E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqipëria, më pak investime nga sa meriton

Shqipëria ka thithur investime të huaja të drejtpërdrejta shumë të pakta në krahasim me potencialin e vet dhe ka nevojë të qartësojë disa politika të rëndësishme që të përballet me botën e paskrizës, thanë dy ekspertë të "Ernst & Young", të pranishëm në Tiranë në konferencën për investimet në Ballkan, organizuar nga Korporata Financiare Ndërkombëtare. Sipas të dhënave të publikuara gjatë konferencës, Shqipëria ka tërhequr rreth 1 për qind të investimeve totale të huaja të kryera në rajonin tonë përgjatë pesë viteve të fundit, shifër kjo nga më të ulëtat në rajon, me përjashtim të Malit të Zi dhe Kosovës. Rumania ka tërhequr 49 për qind të investimeve të huaja, pasuar nga Bullgaria me 23 për qind dhe Serbia me 13 për qind. Studimi u përgatit nga konsulenti ndërkombëtar "Ernst & Young" për llogari të Bankës Botërore.

"Shqipëria mund të jetë shumë më tërheqëse për investimet e huaja nga sa është", thotë Hanno Lindpere, këshilltar ekonomik. "Duke marrë parasysh moshën mesatare të popullatës dhe kushtet gjeografike, duket se niveli aktual i investimeve të huaja është shumë poshtë potencialit", tha ai në një intervistë për "Shqip".

Investitorët e intervistuar gjatë hartimit të raportit, nxorën në pah se ka interes për të investuar në rajonin tonë më shumë se sa në rajone të tjera të botës, por gjithsesi kriza ka krijuar një situatë të vështirë.

"Ajo çfarë shihet sot është fakti se niveli i rrezikut për investitorët e huaj në Ballkan ka mbetur i njëjtë, ndërkohë që normat e fitimit për investimet janë ulur. Për pasojë, edhe dëshira e investitorëve për të marrë rreziqe është ulur", thotë Alexandros Karakitis, përgjegjës për rajonin tek "Ernst & Young".

Banka e Shqipërisë i sugjeroi pak javë më parë qeverisë dhe publikut të gjerë hapjen e një debati mbi burimet e financimit të zhvillimit të ardhshëm ekonomik të Shqipërisë, duke theksuar se thithja e investimeve të huaja të drejtpërdrejta duhet të jetë një politikë kyçe. Sipas ekspertëve, në fakt shumica e kompanive shumëkombëshe të rëndësishme nuk kanë shprehur ndonjë interes të veçantë për rajonin e Ballkanit në tërësi, apo për Shqipërinë në veçanti. "Hapat drejt integrimit në Bashkimin Europian janë të domosdoshëm për thithjen e investimeve të huaja", tha Lindpere.

Ekspertët thonë se rajoni ynë është prekur më pak nga kriza ekonomike botërore, por kjo gjë është para së gjithash për shkak të nivelit të ulët ekonomik të rajonit dhe përmasave të vogla të ekonomive. Stimujt fiskalë për të eliminuar një pjesë të krizës nuk janë shumë të këshillueshme për vendet e varfra, për shkakun e thjeshtë se janë të vështira të financohen.

Jo shumë përfitime nga taksa e sheshtë

Ekspertët vlerësojnë se gara mes vendeve të Ballkanit për të thithur investimet e huaja përmes uljes së tatim-fitimit duket se nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret. Deri më sot, Maqedonia, Shqipëria dhe Mali i Zi, kanë ulur në 10 apo më pak për qind, me shpresë se në këtë mënyrë do të joshen investitorët e huaj të transferojnë kapacitetet prodhuese në këto vende. Por në fakt këto janë ende vendet me nivelet më të ulëta të investimeve.

"Qartësia, parashikueshmëria dhe konsistenca e politikës fiskale janë më të rëndësishme se sa tatimi mbi fitimin", thotë Karakitis. Shumë ekspertë shpjegojnë se një investim afatgjatë nuk mund të bazohet te niveli i tatimit mbi fitimin. "Nëse synon të investosh në një vend për njëzet vitet e ardhshme, atëherë është e qartë se tatim-fitimi mund të ndryshojë gjatë kësaj kohe", thotë Lindpere.

"Lehtësia e rimbursimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar ka më shumë rëndësi, standardet e kontabilitetit gjithashtu", thotë Karakitis. Shqipëria zbaton standardet e veta të kontabilitetit, ndërkohë që në vendet e Bashkimit Europian është e pranueshme ligjërisht të përdoren standardet ndërkombëtare të raportimit financiar. "Kur je vend i vogël, nuk është gjë e mirë të hartosh standardet e tua të kontabilitetit", thotë Lindpere.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›