E Diel, 1 Nëntor 2026

LSI: Buxheti, një dështim total

03/12/2004  Lëvizja Socialiste për Integrim ka shprehur kontestimet e saj lidhur me projektbuxhetin e shtetit për vitin 2005 dhe paketën fiskale. Sipas deputetit Dritan Prifti, ky buxhet bazohet në shifrat e programuara mbi mosrealizimet e mëdha të buxhetit paraardhës dhe është një nga buxhetet më të dobët që nga viti 1997. Sipas Priftit, "edhe nga ana formale ky buxhet nuk është i denjë as për një detyrë kursi të një studenti të Fakultetit Ekonomik. Ky buxhet nuk ndërmerr asnjë masë për shtesat në nevojë. Ndërkohë që vihet re një konfuzion shifrash, një tendencë për të fshehur dështimet dhe një mungesë e theksuar sinqeriteti dhe profesionaliteti në argumentimet për rritjen ekonomike, evazionin fiskal apo rritjen e pagave". Deputeti Prifti thekson se "në Buxhetin e vitit 2005, Qeveria deklaron se do ketë një rritje prej 9% në të ardhurat e shtetit dhe shpenzimet, duke mos patuar as turp dhe as përgjegjësi përpara fateve të vendit". Ndërkohë që vetë LSI-ja do të bëjë një sërë propozimesh për të ndryshuar Buxhetin e Shtetit për 2005-ën, duke synuar "rritjen e të ardhurave me 8 miliardë lekë më shumë për të realizuar 20% të pagës së arsimii tetëvjeçar dhe të mesëm, 30% të pagës për pedagogët, 10% rritje të pensioneve në qytet, 15% rritje të pensioneve në fshat, 450 milionë lekë për të zbatuar statusin për ish-ushtarakët, 10% rritje page për punonjësit buxhetorë". Sipas Priftit, Paketa Fiskale nuk ka për të ndihmuar aspak mashtrimin për të treguar se të ardhurat dhe shpenzimet rriten më pak se 2-3%, një rritje që është për herë të parë mbas vitit 1997, më e ulët se ritmi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto. Kështu, duke iu referuar Paketës Fiskale, deputeti Prifti thekson se, kjo nuk sjell asgjë të re. "Ekonomia shqiptare pritet vitin që vjen të rritet 6%, kurse qeveria, duke mos mbajtur dot as ritmin e rritjes së të ardhurave me nivelin e rritjes së ekonomisë, pranon se gjatë vitit 2005 do të lulëzojë ekonomia e zezë, evazioni, kontrabanda dhe biznesi vazhdon të goditet. Në buxhet ulet tatim-fitimi për bizneset nga 25 në 23%, me pretekstin se do të lehtësohet barra fiskale mbi firmat, ndërkohë që tatim-fitimi do të vazhdojë të kërkohet paradhënie, në mënyrë arbitrare nga zyrat e tatimeve. Të gjithë bizneset janë të sigurtë, që zyrat e tatimeve do t’i kërkojnë atyre më shumë tatim-fitimi se në 2004-ën, pa marrë aspak parasysh që është bërë një ndërhyrje në ligj, që ul vlerën e tatim-fitimit”, thotë Prifti.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›