E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universitetet: Nis informimi për 4 programe

SHKRUAN: Jonida Tashi 21-01-2011 10:57

Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj nisi nga Durrësi ditët e informimit për 4 programe kombëtare e ndërkombëtare të kualifikimit të studentëve e pedagogëve. Kreu i Arsimit ka zgjedhur Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit, për të promovuar katër programe që mbështesin kualifikimin e shpejtë të pedagogëve të rinj, të asistentëve dhe të studentëve, në funksion të arritjes së objektivit për afrim sa më të shpejtë me standardet. Në fjalën e tij, ministri Tafaj u shpreh se “sot fillojnë ditët informative për 4 programe shumë të rëndësishme, tre prej të cilave janë programe ndërkombëtare dhe një program me një rëndësi të veçantë kombëtare, që është Fondi i Ekselencës”. Ministri Tafaj u shpreh se “programet e shpallura nga Zyra Tempus janë shumë të rëndësishme, sepse përkojnë me objektivat tona në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, si dhe përbëjnë një mbështetje kryesore për realizimin e tyre”. Programi Tempus, që mbështetet nga Bashkimi Europian dhe që ka dhënë një ndihmesë të madhe për universitetet e vendeve post-komuniste, mbështet programet Erazmus dhe Zhan Mone, ku studentët dhe pedagogët aplikojnë vetë në fusha që kanë të bëjnë më shumë me marrëdhëniet ndërkombëtare, integrimin europian etj. Një program tjetër shumë i rëndësishëm, i mbështetur nga Bashkimi Europian, është Programi ERASMUS, që është një program tërësisht individual, ku studentët dhe pedagogët aplikojnë vetë. Ministri Tafaj u shpreh se pjesëmarrja e deritanishme nuk ka qenë fort e kënaqshme, por ky program është pa fond të përcaktuar, që do të thotë që të gjithë aplikantët që janë të suksesshëm me aplikimet e tyre e përfitojnë këtë bursë. Studentët e nivelit Master e Bachelor, në mënyrë të veçantë mund ta shfrytëzojnë këtë mundësi, duke bërë të mundur që studentët shqiptarë të kryejnë një semestër apo një vit studime në një universitet të huaj.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›