E Hënë, 2 Nëntor 2026

Buxheti, Bashkiakët e PD: Janë ulur fondet me 34 për qind

03/12/2004  Të zgjedhurit lokalë të opozitës, e kanë quajtur diskriminues uljen prej rreth 34% të fondeve, që parashikohet në projektbuxhetin e propozuar nga Qeveria për vitin 2005. Të thirrur në një tryezë nga Grupi Parlamentar i PD-së, të zgjedhurit lokalë i kanë paraqitur vërejtjet dhe propozimet e tyre rreth Buxhetit dhe kanë kërkuar më shumë fonde dhe përshpejtim të procesit të decentralizimit. Përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut Shkodër, thanë se shpërndarja e Buxhetit që parashikohet të jepet për buxhetin lokal për vitin 2005, është rreth 34% më ulët se ajo e vitit të kaluar. "Kjo shumë e akorduar nga qeveria nuk del as për rrogat e administratës, dhe jo më për investime publike. Theksojmë këtu se rreth 90% e fondeve të dhëna vitin e kaluar nga qeveria, në atë që quhet transfertë e pakushtëzuar, është përdorur për rroga dhe për mbulimin e sigurimeve shoqërore, ndërsa vetëm 10% e saj ka kaluar për shpenzime në mirëmbajtjen e rrugëve rurale të Qarkut", u shprehën përfaqësuesit e Këshillit të Qarkut Shkodër. Ndërsa për kryetarin e Bashkisë së Sarandës, Edmond Gjoka, ka dalë kundër rritjes së taksave mbi biznesin e vogël, duke kërkuar njëkohësisht edhe përshpejtimin e procesit të decentralizimit të pushtetit lokal. "Me keqardhje konstatojmë se qeveria për të rritur të ardhurat ka rritur dhe ngarkesën për biznesin e vogël dhe të mesëm, por nuk ka menduar për rritjen e ngarkesës fiskale për ‘VIP’-at e biznesit, siç kanë dëshirë ata t'i quajnë sipërmarrjet gjigante në vend, në të cilat pushtetmbajtësit janë vetë aksionerë", tha Gjoka.

Topi

Në fjalën e tij, kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, u shpreh se pushteti lokal është cilësuar si "pushtet i dorës së dytë" nga qeveria dhe ankesa për këtë kanë dhe të zgjedhurit lokalë të mazhorancës. Por në vendet e kontrolluara nga opozita, sipas Topit, ky pushtet është i diskriminuar. "Pushteti vendor, qoftë atje ku drejtohet nga socialistët dhe qoftë atje ku drejtohet nga demokratët, shihet si një pushtet i dorës së dytë, duke mos qenë i realizuar ashtu sikurse kërkohet nga institucionet ndërkombëtare. Brenda këtij diskriminimi total ka një diskriminim specifik, që në komunat dhe bashkitë që drejtohen nga përfaqësues të PD-së, ky diskriminim është i tejskajshëm", tha Topi, duke shtuar se në debatin parlamentar që do të zhvillohet për projektbuxhetin, do të prezantohen edhe vërejtjet dhe sugjerimet e takimit të djeshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›