E Shtunë, 31 Tetor 2026

Statusi kandidat në BE, ambasadorja Selimi tregon afatet

Autori i Lajmit: Redaksia
Pas aprovimit nga ambasadorët e përhershëm të aplikimit të Shqipërisë për statusin e kandidatit, pritet që ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian të formalizojnë vendimin gjatë takimit të tyre të martën në Bruksel. Ambasadorja e misionit të Shqipërisë pranë Bashkimit Evropian, Mimoza Selimi, ka shpjeguar procedurën që vijon pas këtij vendimi. “Pas aprovimit të kërkesës nga Këshilli, Komisioni Evropian fillon punën për përgatitjen e opinionit lidhur me gatishmërinë e Shqipërisë për të hyrë në fazën e negociatave. Kjo presupozon një punë të përbashkët të Qeverisë shqiptare me Komisionin Evropian. KE, në vijim, i dërgon qeverisë shqiptare një pyetësor, përgjigjet e të cilit përbëjnë kontributin kryesor mbi bazën e të cilit do të përgatitet opinioni i KE-së”, - shpjegon ajo. Sipas Selimit, pa dyshim që përgatitjet për këtë proces kanë filluar kohë më parë, që në momentin që kryeministri Sali Berisha dorëzoi aplikimin e Shqipërisë për integrimin në BE. Duke iu referuar ministres së Integrimit, Majlinda Bregu, përgatitjet për këtë proces janë shumë konkrete. Institucioni që ajo drejton ka përgatitur një plan konkret veprimi, me afate kohore, me detyrimet, përgjegjësitë që ka çdo institucion i përfshirë në procesin e dhënies së përgjigjeve të pyetësorit. Ambasadorja jonë në BE shpreh bindjen se administrata shqiptare ka të gjitha kapacitetet, angazhimin për ta përmbyllur procesin e përgjigjeve të pyetësorit në kohën e duhur dhe me cilësi. “Dhënia e opinionit nga ana e Komisionit Evropian lidhur me aplikimin e Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat pritet të marrë një vit. Ndërkohë që vetëm pak ditë më parë ambasadorët e BE-së pranuan shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për aplikimin e saj si kandidate. Pritet që të hënën ky proces të zyrtarizohet nga ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian.
Ky lajm është publikuar: 15/11/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›