E Diel, 1 Nëntor 2026

Fëmijët e varfër jo në jetimore, po te të afërmit

Në përvjetorin e njëzetë të miratimit të Konventës mbi të Drejtat e Fëmijës nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (KB), Amnesty International i bën thirrje autoriteteve shqiptare të sigurojnë që fëmijët të mos vendosen në jetimore kur është e panevojshme. Amnesty International është e shqetësuar se varfëria mbetet një nga arsyet kryesore për vendosjen e fëmijëve në jetimore në Shqipëri dhe largimin e tyre nga familja. Shumë prej këtyre fëmijëve e kanë një prind ose një të afërm, por këta nuk mund ta përballojnë ekonomikisht rritjen e tyre. Organizata i bën thirrje qeverisë që t‘i mbështesë dhe t‘u japë një ndihmë të mjaftueshme këtyre familjeve, në mënyrë që ato të mund t‘i rrisin fëmijët e tyre brenda familjes. Në një memorandum dërguar këtë javë Presidentit të Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare, organizata shkruan: "Sot në kujdes rezidencial gjenden fëmijë interesat e të cilëve do të mbroheshin më mirë nëse do të qëndronin me familjet e tyre, dhe të cilët e kanë një prind ose të afërm, që do të kujdesej për ta, sikur t‘u ofrohej mundësia e një ndihme ekonomike dhe përkrahjeje tjetër". Këtyre fëmijëve po u mohohet e drejta për një jetë familjare. Amnesty International është gjithashtu e shqetësuar se, fëmijëve jetimë dhe atyre pa kujdes prindëror që largohen nga Shtëpitë e Fëmijës, nuk u ofrohet përkujdes individual, mbikëqyrje dhe ndjekje e mëtejshme e mjaftueshme; sidomos ata që dërgohen në shkolla të mesme profesionale me konvikt, nuk marrin mbrojtjen dhe ndihmën e duhur nga shtet. Si rezultat, shumë prej tyre e lënë shkollën dhe nuk marrin aftësitë dhe kualifikimet që do t‘u krijonin mundësinë të jetonin në mënyrë të pavarur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›