E Shtunë, 31 Tetor 2026

Buxheti 2010, ja sa rriten pagat e pensionet

Autori i Lajmit: Redaksia
Qeveria shqiptare mbetet e vendosur që dhe për këtë vit të rrisë pagat dhe pensionet, pavarësisht kritikave të Fondit Monetar ndërkombëtar, që e konsideron të rrezikshme këtë politikë për ekonominë. Kreu i Financave, Ritvan Bode e bëri këtë deklaratë, gjatë prezantimit të projektbuxhetit për vitin 2010 në mbledhjen e Konferencës së kryetarëve. “Projektbuxheti i 2010 është 600 milionë dollarë më shumë në krahasim me vitin që po lëmë pas. Janë rritur të ardhurat fiskale. Përparësi do të kenë investimet publike, ndërsa nuk do të ketë rritje të taksave. Do rrisim pensionet dhe pagat në masën 4-10% dhe 7-10%. Kemi pakësuar në masën 2.5 miliardë lekë të ardhurat nga shpenzimet e tepërta të Administratës, krahasuar me një vit më parë, investimet publike mbeten me përparësi dhe zënë 9% të GDP-së. Shëndetësia dhe Arsimi mbeten gjithashtu prioritete të qeverisë për 2010 në këtë projektbuxhet. 2010-a, mbetet gjithashtu dhe viti i reformës sociale”, tha Bode.
Ministri Ridvan Bode u shpreh se Qeveria ka parashikuar për vitin që vjen 600 milionë dollarë më shumë, krahasuar me buxhetin e vitit 2009. Për kreun e Financave shqiptare të ardhurat e parashikuara janë 361 miliardë lekë, shpenzimet arrijnë në masën 416 miliardë lekë, ndërsa deficiti parashikohet të jetë më i ulët rreth 3.8%. Një zë të veçantë në buxhet do të zënë dhe për këtë vit sipas Bodes investimet publike, ato në sistemin e shëndetësisë dhe arsimit, ashtu sikundër theksoi ministri, reduktimi i të ardhurave për Administratë, si pasojë e reformës së ndërmarrë së fundmi nga qeveria. Por, pavarësisht këtyre ndërhyrjeve, tha kreu i Financave, qeveria për 2010 mbetet e vendosur për të mos rritur nivelin e taksave. Kreu i financave deklaroi se rritja e programuar e të ardhurave do ti lejojë Qeverisë që të vazhdojë të mbajë stimujt fiskal për të mbështetur rritjen ekonomike. Qeveria ka parashikuar që vitin e ardhshëm të ardhurat në buxhet të jenë 361 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 411 miliardë lekë, me një deficit të pritshëm prej 3.9 për qind.

Ministri për refomën në shëndetësi

Ministri i Financave u ndal edhe në reformat, të cilave pritet ti nënshtrohet sektori i shëndetësisë, ku në fokus parashikohet të jenë pacientët dhe kostot e kurimit të tyre, reformat administrative, që parashikojnë një shkurtim të shpenzimeve administrative, reforma për mbështetjen sociale, që parashikon një rishikim të përdorimit të këtij fondi, ku prioritet do tu familjeve që nuk kanë mundësi të përmirësojnë jetesën e tyre, etj. Fondi rajonal për investime, fondi për financimin e infrastrukturës rrugore të bashkive dhe komunave, politikat zhvilluese rajonale, si dhe rritja e grandeve konkurruese, ishin zëra të tjerë të projektbuxhetit të paraqitura nga Ministri i Financave.

Topalli për buxhetin

Prezantimi i projektbuxhetit për vitin 2010 është cilësuar nga kryeparlamentarja Topalli një konfirmim dhe mbajtje e premtimeve elektorale nga ana e demokratëve. Prezantimi i projektbuxhetit për vitin 2010 u vendos të bëhet në komisionet parlamentare duke nisur nga e hëna për të kaluar më pas me diskutimin dhe votimin e tij në parlament. Këtu zonja Topalli e pa të udhës që të ftonte opozitën për të qenë e pranishme në Kuvend dhe të jepte kontributin e saj.

Reagimi

Bode kundër FMN-së:
“Buxheti, realist”

Ministri i Financave, Ridvan Bode i është përgjigjur për herë të parë publikisht kritikave, që Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka e Shqipërisë i bën buxhetit të vitit 2010, duke e quajtur atë si jorealist. “Buxheti është tërësisht i realizueshëm, pasi sot Shqipëria ka një rritje ekonomike, të paktën 3 herë më të lartë nga vendi me rritjen më të madhe në Evropë”, deklaroi Bode. Në konferencën e kryetareve, ai tha se Shqipëria nuk u prek nga kriza ekonomike dhe kjo i lejon qeverisë që të rrisë sërish pagat dhe pensionet, pa përkeqësuar treguesin e borxhit publik. “Në 2010 një sërë vendesh të rajonit dhe më gjerë do të kenë rritje të mëtejshme të deficitit dhe borxhit publik. Në 2010-ën parashikohet një rritje e pagave dhe ulje e deficitit vjetor dhe borxhit publik”, është shprehur Bode.

Ky lajm është publikuar: 15/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›