Vizita e Kryeministrit Berisha në Maqedoni, jehonë në shtypin vendas

Titujt kryesorë/”Berisha, Kryeministri i Shqiptarisë”
“Berisha pritet me entuziazëm në Shkup”, “Maqedonia dhe Shqipëria, më afër njëra-tjetrës” dhe “Finalizohet marrëveshja për qarkullim të lirë” janë disa nga titujt që pasqyrojnë vizitën e bujshme të kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Shkup dhe Tetovë. Ai u prit në mënyrë entuziaste nga shqiptarët atje duke theksuar se kjo vizitë ishte historike për ta. Kështu, mediat e shkruara në Maqedoni i kanë kushtuar një vëmendje të posaçme vizitës së kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Shkup e Tetovë. Në faqet kryesore të gazetave, sidomos atyre në gjuhën shqipe kanë dominuar porositë që kryeministri shqiptarë i dërgoi në takimet me kreun e lartë shtetëror, liderët e partive politike dhe gjatë vizitës në Tetovë. Gazeta “Lajm” në krye të faqes së saj shkruan “Berisha pritet me entuziazëm në Maqedoni” si dhe me germa të mëdha citon kryeministrit e vendit si “Kryeministri i Shqiptarisë”. Gazeta “Koha” në faqen kryesore të saj për numrin e djeshëm citon fjalën e shefin të qeverisë – “Bashkë drejt NATO-s dhe BE-së”. Në anën tjetër, gazeta “Zhurnal Plus” pasqyron një prej marrëveshjeve më të rëndësishme të arritur mes Shqipërisë dhe Maqedonisë “Finalizohet marrëveshja për qarkullim të lirë”.
Në këtë shkrim, thuhet se Berisha e Gruevski bënë gati për nënshkrim marrëveshjen për qarkullim të lirë të qytetarëve , ndërkohë mysafiri nga Tirana mbajti ‘ligjëratë’ me secilin që takoi edhe për rëndësinë që kanë BE dhe NATO për Ballkanin. Edhe gazeta “Fakti” në ballinë të saj i kushton vëmendje të veçantë vizitës së kryeministrit në Maqedoni duke shkruar – “Maqedonia dhe Shqipëria, më afër njëra-tjetrës”. Edhe gazeta në gjuhën maqedonase “Veçer” i jep një hapësirë të rëndësishme vizitës së kryeministrit shqiptar në Shkup. Në titullin e saj të veçantë thuhet: “Edhe Shqipëria lobiste për zgjidhje të shpejtë të çështjes së emrit”. Janë këto disa nga titujt që pasqyrojnë vizitën e bujshme të kryeministrit shqiptar Sali Berisha në Shkup dhe Tetovë.
Ai u prit në mënyrë entuziaste nga shqiptarët atje duke theksuar se kjo vizitë ishte historike për ta.