E Diel, 1 Nëntor 2026

Buxheti 2010, Berisha: Do ndërtoj 5 tunele

Qeveria nuk do të ndalë së ndërtuari tunele. Pas suksesit të Rrëshen-Kalimash, Kryeministri Sali Berisha tha dje me bindjen e plotë se do të ndërtojë edhe pesë tunele të tjerë. Duke folur për projektbuxhetin e vitit 2010, Berisha e vuri theksin te projektet e mëdha rrugore, që tashmë në vëmendje do të jenë Rruga e Arbrit dhe Boshti i Jugut (veçanërisht Berat-Tepelenë). Më herët, Kryeministri vuri në dukje suksesin e qeverisë për të përballuar krizën. "Bëmë gjëra të mëdha. Rritëm pagat dhe pensionet, kurse investimet nuk i ndalëm", tha kreu i qeverisë, duke shtuar se efekti negativ që preku Europën dhe rajonin nuk pati mundësi të shtrihej edhe në Shqipëri, pasi u korrën të gjitha masat. Kurse ministri i Financave tha se krizën ekonomike globale do të frenojnë me planin e investimeve, që prekin nivelin e rreth 900 milionë dollarëve, pa përfshirë këtu fondet për bashkitë dhe komunat.

Planet e mëdha

Për Kryeministrin Berisha është shumë e rëndësishme mirëqenia ekonomike e shqiptarëve dhe në këtë mënyrë vendosi si prioritet kryesor vijimin e ndërtimit të rrugëve, si dhe rritjen e pagave e pensioneve deri në masën 15 për qind. I gjithë projekti, sipas Berishës, do të arrihet falë planit për më shumë të ardhura, që prekin nivelin e 361 miliardë lekëve. Duke u ndalur te rrugët, Berisha tha se "do të ndërtojmë aksin e Arbrit, bashkë me dy tunele, për t‘i dhënë mundësi transportit të shpejtohet. Po ashtu kemi në plan të ndërtojmë edhe tre tunele të tjera, një në Elbasan dhe dy në aksin Berat-Tepelenë". Kryeministri e bëri këtë premtim me ndërgjegjen e plotë se do të jetë e vështirë, për dy arsye të pranuara nga vetë ai. "Do t‘i ndërtojmë tunelet edhe pse kushtet gjeologjike nuk janë të duhura, si në Rrugën e Arbrit, ashtu edhe në Elbasan. Do t‘i ngremë këto tunele, edhe pse kushtojnë shumë, pasi ne nuk mund t‘i lëmë shqiptarët të vuajnë", theksoi Berisha. Ndërkaq, pas Kryeministrit qëndronte ministri i Transporteve, i cili dëgjonte me vëmendje, duke mbajtur shënime. Kryeministri foli edhe për rritjen e pagave deri më 14 për qind për mjekët dhe infermierët, ndërsa në politikën e rrogave të larta do të përfshihen edhe gjykatësit e prokurorët. "Nuk do të mbeten pas as pensionistët, të cilëve do ua rrisim të ardhurat deri në 10 për qind", tha Berisha. Kryeministri përmendi edhe faktin e uljes së shpenzimeve, duke marrë si shembull vendimin për heqjen e makinave të zyrtarëve të lartë. "Ju garantoj që ato 3 miliardë lekë të kursyera nga makinat e hequra të zyrtarëve, do t‘i kthejmë në rroga e pensione", tha Berisha.

Presion krizës me investime

Ministri i Financave e vë theksin te rritja e investimeve publike, të cilat kapin nivelin e 8 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Sipas Bodes, kriza preku një sërë vendesh të rajonit dhe Europës, por jo Shqipërinë, pasi qeveria i mori të gjitha masat, duke ulur me 25 për qind kontributet dhe rritur pagat e pensionet, përfshi rritjen e investimeve. Ministri gjatë fjalës në Parlament përmendi planin e rritjes së pagave dhe pensioneve gjatë vitit që vjen. Kështu, pagat parashikohen të rriten nga 1 korriku me 4 deri në 10 për qind të nivelit ekzistues, me një efekt vjetor prej rreth 6 miliardë lekësh. Ndërsa pensionet nga 1 korriku 2010 do të rriten me 7 deri në 15 për qind nga niveli ekzistues, me një efekt vjetor prej 5.8 miliardë lekësh. Duke i ndarë në sektorë të ndryshëm, Bode theksoi buxhetin e shëndetësisë dhe arsimit. "Fondet për shëndetësinë rriten me 20 për qind në krahasim me vitin 2009 dhe investimet me 56 për qind në këtë sektor. Ndërsa në arsimin publik respektivisht rriten me 12 për qind dhe 32 për qind në krahasim me vitin në vijim", tha ministri i Financave.

Buxheti i vitit të ardhshëm propozohet të jetë në shumën e 411 miliardë lekëve, ose sa 32 për qind e PBB-së.

Parametrat e borxhit

Ministria e Financave pretendon se me buxhetin 2010 do të ulet ndjeshëm deficiti, krahasuar me vitet e kaluara. "Deficiti i vitit të ardhshëm do të jetë sa 3.9 për qind e PBB dhe borxhi publik mendohet të ulet edhe me të paktën 1 pikë përqindje ndaj PBB", tha Bode. Nga të dhënat e ofruara prej ministrisë del se stoku i borxhit për 2010-ën do të rritet me të paktën 70 miliardë lekë, ku konkretisht për mbështetjen buxhetore do të merren hua rreth 50 miliardë lekë. Sipas kreut të Financave, huaja mund të merret nga donatorët e huaj përmes kredive, duke shmangur presionet e tregut bankar vendas. Sa i takon rezervës për çdo paparashikim, janë vendosur në dispozicion rreth 200 milionë dollarë, të gatshme për 2010-ën.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›