“Koalicioni PD-LSI, zgjidhja e vetme për të ardhmen”
Përfaqësuesit e partive politike në Kosovë, e konsiderojnë koalicionin PD-LSI në Shqipëri si një veprim të zakonshëm, i cili do të tregojë suksese gjatë mandatit katër vjeçar të qeverisjes. “Unë kam thënë edhe para se të kryhen zgjedhjet, që e mundshmja e madhe është që LSI dhe PD do të bëjnë qeverinë. Në këtë rast interesat e përbashkëta mes PD-së dhe LSI-së janë bërë bashkë, janë të njëjta dhe kanë bërë një marrëveshje që dhe unë nuk e shoh si një tragjedi apo katastrofë, ashtu siç mund ta trajtoj dikush”, tha Xhavit Haliti, anëtar i Kryesisë së Parlamentit të Kosovës. “Vota e qytetarëve të Shqipërisë e diktoi një koalicion dhe besoj që ka qenë e domosdoshme për të ruajtur stabilitetin dhe për të mos thelluar krizën, për të mos dërguar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme. Është gjetja e një formule që koalicioni i djathtë është dashur ta zgjeroje qeverisjen dhe në këtë rrafsh partneri i vetëm do të thosha ka qenë Ilir Meta”, u shpreh Lutfi Haziri, kryetar i Grupit Parlamentar të LDK-së. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka shprehur haptazi mbështetjen që i jep një koalicioni të tillë, i cili pritet të marrë përgjegjësi të mëdha për të ardhmen evropiane të vendit. “Ne e kemi shprehur kënaqësinë tonë që Partia Demokratike e Sali Berishës i ka fituar zgjedhjet në Shqipëri, po ashtu e kemi shprehur edhe kënaqësinë tonë që në këto rrethana PD-ja ka arritur një marrëveshje me LSI-në, mendoj se janë dy forca serioze politike të përbëra prej njerëzve që e duan vendin, njerëz seriozë, dhe mendojmë se në 4 vitet që vijnë ky koalicion do t’i sjellë shumë të mira vendit”, vlerësoi Ardian Gjini, shef i Grupit Parlamentar të AAK-së. Lidershipi kosovar, menjëherë pas formimit të koalicionit PD-LSI, ka përkrahur këtë vendim duke e konsideruar të vetmin të mundshëm për krijimin e një qeverisje.