave, Vasko Naumovski, u caktua në postin e zëvendëskryeministrit për-gjegjës për Integrimin Evropian dhe Vladimir Pesevski në postin e zëvendëskryeministrit përgjegjës për Çështjet Ekonomike. Parlamenti miratoi emërimet e Ljupce Dimovski, në postin e Ministrit të Bujqësisë dhe të Nikola Todorov në postin e Ministrit të Arsimit.
Incidenti në ceremoninë e Ivanov
Maqedonia nuk ftoi Presidentin Fatmir Sejdiu në ceremoninë zyrtare të inaugurimit të Presidentit të ri, Gjorgje Ivanov. Sipas mediave rajonale, mungesa e një ftese për kreun e shtetit më të ri, vjen për faktin se në këtë ceremoni do të ishte edhe Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç. Nga ana tjetër, Presidenti i Kosovës, Sejdiu, e refuzoi ftesën e Presidentit maqedonas, për një vizitë në vendin fqinj, pasi u sigurua se Shkupi nuk do ta presë me ceremoni zyrtare, siç ndodh zakonisht me kreun e çdo shteti.
Topi pritje private për Presidentin maqedonas
Tirana zyrtare teksa deklaron se Prishtina duhet të jetë pjesë e tryezave rajonale, i ofroi Presidentit maqedonas një pritje private. Pas mungesës së një ftese zyrtare për Presidentin Sejdiu në inaugurimin e Ivanovit si President i Maqedonisë, Topi duket se ka zgjedhur të njëjtën rrugë me homologun e tij maqedonas, duke mos preferuar një pritje zyrtare për të në Pallatin e Brigadave, por një pritje private në hotel “Adriatik” në plazhin e Durrësit.
Takimi rajonal në Vlorë
Pak ditë para zgjedhjeve në Tiranë, Presidenti Topi organizoi në Vlorë një tryezë me krerët e Kosovës, Malit të Zi dhe Maqedonisë. Pas dy ditë takimesh, krerët e katër shteteve ranë dakord për bashkëpunimin mes dy vendeve, rritja e sigurisë në rajon dhe për të punuar së bashku në integrimin e vendeve tona në strukturat euro-atlantike. Ky takim rajonal i ka shërbyer më shumë Malit të Zi dhe Kosovës për të zgjidhur dy çështje kyçe, kthimin e qytetarëve kosovarë dhe përfaqësimi i komunitetit malazez në Parlamentin e Kosovës.